E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gerdeci drejtesia deshton

Prej dy muajsh procesi më i rëndësishëm në vend, ai ndaj të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit, vazhdon të dështojë dhe të qendrojë i bllokuar.

Ndërkohë, asnjë prej mekanizmave të drejtësisë nuk po lëviz për të reaguar konkretisht në një nga sindromat e gjyqësorit shqiptar, zvarritjet që në fund prodhojnë lirinë e të pandehurve.

Sërish në seancën e 15-të të dështuar për t’u zhvilluar, mungesa e pesë avokatëve mbrojtës solli moszhvillimin e gjyqit, i cili ka përfunduar në një seancë apeli për palët.

Pas interesitmi të Top Channel mbi shkaqet e kësaj zvarritjeje me përmasa historike për gjyqësorin shqiptar, gjykata e Tiranës, përmes një njoftimi akuzon avokatët për pengesën e zhvillimit të gjyqit.

Në komunikatë thuhet se gjykata ngre shqetësimin për mungesën e përsëritur të avokatëve mbrojtës dhe kërkon ndërhyrjen e Dhomës Kombëtare të Avokatisë që të verpojë me masa konkrete ndaj tyre.

Por konkretisht gjykata ndodhet në udhëkryq, pasi pavarësisht rekomandimeve që i nis Dhomës së avokatisë, nuk ka asnjë reagim. Kjo pasi vetë kreu i Dhomës së Avokatisë, zoti Maks Haxhia, avokat i Mihal Delijorgjit mungon prej disa seancash.

Ndërkohë që avokatë të tjerë të cilët janë të rregullt dhe nuk mungojnë, shprehen të shqetësuar për rrjedhen ku ka hyrë ky gjyq.

“Është e patolerueshme”, deklaron Vladimir Meci, avokat i gjeneral-major Shpëtim Spahiu. “Sigurisht që jo. Unë kam ardhur dhe do të vij rregullisht. Kur mungesa është e ligjshme, pranohet, në raste të tjera s’di të them”, shprehet ndër të tjera Mehdi Luka, avokat i gjeneral Agim Lala.

Mosgjetja e një mënyre për ta zhbollokuar situatën i ka lënë pa fjalë edhe prokurorët e cështjes, të cilët nuk kanë dhënë dot një përgjigje se cfarë do të ndodhë me këtë cështje.

Megjithëse procesi duket në rrugë pa krye, ajo që dihet është se në Shqipëri ekzistojnë sturkturat dhe ligjet sipas të cilave mund të veprohet.

Një ndër to, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë të cilët kanë akses të kontrollojnë dhe të verifikojnë se pse po zvarritet gjyqi më i rëndësishëm në vend, nuk kanë vepruar deri tani për këtë cështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›