E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Vlorë: Njeriu kundër natyrës



Deti e natyra e bukur nuk del gjithnjë garant për të siguruar pushime të bukura. Rrugës, për të mbërritur deri te freskia e ujit, duhet të kalosh më parë ajrin e zbardhur nga pluhurat e rrugëve të hapura. Megjithatë, detit askush nuk mundet t’i rezistojë...

Krejt si në vitet e mëparshëm! E shumta, është shtuar edhe gjysmë orë tjetër pritjeje, a më shumë, në rrugë për të shkuar në destinacion. Sidoqoftë, është shumë më mirë nga ankthi i ditëve të fundit të majit, kur në çdo cep të qytetit, rrugët, ndërtesat e njerëzit, zbardhonin nga pluhuri i rrugëve të hapura. Gjendjet e rrugëve të bënin të mos mendoje më për rikthim të dytë, edhe pse, kishe numëruar ditët deri sa ajo kohë të vinte. Kjo ishte Vlora e fare pak kohëve më parë. Ajo që të gjithë synonin, por që po i afroheshin gjithmonë e më pak. është fjala vetëm për turistët, pa menduar gjithë peripecitë e qytetarëve që banojnë përditë në të. Kjo pamje disi ka ndryshuar, edhe pse është vetëm një mbulesë thuajse transparente që nuk dihet nëse do rezistojë deri në fund të verës. Tani për tani, ditët e javës janë të përballueshme deri diku. Mëngjeset janë më të lehta për t’u përshkuar, edhe kthimi nga plazhi sado i vonshëm të jetë. Ama, nëse për një rast a një tjetër, do duash të dalësh për së dyti herë në mbrëmje, më mirë mos u mundo. Ska gjë nëse e ke konfirmuar prezencën tënde në mbrëmjen e rradhës me miqtë apo dasmën e të afërmit tënd. As mos e mendo ta përçash masën kompakte të makinave. Në mos, në nisje, bëji llogaritë deri më një me karburantin, bëj disa ushtrime me durimin, dhe merr rrugën....

Edhe pse çlirimi nga tmerri i rrugëve të tejpopulluara është më i rëndësishmi, le të mos mbetemi vetëm atje, të mos mbetemi vetëm te gjendja e rrugëve që për shumë e shumë vite të tjera, me gjasë, nuk ka për të ndryshuar. Sepse Vlora, deti, të fal gjithsesi emocione të tjera, aq të forta sa vapën e trafikun e rrugës nga ke ardhur, e rikujton vetëm kur vjen koha e nisjes.
Sinjali i parë i mbërritjes në Vlorë nis me shfaqen e ullinjve rrugës që gjarpëron. Mes tyre, duket panorama e parë e qytetit ku bëhen bashkë të gjithë elementët e tij në një vijë të harkuar. Deti, mali, qyteti...nga kjo pamje e parë, merr rrugën për të hyrë brenda tij.

Afër Detit
Në bregdetin e Vlorës funksionojnë dy plazhe publike si dhe dhjetra plazhe të tjerë më të vegjël, që administrohen nga subjekte private. Plazhet publike kanë një kapacitet prej rreth 30 mijë personash dhe në stinën e verës janë tepër të frekuentuara nga qytetarët vendas dhe pushues nga rrethe të tjera të vendit”. Ndërsa plazhet e administruar nga subjektet private, shtrihen nga bregdeti në afërsi të Akademisë së Marinës, deri tek vendi i emërtuar “Kalaja”, që përkon me territorin e administruar nga bashkia e Vlorës. Kushtet dhe komoditeti në këto mjedise është më i lartë. Nuk mund të mos ëprmendet ndarja e detit Jon me atë Adriatik që bëhet në zonën e quajtur ‘Plazhi i Ri’. Nuk është lajm për askënd që pjesa më e populluar dhe e synuar nga të gjithë kalon përtej kufirit të Adriatikut. Kthinat e gjiret e vegjël ofrojnë përherë më shumë larmi plazheve duke qenë që janë duke u shtuar gjithnjë e më shumë.

Zvërneci dhe laguna e Nartës
Dita kalohet këndshëm duke e zbuluar Vlorën dhe rrethinat e saj: përmes pyllit të pishës nga veriu i qytetit dhe gjatë një gadishulli ranor të fshatit të vjetër turistik të Zvërnecit. Rreth 13 km larg qytetit - me një pozicion mjaft të bukur në majë të një kodre - Zvërnecit i shtrihet përballë një tablo tepër relaksuese: laguna e Nartës dhe një hapësirë deti pak a shumë e gjerë, e mbyllur dhe e rrethuar nga duna rëre. Pasi arrin qendrën e fshatit, ngjitesh në kodrën për rreth 200 m; prej andej duken pamjet më të bukura të bregut të Adriatikut: poshtë kodrës përmes ullinjve të shpërndarë deri te gadishulli i vogël, i lidhur me tokën me anë të një delte të vjetër, që përfundon në tri kodra mjaft të vogla, por tërheqëse, të cilat e rrethojnë në gjerësi lagunën. Brenda lagunës ka dy ishuj, më i madhi i pyllëzuar me qiparisa rreth 800 m me 100 m; ndërsa ishulli më i vogël ndodhet në veri, rreth 150 m me 100 m. Nga ana veriore e lagunës një bisht i gjatë dhe i hollë toke ranore del në detin e hapur me dy ishuj të vegjël 150 m brenda në det, kurse përtej vijnë kodrat binjake të ishullit të Sazanit. Kjo tablo ka ngecur e tillë për qindra vjet, ndaj edhe të krijon përshtypje të veçanta, sidomos pamja e masës së errët të gadishullit të Karaburunit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›