E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri ditë e vdekur në shtëpi, fqinjët e zbulojnë nga era e rëndë



TIRANE - Një 48-vjeçare, pasi u vetëhelmua, mbeti tri ditë e vdekur në banesë, derisa fqinjët lajmëruan policinë, nisur nga era e rëndë që ndjehej në korridorin e pallatit ku ajo banonte me të vëllanë. Gruaja e sëmurë mendore, është gjetur e dekompozuar nga policia dhe pranë saj qëndronte pa lëvizur i vëllai, 52 vjeç, edhe ai i sëmurë psikik. Policia e Tiranës vetëm mëngjesin e djeshëm mundi të zbulojë trupin e pajetë të Rakipe Dinajt, si dhe dërgoi në psikiatri vëllanë e saj, Agron Dinaj, i cili ka qenë i pranishëm që në momentin kur e motra ka ndërruar jetë pas konsumimit të fostoksinës. Por policia sqaroi se, për shkak të gjendjes së rënduar mendore, vëllai i viktimës ka qëndruar në apartament pranë motrës së vdekur, pa lëvizur për asnjë moment dhe pa qenë në gjendje për të lajmëruar policinë për atë që kishte ndodhur. Burime nga Komisariati numër një thanë se kanë arritur të futen në apartamentin e tyre, duke shkallmuar derën e jashtme dhe fillimisht duke dyshuar për një vrasje të mundshme. Mësohet se dëshmitari i vetëm i ngjarjes, Agron Dinaj, nuk ka pranuar të flasë me asnjë prej oficerëve të policisë, edhe pas këmbënguljes së tyre. Ndërsa pas dëshmive të fqinjëve të viktimës, policia ka mësuar se të dy, motër e vëlla, njiheshin në zonë si të sëmurë mendorë dhe jetonin vetëm në apartament që prej dy vitesh, kur iu kishte vdekur nëna. Burime nga grupi hetimor thanë se nga ekspertiza mjeko-ligjore që i është bërë viktimës, Rakipe Dinaj, rezultoi se përveç konsumimit të fosoksinës, gruaja dhe vëllai i saj kishin rreth një javë që s’kishin konsumuar asnjë lloj ushqimi, pasi nuk kishin para për të blerë. Policia sqaroi se në apartamentin e tyre u gjet edhe një shishe me një sasi fostoksine të lëngshme, me të cilën dyshohet se është vetëhelmuar 48-vjeçarja. et.de.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›