E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet në Rrogozhinë, i riu drogë në burg kushëririt

 

RROGOZHINE - Një 23-vjeçar ka shkuar të vizitojë kushëririn në burgun e Rrogozhinës, por ka përfunduar edhe vetë në pranga, pasi tentoi t’i fuste në qeli drogë dhe celular. Orges Gecaj, nga Tropoja dhe banues në Durrës, është zbuluar nga shërbimi i brendshëm i burgut, teksa priste të takonte djalin e dajës së tij, Hair Hiraj. Ky i fundit vuan dënimin në burgun e Rrogozhinës, pasi është dënuar me 5 vjet burg si pjesëmarrës në një grabitje, si anëtar i bandës së Zani Çaushit. Burime nga policia thanë se Orges Gecaj, është arrestuar në flagrancë menjëherë pas ushtrimit të kontrollit fizik ndaj tij. Përveçse nuk kishte dorëzuar një celular që e mbante në gjep, atij iu zbulua edhe një qese me pluhur të dyshuar lëndë narkotike, të cilën e kishte fshehur në pjesën e brendshme të këpucës. Pasi u verifikua qesja me pluhur, rezultoi se bëhej fjalë për drogë të llojit heroinë, e cila kishte një peshë totale 28.4 gramë. Menjëherë pas konstatimit, policia e burgut, njoftoi oficerët e Seksionit të Antidrogës, të cilët kryen arrestimin e 23-vjeçarit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasinë prej 28.4 gramë heroinë dhe telefonin celular. Ndërsa shërbimet e burgut të Rrogozhinës kryen një kontroll të imtësishëm në qelinë e të dënuarit Hair Hiraj, ku nuk rezultoi të kishte asgjë të jashtëligjshme. Sipas burimeve nga burgu mësohet se të dënuarit Hiraj nuk i është gjetur ndonjëherë lëndë narkotike apo telefon celular. Ndërsa për kushëririn e tij, Orges Gecaj, u mor menjëherë masa e arrestit në flagrancë për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Kavajës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›