E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premiershipi, i rrezikuar nga bastet

Deklan Hill, autori i librit "Trukimet: Futbolli dhe Krimi i Organizuar", ka frymëzuar një hetim për manipulimin e ndeshjeve në të gjithë Europën. Si rezultat, më shumë se 200 ndeshje, duke përfshirë edhe disa takime në Champions League, Europa League e kualifikueset e Europianit U-21, por edhe në mjaft kampionate kontinentale, janë nën hetim. Mësymjet e policisë në katër shtete sollën të premten që kaloi 17 arrestime, sekuestrimin e mbi 1 milion eurove dhe të disa materialeve që do të shërbejnë si prova për hetuesit. Hill, i cili kishte shkruar gjerë e gjatë rreth këtij problemi në kolonat e "Sunday Telegraph" 12 muaj më parë, është rikthyer në skenë me një tjetër alarm. Paralajmërimi i tij lidhet me kampionatet në Angli, Spanjë, Itali dhe Francë, liga të cilat deri më tani kanë qëndruar jashtë skandalit. Por, gazetari investigativ kërkon që drejtuesit e futbollit në këto vende të mos ndihen të vetëkënaqur, pasi rreziku është aktual. "Do të ngulmoj që të këshilloj autoritetet në Spanjë dhe në Mbretërinë e Bashkuar që gjatë kësaj periudhe mos të flenë gjumë të qetë", deklaroi Hill. "Tri javë më parë ndodhesha në Azi, duke biseduar me ‘bookmakers‘-at dhe personat që manipulojnë rezultatet e ndeshjeve. Ata pretendonin se kishin kontakte edhe në Premiership, madje prezenca e tyre në kampionatin elitar anglez është mjaft e madhe". Sektori i Ndershmërisë së UEFA-s e nxiti policinë gjermane që të vepronte dhe hetimi njëvjeçar zbuloi një skandal bastesh, nga i cili sindikatat apo persona të caktuar kishin përfituar afro 10 milionë euro.

Presidenti i Osnabrukut, drejtuesi i parë i një klubi gjerman që është emëruar si anëtar i hetimit, ka pohuar se njërit prej lojtarëve të skuadrës së tij i është siguruar "ndihmë financiare dhe fizike", pasi kishte borxhe të mëdha ndaj një kompanie bastesh. Edhe dy lojtarë të këtij klubi dyshohen se manipulonin rezultatin e ndeshjeve. Ndërkohë, gazeta gjermane, "Sueddeutsche Zeitung", ka publikuar detaje për trukimin e disa prej 200 ndeshjeve të përfshira në skandal. Në sajtin e saj elektronik, e përditshmja theksonte se takimet e prekura nga bastet janë luajtur kryesisht në ligat inferiore, ku bastexhinjtë u jepnin ryshfet lojtarëve që t‘i humbnin ndeshjet me një diferencë të caktuar golash. Shembujt e renditur nga gazeta vinin nga Zvicra, Belgjika, Kroacia dhe Turqia. Për shembull, raportohet se hetuesit po shqyrtojnë një ndeshje në Kategorinë e Dytë zvicerane, ndërmjet Yverdon Sport dhe FC Thun, të luajtur më 26 prill 2009. Lojtarët e ekipit mik kishin përfituar 15 mijë euro nga grupet e krimit të organizuar, në mënyrë që skuadra e tyre të humbiste me katër gola diferencë: takimi u mbyll me shifrat 5-1. Në Kategorinë e Dytë belge, lojtarët e UR Namur kishin marrë para për të humbur ndeshjen me dy gola diferencë: Namur u mposht 2-0.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›