E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i përgjigjet Partisë Socialiste me miting

Edi Rama dhe Sali Berisha vazhdojnë t‘i largohen një zgjidhjeje për krizën politike. Dy krerët e partive kryesore, në deklaratat e tyre publike, nuk shfaqën asnjë shenjë kompromisi. Lideri i opozitës i mëshoi idesë së ultimatumit dhe afatit të tij për qeverinë. Kreu i shumicës qeverisëse u duk krejt indiferent ndaj këtij paralajmërimi, teksa ftoi shqiptarët të festojnë së bashku më 8 dhjetor.

Rama

Kryetari i Partisë Socialiste sqaroi dje strategjinë e re të opozitës dhe hapat që do të hidhen me tej në rast se qeveria do të vijojë të heshtë ose mos marrë parasysh kërkesën për hapjen e kutive të 28 qershorit. "Afati 10-ditor është fundi i një kapitulli, i një aksioni opozitar dhe fillimi i një kapitulli të ri. Është zgjerimi i objektivit, me detyrimin e pashmangshëm që në rast se nuk hapen kutitë, qeveria duhet t‘i hapë rrugën popullit, që t‘i ridrejtohet kutive të votimit dhe me zgjedhje të parakohshme, të përcaktojë me vullnetin e tij të lirë, qeverinë që do", tha Rama. Kreu socialist gjeti rastin të shpjegojë se ka aludime dhe spekulime se protestat synojnë që të rrëzojnë qeverinë me dhunë, duke theksuar se nuk ka asnjë qëllim të tillë.

"Protesta do të përfshijë që të gjithë, qytetarë, grupe shoqërore, parti politike, komunitete kudo ku janë, në funksion të rikthimit të legjitimitetit të Parlamentit dhe qeverisë në Shqipëri", vijoi kreu socialist. Zgjedhjet e parakohshme, vijoi ai, do t‘i provokojmë me forcën e së vërtetës dhe pasionin politik të një populli të tërë, për të mbrojtur të drejtat. Duke cilësuar protestën treditore jo si fundin, por si fillimin e një aksioni të ri politik, opozita pritet të përforcojë veprimin e saj jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë vendin.

Berisha

Partia Demokratike sfidon protestat e opozitës, duke paralajmëruar miting madhështor më 8 dhjetor. Kryeministri Sali Berisha shfrytëzoi mbledhjen e grupit kuvendor për t‘iu përcjellë deputetëve mesazhin që të mbledhin të gjithë mbështetësit e tyre më 8 dhjetor në Tiranë. Kryeministri porositi dje deputetët e tij që të intensifikojnë sulmet publike ndaj opozitës dhe liderit të socialistëve Edi Rama. Veprim që është pasuar me disa deklarata të zyrtarëve demokratë. "8 dhjetori do të jetë një festë e madhe ku do të marrë pjesë e gjithë Shqipëria", deklaroi publikisht Kryeministri në grupin e PD-së. Demokratët paralajmërojnë antimitingun për t‘i kthyer reston socialistëve. Kryeministri Berisha, ndryshe nga dy ditë më parë, ku kërkesën e opozitës për hapjen e kutive e quajti antikushtetuese, këtë herë preferoi të shmangë reagimet direkte ndaj opozitës. Në kohën kur opozita i vendos afatin dhjetëditor qeverisë për të rinumëruar votat, në të kundërt përshkallëzon protestat, Kryeministri Berisha premton nga ana tjetër të mbushë sheshin "Skënderbej" në Tiranë për të festuar 19-vjetorin e ditës kur studentët u ngritën kundër sistemit komunist. Festa e demokratëve, më 8 dhjetor, do të zhvillohet tri ditë pas protestës së ardhshme të opozitës. "8 dhjetori do të jetë festë për Europën, për aspiratën tonë europiane, që më 16 nëntor mori firmën e të gjitha vendeve anëtare të BE. Festojmë me krenari si vend anëtar i NATO-s. Ne që shembëm murin e Berlinit, historia na dha mundësi që të shndërrojmë në realitet këtë ëndërr të madhe", u shpreh Berisha. Në mbledhjen e grupit parlamentar, Kryeministri Berisha foli dhe për miratimin së shpejti të ligjit "Antimafia", si një nga kushtet kryesore për heqjen e vizave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›