E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, bien kërkesat e Delijorgjit

 

Armand Bajrami

Gjykata e Tiranës rrëzoi dje kërkesën e Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit dhe Dritan Minxollit, për gjykim të shkurtuar në procesin për tragjedinë e Gërdecit. Togat e zeza të kësaj gjykate rrëzuan kërkesën e tyre, atë të shoqërisë “Albademil” sh.p.k dhe të pandehurës Juliana Margaritit për gjykim me kohë të shkurtuar, çka do t’u mundësonte uljen e 1/3 së dënimit në fund të procesit. Refuzimi i gjykimit të shkurtuar është bërë të paktën deri në momentin që vetë të pandehurit do të kërkojnë para gjykatës gjykimin e shkurtuar, ose do t’u japin tagrin e nevojshëm ligjor avokatëve të tyre për ta bërë këtë. Sipas gjykatës, prokurat e përfaqësimit me të cilat janë prezantuar aktualisht para gjykatës nuk ua jep mbrojtësve të drejtën ligjore të kërkojnë në mungesë të klientëve të tyre gjykimin e dosjes në gjendjen në të cilën ndodhen aktet. Kërkesa ishte artikuluar një seancë më parë, me anë të cilës të pandehurit tentonin të shmangnin dënimin me burg përjetë, nëse gjendeshin fajtorë për akuzën e “vrasjes masive”.
SEANCA
Në kafazin e sallës së gjyqit të Gjykatës së Tiranës ndodhej dje vetëm i pandehuri Sokol Gjeci, një nga katër të arrestuarit e dosjes “Gërdeci”. Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli nuk ishin prezentë dhe përfaqësoheshin nga avokatët e zgjedhur prej tyre. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Ridvan Hado, relatoi rrëzimin e kërkesës së të pandehurve Delijorgji, Pinari dhe Minxolli për gjykim të shkurtuar. Sipas vendimit të gjykatës, referuar prokurave aktuale të avokatëve të këtyre të pandehurve, ata nuk legjitimohen për të bërë një kërkesë të tillë. “Kërkesa për gjykim të shkurtuar bëhet vetëm nga vetë i pandehuri, ose në mungesë të tij nga avokati me prokurë të posaçme. Në tagrin e përfaqësimit avokatët nuk legjitimohen për të parashtruar një kërkesë të tillë”, tha kryesuesi Hado. Gjithashtu, të padrejtë gjykata vlerësoi edhe kërkesën e mbrojtësve të Ylli Pinarit dhe Mihal Delijorgjit, që kërkonin vënien në dispozicion të klientëve të tyre të parashtrimeve të prokurorisë dhe listës së dëshmitarëve. Sipas gjykatës, mbrojtësit i kanë pasur të gjitha mundësitë për t’iu mundësuar këto akte, të cilat prokuroria i ka ofruar me CD, klientëve të tyre. Në vijim gjykata u njoh me parashtrimet hyrëse disa prej të pandehurve që nuk i kishin mundësuar ato në seancën e kaluar.

Avokati i Pinarit: Letra, bombë në Gërdec

TIRANE – Mbrojtësi ligjor i të pandehurit Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s, u shpreh dje se shpërthimi në Gërdec ka qenë i qëllimshëm. Ndërsa pak seanca më parë organi i akuzës e cilësoi ngjarjen si një gabim njerëzor, avokati i Pinarit kërkoi dje të pyeten si dëshmitarë persona që përmenden si të dyshuar në një letre anonime që ndodhet në dosje. Sipas kësaj letre, shpërthimi në Gërdec ka ardhur nga shpërthimi i dy minave me sahat. Në brendësi të kësaj letre përmenden disa emra që mendohet të kenë dijeni mbi “sabotazhin” në Gërdec. Bëhet e ditur se letra anonime është dërguar në adresë të ish-ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, pak ditë pas tragjedisë së Gërdecit, ndërsa në vijim policia e ka përcjellë atë zyrtarisht në prokurori.

Marku kërkon dëshminë e Bumçit e Alibeajt

TIRANE – Emrat e tre ish-ministave, Fatmir Mediu, Enlekejd Alibeaj dhe Aldo Bumçi u kërkuan dje të thirren si dëshmitarë në gjykimin e dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës. Kërkesa u shtrua para togave të zeza nga avokati Bujar Himçi, që në këtë proces mbron interesat e të pandehurit Ndue Marku. Sipas avokatit të Markut, Fatmir Mediu duhet të thirret dëshmitar si ish-ministër i mbrojtjes, Enkelejd Alibeaj, si ish-drejtor i Anti-korrupsionit në Këshillin e Ministrave dhe Aldo Bumçi, si ish-ministër i Drejtësisë. Marku, ish-drejtor i Drejtorisë së Harmonizimit të Legjislacionit dhe të Marrëdhënieve me Kuvendin në Ministrinë e Mbrojtjes mohoi dje akuzat e ngritura nga prokuroria ndaj tij.                                                            ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›