E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, familjarët peticion në Gjykatën e Apelit për procesin

Share

Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit i kanë dorëzuar një peticion Gjykatës së Apelit, e cila pritet të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për rivlerësimin e dënimeve ndaj të pandehurve të kësaj çështje.

Në këtë peticion, familjarët kërkojnë nga gjykata të trajtojë me precedencë absolute ngjarjen e Gërdecit. Peticioni i drejtohet edhe Gjykatës së Tiranës për zbardhjen e vendimit dhe prokurorisë, nga e cila kërkohet ta çojë deri në fund këtë çështje.

Ata kërkojnë gjithashtu nga KLD që të kontrollojë gjyqtarët e këtij procesi dhe të zbardhë pikat e errëta.

Ja kërkesat e familjarëve të viktimave të Gërdecit:

1. Gjykata e Tiranës të zbardhë pa vonesë vendimin e plotë me qëllim për të mundësuar apelimin nga Prokuroria e Përgjithshme brenda afatit ligjor prej 10 ditësh.
2. Prokuroria ta çojë deri në fund, në përputhje me sa dikton ligji, këtë proces që përfshin interesin e të gjithëve.
3. Gjykata e Apelit Tiranë të trajtojë me precedencë absolute ngjarjen e Gërdecit. Në vendimin e saj të tregojë seriozitetin dhe profesionalizmin e domosdoshëm në trajtimin e çdo kërkese nga ana e institucionit të Prokurorisë.
4. Këshilli i Lartë i Drejtësisë të monitorojë dhe vlerësojë punën e deritanishme të gjyqtarëve dhe të ndërhyjë për qartësimin e pikave ende të errëta të këtij procesi tejet të zgjatur.
5. Institucionet shtetërore të lartpërmendura të trajtojnë pa vonesë dhe brenda kompetencave të veta çdo kërkesë legjitime të familjarëve të viktimave të Gërdecit.
6. Ministri i Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrin e Financave, dhe Gjykatën e Tiranës të marrin masat përkatëse për të përjashtuar familjarët e viktimave të Gërdecit nga detyrimi për pagimin e taksës gjyqësore, duke u garantuar kështu aksesin në gjykatë dhe në drejtësi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›