E Shtunë, 31 Tetor 2026

U hiqet licenca 7 farmacive në Tiranë

 

Ilaçe pa pullën e sigurisë dhe ruajtje e tyre në kushte krejt të papërshtatshme. Në këto konkluzione kanë arritur inspektorët e Qendrës së Kontrollit të Barnave. Për të tilla kundravajtje ligjore është propozuar heqja e licencës për 7 farmaci në kryeqytet. Do të jetë Ministria e Shëndetësisë ajo që do të vendosë. Sakaq janë penalizuar në masën 200 mijë lekë 3 farmaci, ndërsa dy të tjera me shumën 500 mijë lekë. “Kontrollet janë kryer gjatë tre muajve të fundit dhe arsyeja e gjobëvënies ishte keqmenaxhimi i transportit dhe ruajtjes së medikamenteve. Ndërkohë që pjesa tjetër është kapur duke shitur barna kontrabandë, apo siç njihen ndryshe ilaçe pa pullën e sigurisë”, tha dje në një konferencë për shtyp drejtori i Qendrës së Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj. Sipas tij, monitorimi i depove dhe farmacive do të vijojë më tej. “Ligji ka përcaktuar mirë rregullat për tregun farmaceutik. Ndaj duhet që vetë subjektet të marrin masa për të pasur kushtet e nevojshme të ruajtjes së medikamenteve dhe të zbatojnë këtë ligj. Në të kundërt rrezikojnë licencën”, deklaroi Jakaj. Ai shtoi se tregtimi i ilaçeve pa pullën e sigurisë, higjiena, vendi ku ruhen, dhe mënyra si transportohen, duhet të bëhet brenda normave të lejuara. Qendra e Kontrollit të Barnave ka propozuar bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë hartimin e një projektligji, i cili do të garantojë rregulla lehtësuese për subjektet në mënyrë që transporti dhe ruajtja e ilaçeve në tregun farmaceutik të kryhet në bazë të standardeve, të njohura nga vendi i prodhimit të barnave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›