E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi energjisë në ekonomi

Ervin Bushati 

Energjia është sfida e ekonomisë globale sot. Ndërsa në Shqipëri, energjia ka qenë problemi për zhvillimin normal të biznesit dhe një nga pengesat kryesore të infrastrukturës së ekonomisë, kjo nga studimet dhe analizat ndërkombëtare Energjia nuk mund të jetë avantazh ekonomik, kur në shekullin që jetojmë “ditët me ndërprerje të furnizimit janë mbi 200 në vit, çka përbën vlerën më të lartë në Evropë dhe në Azinë Qendrore” – thotë Banka Botërore. Pra, furnizimi me energji elektrike i ekonomisë është prerogative për çdo qeveri shqiptare.  Infrastruktura në Shqipëri ndjen nivelin e ulët të investimeve të dekadave të fundit dhe qëndron në një nivel të pakënaqshëm edhe në krahasim me ekonomitë e tjera, që gjenden në të njëjtën fazë zhvillimi. Oferta e papërshtatshme e infrastrukturës ndodhet në vendin e parë, për sa u takon pengesave për veprimtaritë ekonomike në vend, sipas studimeve të kryera nga Banka Botërore dhe FMN. Kosto ekonomike janë veprimtari të munguara ose të dëmtuara që shkatërrohen prej mungesës së energjisë në ekonomi: fitim i munguar, investime të pakryera, ndjenjë mosbesimi nga investitorët e huaj dhe shumë aktivitete të munguara të ekonomisë shqiptare, që nuk mund të llogariten ose imagjinohen dot me saktësi. Kosto kryesore ekonomike do të jetë zhvillimi me i ngadaltë i shoqërisë sonë.
Shqipëria varet tërësisht nga prodhimi i hidro-energjisë: një varësi që e le vetë sektorin dhe ekonominë në duart e kushteve klimaterike, mundësive për import dhe luhatjeve të çmimit në treg. Rritja jonë ekonomike në tranzicion kërkon një siguri dhe cilësi të shtuar në tregun e energjisë elektrike. Në Shqipëri problemi energjetik nuk ka sfond apo arsye të pastra ekonomike. Vendi ynë nuk ka arritur, ose më saktë e ka humbur përsëri mundësinë për të siguruar energji të mjaftueshme për sipërmarrjen shqiptare. Turizmi, bujqësia, industria, ndërtimi dhe çdo komponent tjetër i ekonomisë sonë të sapo formuar, jeton nën efektin e krizës së pandashme energjetike. Qeveritë shqiptare, duket qartë, nuk kanë as aftësinë dhe as dëshirën e duhur për të sjellë në jetë strategji afatgjata që do të nxirrnin nga ngërçi energjetik industrinë dhe ekonominë shqiptare. Administrimi nga institucionet kompetente për energjinë mbetet i pakënaqshëm. Situata financiare është e ndërlikuar nga tarifa, humbje elektriciteti për shkak të gjendjes së amortizuar të infrastrukturës, por edhe nga vjedhje të mirëfillta dhe nga arkëtime të faturave tërësisht të pamjaftueshme (niveli i arkëtimit mesatar është rreth 50 %, shumë më i vogël se mesatarja rajonale).
Tani jemi të qartë për shkaqet, pasoja dhe përmasat e krizës që sot prek shqiptarët. Qeveria, ashtu si çdo faktor politik në vend, duhet të ndjejë përgjegjësi për parandalimin e kësaj krize dhe të jetë e  gatshme të diskutojë dhe të angazhohet për reforma transparente të plota që reduktojnë efektet negative të krizës në jetën e përditshme të shqiptarëve. Humbjet dhe vjedhjet nga qeveria nuk mund dhe nuk duhet të paguhen as nga konsumatori; dhe as nga investitori shqiptar. 
Është detyrë kombëtare e çdo qeverie të ndërmarrë reforma të thella në tregun energjetik, kombinuar me masa amortizuese për shtresat më në nevojë. Çdo rritje çmimi, pa përmirësuar furnizimin me energji të popullatës, çdo rritje çmimi pa larguar dhe dënuar hajdutët në çdo nivel, çdo rritje çmimi thjesht për të përmirësuar situatën financiare është një taksë e re për konsumatorët dhe investitorët shqiptare. Rritja thjeshtë e çmimeve rrezikon ta shndërrojë krizën ekonomike në një krizë me përmasa më të rënda sociale - duke e bërë më të vështirë kontrollin e efekteve negative zinxhirë në ekonominë shqiptare.
Prandaj, është e nevojshme që arkëtimi nga faturat e elektrikut të rritet ndjeshëm, për të mos e keqësuar dhe më tej situatën e atyre që e paguajnë rregullisht. Gjithashtu është normale që tarifat të diskutohen në mënyrë transparente, duke parashikuar edhe masa për t’ua garantuar shërbimin shtresave më të varfra të popullsisë.
Në krahun tjetër, duhet punuar për përmirësime në sistem. Nuk mund të ketë efikasitet menaxhimi i energjisë pa bërë më transparente dhe efeciente procedurat për importimin e energjisë elektrike në vend. Duhet të përmirësohet rrjeti për të siguruar një efeciencë më të madhe dhe të ndërpriten në mënyrë më të vendosur lidhjet e paligjshme; ndërsa favorizohet shkëmbimi i energjisë në rajon, për të shfrytëzuar mundësitë plotësuese të njeri-tjetrit në burimet e prodhimit të energjisë. Pasi të kalohen vështirësitë imediate, një vizion i saktë do të ishte dhe balancimi i burimeve të energjisë në vend. Logjika ekonomike kërkon që të zhvillohen burime të energjisë alternative ndaj asaj hidroelektrike, që sot furnizon 95% të energjisë në vend. Energjia është e domosdoshme për rritjen ekonomike të një vendi, ashtu si dhe për zhvillimin e një shoqërie në kushte normale. Siguria dhe cilësia e furnizimit me energji elektrike varet nga rritja e prodhimit, diversifikimit, transmetimit dhe kapacitetit të shpërndarjes: për këtë duhen investime të reja, ashtu si duhen dhe përmirësime në rrjet.
Përfundimisht, energjia edhe në Shqipëri duhet të kthehet sa më shpejt në një sfidë ekonomike - si kudo në botë. Ajo nuk duhet parë më si një problem ekonomik dhe shoqëror që shkaktohet sistematikisht nga politika për ambicie afatshkurtra elektorale. Energjia duhet të zërë vendin e saj jetik; si një përbërëse tregu që na shtyn të përmirësojmë dhe zhvillojmë ekonominë tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›