E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, SHBA i kërkon sqarime Ambasadës në Tiranë. Zyrtari i DASH takon Ramën

TIRANE - Vendimi i mazhorancës për të shkarkuar anëtarin e KQZ-së të propozuar nga LSI, ka vënë në lëvizje Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Departamenti Amerikan i Shtetit ka dërguar në Tiranë Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore, Jonathan Moore. Zyrtari i lartë i DASH-it dhe ambasadori Arvizu po zhvillojnë një takim në selinë rozë me liderin e opozitës Edi Rama. Takimi nisi rreth orës 09:00 dhe po zhvillohet me dyer të mbyllura.

Pas votimit në Kuvend, të kërkesës së mazhorancës për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu theksoi se votimi në parlament nuk e ka rritur besimin tek procesi elektoral. 

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Palët duhet të bëjnë hapa të tillë që të rrisin besimin e votuesve te procesi zgjedhor. Votimi i sotëm (pardjeshëm) në Kuvend nuk e bëri këtë,” thuhej në mesazhin e Arvizut. 

I pyetur nëse PD-ja po e kapërcente vijën e kuqe duke ndryshuar rregullat e lojës për shkarkimin e një anëtari të KQZ-së, ambasadori Arvizu tha mes të tjerash se “nuk mendoj se ka njeri që do të donte një vendim apo veprim që do ta vendoste Shqipërinë në rrugën e përplasjes me SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar”, - deklaroi Arvizu.

SHBA “E-MAIL” URGJENT AMBASADES NE TIRANE, KERKON SQARIME
Ora 07:20 - Në adresën elektronike të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, në orën 03:00 të mëngjesit të djeshëm, me orën tonë, ka mbërritur një e-mail i Departamentit Amerikan të Shtetit, që kërkonte sqarime të hollësishme mbi situatën politike në vendin tonë, veçanërisht për pritshmëritë pas votimit në Kuvend të kërkesës së mazhorancës për shkarkimin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Lajmi u bë publik nga vetë Sekretari politik i ambasadës, Xhei Porter, gjatë një takimi me studentë. Ai bëri të ditur se interesi i Departamentit të Shtetit, që drejtohet nga John Kerry, për çështje me ndjeshmëri të lartë, është i madh, sa herë ka ngjarje me rendësi. Duke mos komentuar më tej përmbajtjen e raportit që u nis drejt Uashingtonit përmes postes elektronike, Porter, theksoi se në interesin e SHBA, por edhe të vetë shqiptarëve, mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Në lidhje me e-mail që u përmend, që u mor sot (dje) në mëngjes në orën 03:00, ne marrim e-mail si ky gjithmonë, pra sa herë Shqipëria përmendet në kryetitujt e gazetave ndërkombëtare, për një sërë çështjesh. Situata nuk është e veçantë për shkak të asaj që ndodhi në Parlament dje (pardje). E-mail si ky ka përherë sa herë Shqipëria shfaqet në tituj gazetash. Ajo që mund të garantoj është që synimet tona nuk kanë ndryshuar që nga hera kur Sekretarja Klinton vizitoi Parlamentin shqiptar dhe iu kërkoi politikanëve shqiptarë që të siguronin që Shqipëria të ketë zgjedhje të drejta e të barabarta”, - sqaroi Porter. (Gazeta Shqiptare)

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ambasadorja e Gjermanisë: Qëndrimet tona u injoruan, do të keni pasoja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›