Zyrtarët e UEFA-s akuzohen se kanë ndihmuar trukimet
Skandali më i madh në futbollin europian vazhdon të zgjerohet. Sipas zhvillimeve më të fundit, në trukimin e rezultateve dyshohet se janë përfshirë edhe drejtues të UEFA-s. Një numër ende i pacaktuar zyrtarësh mendohet se u kanë dhënë grupeve të krimit të organizuar informacione rreth gjyqtarëve që caktoheshin për të arbitruar ndeshjet. Deri më tani, nën hetimin e 200 ndeshjeve të manipuluara gjatë këtij viti, në Champions, Europa League, kualifikueset e U-21 dhe në kampionatet e nëntë shteteve, kanë përfunduar edhe mbi 40 futbollistë. Megjithatë, hetuesit, të ndihmuar edhe nga UEFA, po shqyrtojnë edhe teorinë se punonjës të administratës nëpër liga të ndryshme në kontinent, e ndoshta edhe zyrtarë në Nion të Zvicrës, kanë shpërndarë detaje për caktimin e "xhaketave të zeza". Sipas përfundimeve paraprake, disa prej grupeve kriminale që manipulonin ndeshjet në shumë vende të Europës, i joshnin arbitrit me femra dhe alkool, e më pas u jepnin ryshfet në mënyrë që ata të ndikonin në rezultatin përfundimtar.