E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci” mbetet në Gjykatën e Lartë, fotokopja vonon dosjen

 

TIRANE – Fotokopja vonon dosjen “Gërdeci”, aktet hetimore për tragjedinë rrezikojnë të mbeten në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit mësohet se është ende duke fotokopjuar fletët e dosjes që do t’i dërgohen Gjykatës së Tiranës, e cila ende nuk ka arritur të marrë në administrim provat, pas ndarjes së të pandehurve më 22 maj 2009. Në këtë datë, Gjykata e Lartë vendosi ndarjen e çështjes, duke u shprehur se Kolegji Penal do të gjykojë vetëm ish-ministrin Fatmir Mediu, ndërsa 28 të pandehurit e tjerë do të gjykohen në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Kjo e fundit për të nisur gjykimin e çështjes duhet, së pari, të marrë në dorëzim materialet e dosjes, të cilat kanë mbetur në Gjykatën e Lartë. Prej ditës kur u shpall vendimi për veçimin e çështjes së Mediut, më 22 maj 2009, Gjykata e Lartë ka nisur fotokopjimin e materialeve që do të dërgohen në Gjykatën e Tiranës, megjithatë procesi ende nuk ka përfunduar. Nga momenti i shpalljes së vendimit për ndarjen e çështjes në Gjykatën e Lartë, kanë kaluar më shumë se dy javë, ndërsa mësohet se shumëfishimi i materialeve të dosjes ende nuk ka përfunduar. Ky fakt duket se po mban peng nisjen e procesit në Gjykatën e Tiranës për 28 të pandehurit e tjerë të tragjedisë. Veç vonesave që vijnë nga vështirësitë në fotokopjimin e akteve të dosjes, procesi pritet të ketë zvarritje, edhe pasi dosja të dorëzohet në Gjykatën e Tiranës. Për disa ditë duhet që materiali voluminoz të administrohet në sekretari dhe më pas çështja i nënshtrohet procedurës së shortit elektronik për caktimin e trupës gjykuese. Pengesat në administrimin e dosjes “Gërdeci” vijnë për shkak të volumit të madh të akteve që numërojnë më shumë se 40 fashikuj që mbajnë rreth 80 mijë faqe. Dosja voluminoze përmban katër akte-ekspertimi në lidhje me aspekte të ndryshme të tragjedisë si dhe deklarimet e më shumë se 400 personave të pyetur si dëshmitarë nga prokuroria gjatë hetimeve paraprake. Në dosje ndodhen po ashtu qindra dokumente të marra në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërmarrjes MEICO, në Shtabin e Përgjithshëm dhe në zyrat e reparteve ushtarake të lidhura me ngjarjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›