E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi i parë me Fatosin, kur vdiq diktatori



Nuk e ka rrëfyer kurrë më parë historinë sesi Fatosi diti t’ia fitonte zemrën 25 vite të shkuara, apo thënë më saktë sesi e ndiqte ky i fundit këmba-këmbës në heshtje. As për ecejaket pa fund krah tij, për të vijuar me vendimet e rëndësishme. E vetmja gjë për të cilën ka treguar rrotullohet rreth grindjeve të para nga jeta në çift, ndaj një kërkesë e tillë e ngazëllen, për të nisur rrëfimin. Por edhe në këtë pikë nuk ngutet. Elmira Qerimi, artikulon ngadalë dhe me radhë episodet e njëpasnjëshme të dashurisë së saj, megjithëse ndjehet një droje e lehtë, që siç thotë edhe vetë ka mbetur nga ajo vajza e druajtur, por jo dhe aq kur bëhet fjalë për ndjenjat. Edhe pse ‘fajtori’ në këtë histori është klarinetisti i Cirkut, i cili prej disa muajsh e vëzhgonte që së largu ‘fije e për pe’ gjithçka që bënte studentja e vitit të tretë të Merceologjisë. Nuk guxonte t’i fliste e ndërkaq 21-vjeçares i kishte lënë përshtypjen e një njeriu të paqëndrueshëm, kur ai e “akuzoi” në mes të ditës, në sy të kalimtarëve, se nuk dinte të ecte. “Po kaloja te lulishtja e Parlamentit, kur dëgjoj një zë që mu hakërrye “ç’i përplas këmbët!” U mërzita sigurisht, por as nuk ia ktheva dhe aq më pak që lehtësova hapat. Madje në shenjë proteste as kokën nuk e ktheva!”, kujton Elmira. Sakaq, djaloshi pranë të tridhjetave jo vetëm nuk ishte mbrapsur nga indiferenca e brunes së bukur, por e kishte ndarë mendjen që do ta gjente mënyrën për t’i folur, por kësaj here la mënjanë provokimet, për të gjetur ‘strategjinë’ e duhur sesi të fliste me të. Kështu vijuan në heshtje të ndanin bulevardin “Zogu i parë”, një rrugë që sa i bashkonte çdo ditë, aq edhe i ndante. Megjithëse, një ditë ai e gjeti guximin për t’i kërkuar një takim. Por edhe kësaj here Elmira nuk kuptoi aspak nga synimet e Fatosit, edhe pse nuk i tha “jo” takimit pas një jave. Madje nuk e dinte as kush ishte e me se merrej, por përshtypja e parë i qe krijuar se punonte si mjek. “Fatosi mbante çdo ditë me vete një çantë të vogël, çka më kishte krijuar idenë se ishte mjek. Kur më tha emrin e kuptova se bëhej fjalë për klarinetistin e posterit...”. Nga ta dinte se ai quhej Fatos Qerimi, fiks ai emri në posterat pranë Fakultetit të saj. Njëherë u kishte thënë shoqeve se i pëlqente aq shumë ai emër, madje me shaka kishte shtuar se me të do të martohej. Ka pasur jo pak surpriza dhe zhgënjime nga njohja me Fatos Qerimin. Disa të këndshme, të tjera jo fort të këndshme! Si fillim takimi i parë zyrtar që përkoi në ditën që diktatori ndërroi jetë. Domosdo që ata dolën, përpos këmbënguljes së Elmirës, për mos të rënë në sy në një ditë zie kombëtare. Për Fatosin nuk mund të ishte asesi një ditë për të qarë. Fierakja e tij meritonte të gëzonte, pa e vrarë mendjen se çfarë ndodhte përreth tyre. Dhe ashtu bënë! Sapo kaluan, vjedhurazi sytë kureshtarë të Qytetit Studenti nxitoi ta rrokë për dore për mos t’ia lëshuar më. “Nuk mund të harrohet një ditë e tillë, një atmosferë e nderë, kur çdo gjë nuk pipëtinte dhe njerëzit të trishtuar ose shtireshin si të tillë. Fatosi nuk pranonte asnjë arsyetim. Do dalim sidoqoftë më tha, dhe që nga ai moment u bashkova me të në shëtitjen tonë që përshkruante pjesën më të madhe të bulevardit kryesor”, tregon Elmira takimin zyrtar mes tyre. Përpos ‘tersit’ të takimit të parë, që të dy e anashkaluan, në takimet e tjera çdo gjë shkonte vaj. Frekuentoni në restorantet, preferonin shëtitjet e gjata, në të cilat Fatosi i fliste për muzikën, kompozicionet që kishte bërë e deri tek planet e së ardhmes, edhe pse ajo nuk kuptonte aspak gjuhën të cilën ai fliste. Deri këtu nuk ishte ndonjë hall i madh, më e vështira ishte në takimet e radhës, kur ai e çoi në Teatrin e Operës dhe Baletit për të ndjekur një koncert, ndërsa asaj i dukej se nuk do të përfundonte kurrë. Fundja nuk ishte faji i saj, që muzika klasike ishte fjalë e panjohur në rrethin e saj familjar dhe atë shoqëror. Por edhe këto u hodhën pas krahëve, e rëndësishme ishte të rrinin bashkë, edhe pse nuk i shmangeshin largësisë përgjatë verës, ku Elmira kthehej në qytetin e saj të Lindjes, në Fier. Megjithatë kishin ditur ta gjenin mënyrën e komunikimit. “Flisnin në postë me thirrje që quheshin asokohe, aq shumë, sa dyshuan të shtëpisë, megjithëse nuk më ngacmonin. Përpos këtyre që tregova, dhe vështirësive më pas, ato kohë kanë qenë dhe mbeten të pashlyeshme. Kam përshtypjen se kjo ndodh me çiftet ku ka dashuri”, përfundon Elmira Qerimi, e cila prej disa vitesh jep mësim në Shkollën Teknologjike Ushqimore në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›