Gërdeci, gjykata ultimatum avokatëve: Mjaft me zvarritje

Nga gjyqi për tragjedinë e Gërdecit
Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit kryesorë
Delijorgji, Pinari e Minxolli bllokuan gjyqin
Gjykata e Tiranës paralajmëroi dje avokatët e Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit dhe Dritan Minxollit se nëse nuk paraqesin mbrojtjen brenda javës, trupi gjykues do të veprojë me shpalljen e vendimit përfundimtar. Në formën e një ultimatumi, gjyqtari Ridvan Hado, kryesuesi i gjykimit të dosjes Gërdeci në Gjykatën e Tiranës, e caktoi seancën e së hënës si të fundit seancë gjyqësore për paraqitjet e mbrojtjes së të pandehurve. Në të kundërt, faza e mbrojtjes do të konsiderohet si e kryer nga ana e gjykatës. Kërcënimi në fjalë iu drejtua avokatëve të të pandehurve VIP në proces, të cilët janë të vetmit që nuk kanë paraqitur konkluzionet. Ndonëse gjykata ka kaluar në fazën e konkluzioneve të mbrojtjes që pas datës 1 nëntor 2011, të pandehurit Ylli Pinari, Mihal Delijogji e Dritan Minxolli ende nuk i kanë paraqitur përfundimet e argumenteve mbrojtëse. Në seancën e djeshme, kur u përball me pretendimet e avokatëve se ende nuk e kishin përfunduar përgatitjen e konkluzioneve, gjyqtari Hado u la seancën e radhës si të vetmen mundësi. Ditën e hënë, nëse nuk paraqisni konkluzionet, do ta quaj të ezauruar mbrojtjen, u shpreh gjyqtari Hado. Fraza në fjalë iu artikulua më pas edhe mbrojtësve të tjerë që nuk i kishin përgatitur konkluzionet. Sipas gjyqtarit, kjo vonesë e mbrojtësve ishte e patolerueshme, pasi ka më tepër se dy muaj që procesi ndodhet në fazën e paraqitjes së konkluzioneve të mbrojtjes. Më herët, në seancën e djeshme, gjykata u njoh me përfundimet e mbrojtjes së të pandehurës Juliana Margariti, ish-shefe e financës në shoqërinë Albademil. Në konkluzionet e saj, prokuroria kërkoi deklarimin fajtore të Margaritit për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dënimin e saj me 2 vjet e 6 muaj burg dhe 300 mijë lekë gjobë. Mbrojtësi i saj ligjor, avokati Maks Haxhia, kërkoi pafajësinë e klientes së tij. Sipas avokatit Haxhia, akuzat e prokurorisë ndaj së pandehurës Juliana Margariti janë të paprovuara. Margariti ka filluar punë si shefe finance në prill të vitit 2005 në Albademil. E pandehura nuk kishte për detyrë të kontrollonte dokumentet me karakter juridik, u shpreh avokati. Në përfundim avokati i kërkoi gjykatës deklarimin e pafajshme të së pandehurës Margariti. Paraqitja e përfundimeve të mbrojtjes së 29 të akuzuarve për shpërthimin tragjik të 15 marsit 2008 në Gërdec nisi pas seancës së 1 nëntorit 2011, kur prokuroria lexoi pretencën. Sipas prokurorisë, të gjithë të pandehurit duhet të deklaroheshin të fajshëm dhe të dënoheshin me burg, ndërsa për të pandehurit Pinari, Delijorgji dhe Minxolli u kërkua burgim i përjetshëm.
Zvarritjet e procesit
Procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit është një nga gjyqet e zvarritura më shumë në Drejtësinë shqiptare. Prej më se dy vitesh, familjarët e viktimave presin drejtësi, ashtu edhe të pandehurit, por Gjykata ende nuk ka arritur të shpallë vendimin. Shkak për zvarritjet është bërë qëndrimi i avokatëve, të cilët mungojnë vazhdimisht në seanca.
ARMAND BAJRAMI