E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpalleni dëshmor, u vra duke mbrojtur repartin

Ministria e Mbrojtjes

Flamur Vezaj

Më datën 2 Prill 1997 ushtari Armando Bashkim Novi, ka rënë në krye të detyrës, në përpjekje me bandat e 1997 për mbrojtjen e pasurisë shtetërore, depot e armatimit në repartin Ushtarak me nr.5010 që ndodhet në fshatin Mashkullor, Gjirokastër. Edhe pse kjo është përmbajtja e vërtetimit të lëshuar nga Komanda e Repartit Ushtarak 1801, Brigada e Mbështetjes Rajonale Gjirokastër, e cila mbulon repartin ku gjeti vdekjen ushtari, Ministria e Mbrojtjes, konkretisht Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit të Atdheut nuk i dha këtë titull Armando Novit. Babai i këtij të fundit, edhe pse në moshën 67 vjeçare nuk rresht prej 15 vitesh të kërkoj drejtësi dhe titullin e merituar të djalit të tij, që u vra gjatë shërbimit ushtarak në repartin 5010 të njohur si depot e kimisë që ndodheshin brenda territorit të Mashkullore, rrethi Gjirokastër.

Bashkim Novi, tashmë 67 vjeçar, në fillim të viti 2003, i ishin shuar shpresat se ndonjërit nga zyrtarëve të asaj kohe të Ministrisë së Mbrojtjes do ju kujtohej se djali i tij ishte vrarë gjatë shërbimit ushtarak dhe do nderohej me titullin Dëshmor i Atdheut. I ndodhur në këto kushte, ku kishte pritur për 6 vite se mos kujtohej ndonjë nga zyrtarët e Ushtrisë, ai merr iniciativën dhe referuar nenit 5 të ligjit nr.8607 datë 27 Prill 2000 për Statusin e Dëshmorit të Atdheut i është drejtuar me kërkesë formale Këshillit të Qarkut Gjirokastër. Me anë të kësaj kërkese, 67 vjeçari i kërkoi shpalljen e djalit të tij Armando Novi Dëshmor i  Atdheut. Këshilli i Qarkut Gjirokastër, me vendimin me nr.26 që mban datën 20 Qershor 2003 i propozon Komisionit Qendror të Statusit të Dëshmorit të Atdheut që ndodhet pranë Ministrisë së Mbrojtjes, shpalljen dëshmor të shtetasit Armando Novi. Ministria e Mbrojtjes, gjashtë vite pas depozitimit të kësaj kërkese të Këshillit të Qarkut, vendosi me vendimin nr.271 të datës 25 Shkurt 2009 Mos pranimin kërkesës për dhënien e statusit Dëshmor i Atdheut shtetasit Armando Bashkim Novi. Pavarësisht marrjes së këtij vendimi refuzues, familjarëve të ushtarit Novi ky vendim iu njoftua më 31 Maj 2011, plot dy vite pas shpalljes së tij. I ndodhur në këtë situatë, 67 vjeçari Novi iu drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, me një padi civile, duke kërkuar që Ministria e Mbrojtjes të shfuqizoi vendimin e 2009 dhe të shpall Dëshmor të Atdheut djalin e tij Armandon. Pranë togave të zeza, kjo padi iu caktua gjyqtarit Arjan Aliaj, i cili dëgjoi pretendimet e palëve në 9 seanca gjyqësore, duke administruar edhe një sërë provash materiale. Në përfundim të këtij shqyrtimi gjyqësor, gjyqtari Aliaj vendosi dërgimin e kësaj çështje për rishqyrtim pranë Komisionit Qendror të Statusit të Dëshmorit të Atdheut pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në Tiranë. Ky vendim i gjyqtari Aliaj, u dha pasi u konstatuan se ushtari Novi është vrarë gjatë shërbimit ushtarak në repartin ku kryente detyrën në mbrojtje të pronës shtetërore nga bandat e krijuara gjatë rebelimit të 1997.

Komanda

Sipas vërtetimeve që Gjykata ka administruara, të lëshuar dy herë nga i njëjti institucion, pra Komanda e Repartit Ushtarak 1801, Brigada e Mbështetjes Rajonale Gjirokastër, që ka në varësi repartin ushtarak me nr.5010 ku gjeti vdekjen ushtari Novi, ka dy përmbajtje të ndryshme. Vërtetimi i datës 15 Qershor 2003 i lëshuar nga ky institucion, thuhet ndër të tjera Ushtari Armando Bashkim Novi me datën 2 Prill 1997 duke pastruar municionet në grup depot e Mashkullores u vra në krye të detyrës. Vërtetimi tjetër po nga ky institucion, por që mban datën 17 Nëntor 2011 thuhet se Ushtari Armando Bashkim Novi me datën 2 Prill 1997 ka rënë në krye të detyrës në përpjekje me bandat e 1997 për mbrojtjen e pasurisë shtetërore, depot e armatimit të repartit 5510 Mashkullore, Gjirokastër-thuhet në vërtetimet e cituara në vendimin me nr. 2048 të Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, ku është firmosur nga gjyqtari Aliaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›