Poliklinikat, ISKSH gjobit 250 mjekë
zirina llambro
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor gjobit 250 mjekë të poliklinikave në vend. Moszbatimi i orarit në punë, keqmenaxhimet e kartelave të pacientëve apo trajtimi i mangët i tyre ishin disa nga shkeljet e konstatuara nga kontrollet e befasishme. “Janë kontrolluar 10 rajone të vendit në kontrolle periodike dhe kontrolle të befasishme, në lidhje me zbatimin e orarit të shërbimeve shëndetësore. Janë kontrolluar 87 qendra shëndetësore dhe 298 mjekë të familjes të kontraktuar me këto qendra”, u shpreh drejtori i Kontrollit të Jashtëm në ISKSH, Pjerin Kodraçaj. Ai sqaroi se janë kapur shkelje të disiplinës në punë nga personeli i qendrave shëndetësore, mjekë dhe infermierë, ku në disa qendra shëndetësore të rajoneve Lezhë, Berat, Dibër dhe Tiranë, nuk janë gjetur në vendin e punës brenda orarit të miratuar të ofrimit të shërbimeve shëndetësore. “Në zbatim të kontratës me QSh janë rekomanduar masa disiplinore “vërejtje” dhe “vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna”, ndaj 9 mjekëve dhe 7 infermierëve të kontraktuara me këto qendra”, tha Kodraçaj. Ndërkaq sipas tij janë vërejtur shkelje të plotësimit të dokumentacionit nga ana e mjekëve të përgjithshme dhe të familjes. Kjo kryesisht në keqmenaxhimin e kartelës personale të të sëmurëve, parimin e zgjedhjes së lirë të mjekut, shkelje të rregullave të kryerjes së vizitës. Madje janë kapur mjekë duke vizituar banorë të pasiguruar pa zbatuar tarifat e vendosura për shërbimin shëndetësor. “Kështu në zbatim të kontratës janë rekomanduar masa administrative gjobë ndaj 140 mjekë në vlerë 361 mijë lekë”, thotë drejtori i Kontrollit të Jashtëm i ISKSH. Sipas tij, për shkelje në trajtimin e të sëmurëve me barna me rimbursim, duke shkelur protokollet e përdorimit të barnave, përcaktimet e listës së rimbursueshme, mosargumentim të vendosjes së diagnozës dhe mangësi të ekzaminimeve laboratorike dhe imazherike për përcaktimin e diagnozës dhe mjekimit; në zbatim të kontratës janë rekomanduar masa zhdëmtimi ndaj 110 mjekëve në vlerë totale 780 mijë lekë. Gjithashtu janë konstatuar dhe mangësi në menaxhimin e qendrave shëndetësore nga drejtuesit e tyre, ku në zbatim të kontratës janë rekomanduar kushte penale ndaj dy drejtuesve të QSH në masën 10 mijë lekë dhe ulje në detyrë ndaj një drejtuesi të QSh. “ISKSH do të vijojë kontrollet në të gjitha qendrat shëndetësore, me qëllim rritjen e efikasitetit të këtyre qendrave dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit për pacientët”, tha drejtori i Kontrollit të Jashtëm.