E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, dëshmon familjari i Selmanllarit

TIRANë- Dëgjohet dëshmia e familjarit të Rahman Selmanllarit, i njohur për lidhjet e miqësisë me djalin e kryeministrit Berisha. Serjan Naci me detyrë magazinier në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec ka dëshmuar sot në seancën e radhës në Gjykatën e Tiranës në gjyqin ku të pandehur janë 29 të akuzuar.

Ai ka rrëfyer se ka nisur punë si magazinier pasi kishte takuar rastësisht Ylli Pinarin. Kishte nisur punë, pasi kishte bërë një kërkesë me shkrim, e cila ishte aprovuar nga MEICO. Detyra si magazinier kishte të bënte me mbajtjen shënim të të gjitha hyrjeve dhe daljeve të makinave të ngarkuara me municione, si dhe makinave me municione që vinin në fabrikën e demontimit.

Sipas Nacit cdo veprim bëhej në ngarkim të kompanisë amerikane Sac. Në përfundim të pjesës së parë të projektit dhe mbarimit të kontratës me MEICO , ai ka ndërprerë marrëdhëniet e punës, dëshmoi ai në sallën e gjyqit. Pas kësaj Serjan Naci ka pohuar se shkonte shpesh në fabrikë ku kërkonte punë, por për muaj me radhë nuk pati një përgjigje pozitive. Ditën e tragjedisë ai u gjend rastësisht në fabrikë pasi lejohej të hynte për shkak të njohjeve të krijuara “Mbaj mend se dëgjova një shpërthim të fuqishëm - tha ai, dhe më pas u largova për në pyll duke mos pësuar asnjë dëmtim” - deklaroi Naci.

Dëshmia e dyte vjen nga Asim Selmani, një ushtarak , në atë kohë komandant i batalionit të raketave në Maminas. Selmani kujton datën 24 prill kur ka parë dy persona që bënin piketime në zonë. Për këto punime Selmani ka raportuar tek eprori i tij Mehmet Metko, i cili pas disa minutave i ka kthyer përgjigje në telefon, që punimet të vazhdojnë deri në një urdhër të dytë.

Të nesërmen e asaj dite Selmani është takuar me Delijorgjin, i cili i kishte thënë se kishte marrë me qera 200 metra katror tokë. Por dëshmia e dhënë nga Asim Selmani është kundërshtuar në disa pika nga prokuroria. Ndërkaq në seancën e sotme ka qënë i pranishëm për herë të parë dhe Shpëtim Spahiu, gjeneral i forcave të armatosura, ndër të akuzuarit e tragjedisë së rëndë.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›