E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet në parim pr/ligji për komisionet hetimore

Në parim dhe maxhoranca ka qenë dakord me projektligjin e PS-së për komisionet hetimore. Në fund të dy orëve replika, kërkesa për konsensus e hartuesit të draftit Fatmir Xhafa, mori një miratim si verbal ashtu dhe me votë nga depuetët e djathtë. “Ne jemi të gatshëm të gjejmë pikëtakimet midis nesh për një zgjidhje konsensuale” tha deputeti socialist Fatmir Xhafa.

• OSBE, asistencë komisionit hetimor për zgjedhjet

“Unë besoj shumë se ne zgjidhjen e këtij problemi që na është shtruar si komision i ligjeve do ta gjejmë tek kushtetuta, tek ligji, tek vendimet e gjykatës kushtetuese dhe do të ecim përpara jo vetëm në procesin e hetimit të zgjedhjeve, por me të gjitha proceset parlamentare që ne kemi” tha deputeti demokrat Ilir Rusmajli.

Por gjatë gjithë kohezgjatjes së mbledhjes së komisionit, PD dhe PS diskutuan fort për ligjshmërinë e një komisioni hetimor që do të hapte kutitë.

“Ne po kërkojmë të hyjmë në magazinën ku ruhet malli i dikujt tjetër, në magazinën ku ruhet vota e shqiptarëve. Nuk është prone e atyre që ruajnë kutitë e votimit. Prona që është brenda është prona e popullit shqiptar” tha deputeti socialist Dashamir Peza.

”Ju keni frikë që nga transparenca e kutive do të dalë një lloj kopili si ai i Ruzhdies. Dhe pas kopilit do të dalë edhe babai dhe burri i vërtetë i Ruzhdies” tha deputeti socialist Damian Gjiknuri.

”Sikur qielli me tokën të përmbysen nuk e ndryshon sistemin bipartizan të menaxhimit. Nuk mund të pranojë që menaxhimi i zgjedhjeve të ardhshme të bëhet nga njerëz të tjerë përvecse nga komisionerët e vetë... ose që zgjedhjet e ardhshme t’i menaxhojë vetë Rama; të behët kryepërgjegjës, kryeadministrator i zgjedhjeve sikundër do të bëhet kryegjyqtar dhe kryeprokuror i zgjedhjeve në Shqipëri” tha deputeti demokrat Ilir Rusmajli.

Të martën në komisionin do të bëhen publike dhe ndërhyrjet që pd ka bërë në amendamentin e Selisë Rozë. Nuk dihet ende sesi do të priten këto ndryshime, por përvec thirrjes për konsensus depueti Xhafa bëri publik dhe një qëndrim tjetër të partisë së tij.

“Do të rezultonte asnjë pengesë, të paktën për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore, përderisa nuk ka një vendim gjykate që të jetë shprehur për këto kuti” tha Xhafa.

Elona Gjylmi
Azhornuar së fundi ( e hënë , 15 mars 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›