E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, kthejnë paratë 25 banorë



Plot 25 banorë të Gërdecit dhe zonave pranë tij duhet të kthejnë një pjesë të parave të marra si kompesim nga shteti për dëmet materiale të shkaktuara nga shpërthimi i 15 marsit 2008 në Gërdec. Shkak për këtë është bërë vlerësimi i dëmeve nga dy komisione të njëpasnjëshme, ku i dyti vlerësoi në shuma më të vogla dëmet e shpërthimit. Shuma në total që banorët duhet të kthejnë në shtet arrin në afro 14 milionë lekë të reja. Kthimi i parave ligjërohet nga vendime gjyqësore të Gjykatës së Tiranës, e cila i ka dhënë fund shqyrtimit gjyqësor të më shumë se gjysmës së padive të Bashkisë së Vorës kundër 43 kryefamiljarëve, banorë në zonat përreth ish-fabrikës së Gërdecit. Togat e zeza të gjykatës i kanë dhënë të drejtë Bashkisë Vorë në të paktën 25 padi, për të cilat ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor. Paditë në fjalë janë shqyrtuar në procese të veçuara nga njëri- tjetri gjatë muajve të fundit. Shumat të cilat banorët duhet t'i rikthejnë variojnë nga 9 mijë deri në 3 milionë lekë të reja. Referuar vendimeve gjyqësore, argumenti kryesor i përdorur nga ana e Bashkisë Vorë është fakti që vlerësimi i dytë i dëmeve për të paditurit ka rezultuar në një shumë më të ulët se vlerësimi i parë i tyre. "Në bazë të VKM nr 817 date 11.6.2008 rezulton se një numër qytetaresh kanë përfituar vlera monetare më të mëdha sesa dëmi i shkaktuar nga tragjedia e Gerdecit", citohej në vendimet e gjykatës. Po sipas vendimeve, në disa raste banorët kishim përfituar më shumë nga sa meritonin për shkak të gabimeve nga ana e Entit Kombëtar të Banesave gjatë përllogaritjeve të nxjerrjes së demit, si edhe për shkak të gabimeve në vendosjen e presjes në shifrat e dëmshpërblimit. Padia e Bashkisë Vorë, për 43 prej personave të dëmtuar nga shpërthimi i marsit 2008 në Gërdec, u depozitua në Gjykatën e Tiranës rreth një javë para se dosja "Gërdeci" të shkonte për gjykim në Gjykatën e Lartë në mars të vitit 2009. Sipas kërkesë-padisë, Bashkia Vorë i kërkonte gjykatës detyrimin e banorëve të paditur për kthimin e shumave të përfitura më tepër gjatë procesit të kompesimit të dëmeve materiale të shkaktuara nga shpërthimi në Gërdec. Fillimisht, në gjykatë mbërriti vetëm një kërkesë padi me të gjithë emrat e banorëve të paditur. Më pas ajo u "thërrmua" në padi të veçanta të cilat u shqyrtuan nga gjyqtarë të ndryshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›