Jeta moderne e njerëzve pa edukatë, qentë nxirren të jashtëqisin në parqe
—-Nga Preveza Dervishllari—-
Tiranë- Ndotja e mjedisit në Shqipëri është një problem madhor. Por elementëve ndotës si mbeturinat urbane, pluhuri, gazrat e makinave dhe fabrikave, në mjediset urbane, në qytete, i shtohet edhe një tjetër. Kjo është ndotja që vjen nga moda e re e jetës së luksit, kafshët shtëpiake dhe vecanërisht qentë.
Mbajtja e një qeni është modë e aristokracisë së re shqiptare. Por kjo modë bashkëjeton me një mjedis social ku askush nuk kujdesët për higjenën publike. Qentë, në Tiranë dhe qytete të tjera, janë bërë shumë shqetësues. Jo vetëm sepse përbëjnë rrezik për qytetarët pasi nxirren shëtitje pa maskë, por tashmë përbëjnë një rrezik serioz edhe me ndotjen që prodhojnë.
Nëpër trotuaret e kryeqytetit jashtëqitjet e qenve janë të pranishme kudo. Por më problematike është kjo në ato të pak parqe që qyteti ka. Në parkun e liqenit artificial, pronarët e qenve apo kujdestarët e tyre, i nxjerrin enkas shëtitje për të kryer nevojat. Kjo ka bërë që hapësirat e blerta të jenë të mbushura me jashtëqitjet e tyre. Por këto janë edhe mjediset e vetme ku këkrojnë pak qetësi dhe ku shëtisin e lozin fëmijë e të rritur.
E pyetur nga gazeta IDEA, veterineria Enerta Pambuku, tregon se në klinikën e saj vijnë njerëz që tregojnë shumë kujdes për kafshët e tyre dhe shumica janë qen. Por këta njerëz nuk tregojnë fare kujdes për atë që kafsha e tyre i shkakton mjedisit publik.
Doktoreshë, çfarë kujdesi tregojnë klientët tuaj ndaj kafshëve të tyre?
Në klinikën tonë shumica e pacientëve janë qen dhe zakonisht pronarët i sjellin vijnë në kohën vaksinimit dhe në kohën e caktuar nga ne për kontrollin rutinë. Por nuk mungojnë edhe ata persona të cilët i sjellin qentë e tyre për kontrolle të vazhdueshme stomatologjike. Larja e vazhdueshme me furçën dhe pastën përkatëse ndihmon në forcimin dhe jetëgjatësinë e dhëmbëve
Pra ka qytetarë që kujdesen edhe për dhëmbët e qenve, por sa kujdesen këta persona për ambjentin ku këta qen kalojnë kohën?
Vërtet kafshët marrin kujdesin e duhur, por lihet pak pas dore kjo ana tjetër, e kujdesit për mjedisin. Shumë nga klientët e mi tregojnë se i nxjerrin qentë e tyre nga liqeni në kohën kur ata kanë nevoja personale, sepse ne këtë mënyrë nuk kanë pse të pastrojnë shtëpinë, apo vendin e tyre përkatës të jashtëqitjes. Harrojnë që shumë fëmijë të vegjël, por edhe persona të tjerë kalojnë kohë të konsiderueshme në hapësirat e gjelbëra dhe bezdisen nga aroma e keqe por edhe jashtëqitja e mbetur aty. Kjo përmban rrezikshëritë e veta, sepse një fëmijë i vogël, jo i vetëdijshëm mund ti shkelë, prekë ose më e keqja ti fusë në gojë. Gjithsecili që ka një qen duhet edhe të mbledhë atë që kafsha e vet bën.
Çfarë rekomandoni ju si një mjeke për parandalimin e situatave të ngjashme?
Fillimisht secili prej nesh duhet të jetë i ndërgjegjshëm vetë dhe të medojë për të tjerët. Perveç ndërgjegjësimit personal të njerëzve, ky problem mund të zgjidhet edhe nëpërmjet një ligji ose sanksionimi me gjobë,-përfundoi mjekja Pambuku.
Dashuria për kafshët nuk duhet të mbetet vetëm në këto korniza, duhet të kalojë në kujdesin e tyre por edhe kujdesin ndaj mjedisit, sepse është ky mjedis i cili do ti mirëpresë këto kafshë sa të dashura, por që kërkojnë kujdes.
Në vende të tjera ku higjena publike dhe mjedisi janë të shenjtë, këto probleme janë të zgjidhura përmes masa ndëshkuese. Pronari i qenit, duhet të kujdeset që të heqë jashtëqitjen e kafshës së tij, në të kundërt ai gjobitet.
Jeta moderne e njerëzve pa edukatë
◄ Back
Next ►
Picture 1 of 4