E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e 77-vjeçarit për konfliktet në fis, arrestohet kushëriri dhe nipi

Policia e Shkodrës zbardh vrasjen e Sulejman Velajt dhe arreston dy autorët e dyshuar të krimit, Myslim Velaj dhe Fatos Lushaj. I moshuari u vra me çifte pas koke, në kohën që po “zhvishte” misrin

Shkodër Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi akuzohen për vrasjen e të moshuarit në kufirin mes fshatrave Reç e Qafë Gradë në komunën Shkrel të rrethit Malësi e Madhe. Krimi ka ndodhur në 22.10 minuta të së enjtes, në oborrin e banesës së viktimës Sulejman Velaj, 77 vjeç, banues në fshatin Qafë Gradë, ndërsa si autorë të saj policia ka ndaluar shtetasit Fatos Lushaj, 21 vjeç dhe Myslim Velaj, 50 vjeç, dajë e nip. Viktima është qëlluar me armë gjahu nga distancë e afërt, pas koke, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Mësohet se 77- vjeçari ka qenë i ulur në një stol, afër derës së banesës në oborr, duke pastruar misrin e korrur, pasi do e përgatiste për ta bluar. Familjarët i thanë policisë se kur është qëlluar nga mbrapa, në njërën dorë ka patur një kalli misri dhe në tjetrën një thes. Autorët i kanë shkuar nga prapa dhe nuk janë diktuar nga viktima, pasi errësira dhe prania e një sasie misri akoma të pakorrur pranë vendit ku ndodhej viktima e kanë bërë të pamundur shikimin e tyre prej 77- vjeçarit .Vdekja e tij ka qenë e menjëhershme, ndërsa në banesë kanë qenë të gjithë familjarët e tij, që sapo kanë dëgjuar të shtënën në oborr kanë dalë të trembur jashtë. Dyshimet kanë rënë mbi një kushëri të të moshuarit, me të cilin viktima prej kohësh kishte konflikte. Këto konflikte, sipas të njohurve dhe banorëve të këtij fshati, ishin për thashetheme dhe fjalë të përhapura lidhur me marrëdhëniet brenda fisit Velaj, mes viktimës dhe të afërmit të tij, që u arrestua për krimin. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet policore, në banesat e autorëve të ngjarjes është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të armës së gjahut më të cilën u krye vrasja, dy automatikë dhe 2 krehra me 26 copë fishekë. Në lidhje me këtë ngjarje u kryen të gjitha veprimet e duhura proceduriale e hetimore dhe materialet në ngarkim të shtetasve Fatos Lushaj dhe Myslim Velaj i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “vrasjes me dashje, e kryer në bashkëpunim”. Viktima dhe kushërinjtë e tij që dyshohen si autorë të vrasjes jetojnë rreth 100m larg njëri-tjetrit, ndërsa problemet mes tyre i njihnin thuajse të gjithë banorët e fshatit Qafë-Gradë të Malësisë së Madhe. Pas arrestimit të autorëve të dyshuar, policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij krimi, që i mori jetën në moshën 77-vjeçare Sulejman Velajt. D.Kolaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›