Kriza politike, dhjetë ditë për të djegur fletët e votimit
Megjithëse anëtarët e maxhorancës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë vendosur që procesi i djegies së fletëve të votimit të zgjasë deri më 5 mars, duket se procedura për t’i dhënë fund shkakut të krizës së gjatë politike në vend zgjat vetëm 10 ditë. Këtë e bëjnë të ditur punonjësit e ngarkuar prej dy ditësh nga KQZ-ja, që po merren me djegien e fletëve të votimit. Sipas tyre, procesi i djegies së fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit nuk zgjat më shumë se dhjetë ditë. Ndërsa kriza politike në vend zgjati më shumë se një vit e gjysmë, për të asgjësuar përfundimisht atë që ishte dhe shkaku kryesor i kësaj krize duhen shumë pak ditë. Ndërsa fletët e votimit kanë filluar të digjen prej 2 ditësh, debati politik vazhdon ende dhe nuk dihet se kur do të përfundojë.
Procedura
Operacioni i djegies së fletëve të votimit nis çdo mëngjes, duke filluar nga magazinat në Lundër të Tiranës, ku janë ruajtur për më shumë se një vit e gjysmë kutitë me fletët e votimit dhe me materialet e tjera zgjedhore. Në këtë godinë kryhet seleksionimi i materialeve të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Fletët e votimit grumbullohen më vete, duke u transportuar drejt vendit të quajtur Ura e Farkës, për t’iu nënshtruar asgjësimit total, ndërsa materialet e tjera, po në zbatim të vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor, dërgohen të vulosura në një dosje duke u konsideruar si dokumente sekrete në Arkivin e Shtetit, për kohë arkivimi 25-50-vjeçare, periudhë në të cilën, në bazë të ligjit, askush nuk mund të kërkojë verifikimin e tyre. Të dyja operacionet, ai i sekretimit për rreth një gjysmë shekulli dhe ai i djegies së fletëve të votimit, shkojnë përkundër përpjekjeve të pafundme të politikës për kompromis mbi transparencën, duke shndërruar togfjalëshat “fletë votimi” dhe “materiale zgjedhore” në më të lakuarit e politikës, por edhe në më të dëgjuarit për shqiptarët në një vit e gjysmë.
Arkiva
Ndërsa debati politik tashmë ka kaluar nga fletët e votimit te arkivimi i listës së zgjedhësve, ka reaguar dje për mediat drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika. Ajo ka bërë të ditur se në bazë të ligjit, materialet e arkivuara në Arkivin e Shtetit mund të vihen në dispozicion të palëve të treta, në rastin konkret në dispozicion të komisionit hetimor parlamentar; por me kusht që të mos shkelet privatësia e zgjedhësve, pra të mbeten sekret të dhënat personale të zgjedhësve. Nika e cilëson një diskutim absurd dhe aspak të drejtuar nga ligji debatin politik mbi fatin e listës së zgjedhësve. “Në bazë të ligjit për arkivat, miratuar në 2003-shin, materialet e arkivuara, qofshin këto dhe të klasifikuara, mund të vihen në dispozicion të palëve të treta si komisionet hetimore apo organet e drejtësisë pa kaluar afati 25-vjeçar i parashikuar në dispozitat ligjore. Por, sigurisht, duke mos prekur të dhënat personale që ndodhen në listat e zgjedhësve”, - është shprehur Nika.
Dy ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jo pa debat miratoi me 4 vota pro arkivimin e listave të zgjedhësve të zgjedhjeve parlamentare të 2009-s në Arkivin e Shtetit, si material i klasifikuar. Ky vendim u interpretua nga opozita si një tentativë e maxhorancës për të penguar transparencën e zgjedhjeve të shkuara.
Apeli
Kantrimen: “PS-ja të mos i tërheqë anëtarët nga KQZ-ja”
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Tom Kantrimen, në një intervistë dhënë dje Zërit të Amerikës, u bëri apel partive shqiptare, veçanërisht Partisë Socialiste, që të mos i tërheqë anëtarët nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Duke komentuar vendimin më të fundit të KQZ-së për djegien e fletëve të votimit, Kantrimen tha se ky institucion ka bërë punën e tij në bazë të ligjit dhe të gjitha rregullave. “Mendoj se Komisioni Qendror Zgjedhor e ka bërë punën në bazë të ligjit dhe të rregullores së tij. Është e rëndësishme që partitë anëtare në këtë komision të marrin pjesë në mbledhjet e tij”, - është shprehur Kantrimen. Kjo deklaratë vjen pas zërave se PS-ja do të tërheqë anëtarët e saj nga KQZ-ja në shenjë proteste për djegien e fletëve të votimit. Kantrimen gjithashtu i ka bërë apel klasës politike shqiptare që të negociojë për të arritur një marrëveshje. Sipas tij, zgjatja e krizës politike do të sjellë vonesa në integrimin europian. “Së pari, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe i ka marrë seriozisht detyrat e saj në Aleancë, duke kontribuuar veçanërisht në Afganistan. Shqipëria u bë anëtare pasi plotësoi një sërë kriteresh të NATO-s, siç ishte funksionimi i demokracisë parlamentare. Shqipëria ka krijuar mundësi për të ecur përpara drejt BE-së. Si anëtarë të NATO-s, vetë shqiptarët duhet të jenë në gjendje të negociojnë me njëri-tjetrin, t’i zgjidhin problemet nëpërmjet dialogut dhe kompromisit. Çdo pengesë në këtë drejtim krijon vonesë në drejtim të integrimit europian”, - është shprehur Kantrimen. Po kështu, ndihmëssekretari amerikan i shtetit bëri thirrje për realizimin e rekomandimeve të OSBE-së përsa u përket zgjedhjeve, ndërsa sugjeroi që shqiptarët të jenë vetë vëzhgues të proceseve zgjedhore dhe të mos lejojnë manipulimin e tyre. “Në radhë të parë, OSBE-ja, në raportin për zgjedhjet, bëri të qartë se ç’duhet të bëjnë partitë për të përmirësuar Kodin Zgjedhor. Janë një sërë rekomandimesh, por e para është që partia në pushtet të bëjë zgjedhje të besueshme. Së dyti, përsa u takon zgjedhjeve, përmend rastin e zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Këto ishin zgjedhjet e para në Kosovë pas pavarësisë. Mua më bëri përshtypje që 30 mijë qytetarë të Kosovës kishin dalë vullnetarë për të shërbyer si vëzhgues. Edhe në Shqipëri duhet të dalin vullnetarë që të bëjnë vëzhgimin. Është një detyrë që u takon qytetarëve shqiptarë, dhe jo ndërkombëtarëve, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet në Shqipëri nuk u përkasin 2 apo 3 partive. U takon banorëve të dalin vullnetarë dhe të shmangin çdo manipulim”, - është shprehur Kantrimen.
Hushi: “Nuk bëj pjesë në merkaton e lëvizjeve politike”
“Unë nuk bëj pjesë në merkaton ku duhet të bëj lëvizje nga një parti në tjetrën”. Me anë të kësaj deklarate, politikani dhe deputeti i njohur në disa legjislatura, Durim Hushi, u shpreh i bindur në bindjet e tij politike, paçka ndryshimeve rrënjësore që po ndodhin kohët e fundit. “Që nga korriku i 2007-s e deri sot kam pasur mundësi të monitoroj. Arsyet pse zgjodha LSI-në kanë të bëjnë me lidershipin dhe programin e LSI-së. Që nga viti 1991, që kam qenë në Partinë Socialiste, kam takuar zotin Meta dhe kam qenë anëtar i forumit më të lartë të PS-së, kam qenë kontribuues në PS. Zgjedhja ime ka të bëjë me programin, që mund ta asimiloja më mirë, pasi vinte nga një parti e majtë, siç është Lëvizja Socialiste për Integrim”,- është shprehur Hushi. Ndërkaq, lëvizjen e ish-anëtarit të Asamblesë së PS-së, Ylli Manjani, Hushi e vlerësoi si një të drejtë të njeriut, ku çdokush duhet ta mbrojë.
Idrizi: “Peticion në Asamblenë e KE-së kundër raportit të Martit”
Kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi, ka deklaruar se pas mbledhjes së firmave në Tiranë do t’i bashkohet peticionit që pritet të dorëzohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ndër firmëtarët e këtij peticioni ishte dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, i cili, gjatë viteve të luftës në Kosovë ka qenë kryeministër i Shqipërisë. “Raporti nuk është shkruar për disa ditë, por i bërë prej dy vitesh. Zgjodhi një moment të caktuar për të pasur impakt mediatik, pasi ky raport duhej dorëzuar më 25 maj dhe pas 6 muajsh kemi vendimin e Gjykatës së Hagës dhe zgjedhjet në Kosovë. Pas zgjedhjeve, ku qeveria e Kosovës do të ulet me palën e Serbisë, dhe kjo do të sillte një prishje të imazhit të Kosovës”, - është shprehur Idrizi. Ai ka risjellë dhe një herë në fokus krizën politike dhe ngërçin e krijuar mes dy palëve. “Ky është një tregues se demokracia ka arritur që këto kriza t’i stisë vetë dhe ende nuk është vënë gishti te një palë, megjithëse një vend anëtar i NATO-s duhet të ketë një klasë politike të maturuar”, - është shprehur Idrizi.
10 Janar 2011