E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrave, humb jetën 37-vjeçari shqiptar në Napoli

 

Një 37-vjeçar shqiptar ka gjetur vdekjen nga gripi i derrave në spitalin Mondali të Napolit në Itali. Sipas strukturave shëndetësore italiane, shqiptari, emri i të cilit nuk behët publik, vuante nga një sërë sëmundjesh dhe ç’rregullimesh në organizëm. “Ai ndodhej në reanimacion qysh prej datës 6 nëntor, i mbërritur prej një spitali periferik të Napolit pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore”, sqaruan autoritetet italiane. Ndërkaq dy ditë më parë, numri zyrtar i personave të raportuar me AH1N1 në vendin tonë arriti në 121 raste. Ndonëse Ministria e Shëndetësisë nuk do të raportojë me të prekurit e rinj, burime pranë saj konfirmojnë se çdo ditë nga mnostrat e marra janë rreth 10-20 raste të reja me grip derrash.  Institucionet shëndetësore janë duke marrë informacionin e nevojshëm nga të gjitha shkollat e vendit, në mënyrë që situata gripale të mbahet nën kontroll. Nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, 10-15 për qind e rasteve me gripin stinor kanë pasur infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Institucionet shëndetësore po përballen me një situatë gripale, e cila ishte parashikuar për periudhën dhjetor-janar. “Edhe virusi i gripit të zakonshëm këtë vit ka shënuar një numër më të lartë të prekurish”, sqarojnë mjekët. Ata bëjnë apel për kryerjen e vaksinës kundër gripit të zakonshëm brenda muajit nëntor. Kjo këshillë vjen sidomos për grupet në rrisk, ku të sëmurët kronikë, fëmijët dhe të moshuarit mbeten kryesorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›