Gërdeci, gjykata zvarrit prej 4 vitesh dëmshpërblimet për të plagosurit
—-Nga Dorina Bilbili—-
Tiranë- Shpërthimi tragjik që mori 26 jetë njerëzish dhe plagosi qindra të tjerë ska përfunduar ende së gjeneruari dhimbje e sakrifica. Familjarët e këtyre viktimave nuk kanë marrë dëmshpërblim për jetët e humbura ose për dëmtimet fizike dhe materiale.
Dile dhe Viktor Nikolli janë ndër të prekurit që, për fat të mirë, nuk humbën jetën në shpërthimin e15 marsit 2008, por pësuan dëmtime.
Më 2 qershor të vitit 2009 ata kanë hedhur në gjyq përmes një padie shkaktim-dëmi kompaninë MEICO (MILITARY EXPORT IMPORT COMPANY) , Ministria e Mbrojtjes , SOUTHERN AMMUNITION COMPANY INC, për ti dëmshpërblyer.
Familja Nikolli kërkon shpërblim dhe kompesimin e dëmeve pasurore dhe jopasurore të shkaktuara ndaj tyre, si pasojë e dëmtimit të shëndetit te Viktorit nga ngjarja e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municionëve në fshatin Gërdec.
Çifti ka kërkuar si shpërblim shumën 10.000.000 Lekë, përmes një beteje gjyqësore që po drejtohet prej 1413 ditësh nga gjyqtarja e çështjeve civile Manjola Bejleri. Paçka se për të tilla padi mesatarja e dhënies së një vendimi nga Gjykata e Tiranës është 415 ditë, sërish togat e zeza nuk janë shprehur.
Prej korrikut 2009 deri në qershor 2010 gjykata ka zhvilluar vetëm 7 seanca, ndërsa të tjerat janë shtyrë për arsye të ndryshme.
Më 1 qershor 2010 gjykata vendosi pezullimin e gjykimit të kësaj çështje, deri në përfundim të gjykimit të çështjes penale Gërdeci. Me tu shprehur edhe Gjykata e Apelit çështja është rihapur dhe sot është beteja e rradhës për të marrë dëmshpërblimin për dëmtimin e shëndetit për shkak të tragjedisë së ndodhur marsin e pesë vitëve më parë.
Nëse çështja pëson zvarritje edhe në Gjykatën e Lartë, beteja e dëmshpërblimeve për familjet që kanë invalid pune për shkak të dëmtimeve nga shpërthimi i Gërdecit do të vijojë të jetë peng në gjykata.
Ndërkohë pronari i MEICO-s, Ylli Pinari përmes vendimit i formës së prerë të Gjykatës së Apelit pak javë më parë mori ulje të denimit, duke e dënuar përfundimisht me 15 vite burg, nga 18 vite që e kishte dënuar Gjykata e Shkallës së Parë. Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, Pinari do të qendrojë vetëm 10 vite në burg.
Sakaq si familja Nikolli janë edhe dhjetra të tjera të cilat vazhdojnë të enden sa në një institucion në tjetrin për dëmshpërblimin e ngjarjes së 15 marsit. Ata i janë drejtuar disa herë përmes letrave të hapura Ministrisë së Mbrojtjes e cila i është përgjigjur negativisht kërkesës për dëmshpërblim në masën 360 milionë Lekë në dy vitet e para të betejës gjyqesore, po ashtu edhe Këshillit të Ministrave, i cili po ashtu ka heshtur.