E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do transformoj fshatin

 

Kryetari i PS-së, Edi Rama shpalosi mbrëmë programin e kësaj force politike nëse ajo do të vijë në pushtet më 28 Qershor. Gjatë një interviste në Top Channel në emisionin “Top Story”, kreu i socialistëve përmendi shtatë pikat e programit të tij duke vënë theksin pikërisht te rikthimi i vëmendjes te fshati. Politika e re për prodhimin vendas, politika e re për fshatin, politika e re për arsimin, për shëndetësinë, për mjedisin, për turizmin, për kohezionin social dhe territorial do të jenë sipas Ramës shtyllat e programit të PS-së.
Shikoni ju përgjegjësi tek ekipi juaj që ka negociuar Kodin Zgjedhor për mosgjetje të formulës që parashikonte çfarëdolloj eventualiteti si dhe ky, dështimi i pajisjes me letërnjoftimet e reja?
Ky është një dështim i kësaj qeverie dhe një përgjegjësi direkte e Berishës. Për herë të parë në historinë e demokracisë së re qeveria ka pasur të gjithë kohën e nevojshme përpara sepse për herë të parë, falë opozitës sonë të re në mendësi dhe qasje i është dhënë kohë përgatitjes zgjedhore më shumë se kurdoherë tjetër. Në zgjedhjet e fundit ishte minuta e fundit e mëngjesit të fundit e ditës së fundit që vendosi rregullat e lojës. Kësaj radhe kanë qenë 9 muaj në dispozicion të qeverisë dhe Kryeministrit. Nëse Qeveria dhe Kryeministri jo vetëm janë të paaftë dhe të papërgjegjshëm por dhe janë të prirur të deformojnë procesin, duke bërë politika selektive për të zmbrapsur zgjedhësit kundërshtarë me ata, kjo është një përgjegjësi që kryeministri s’ka me kë e ndan.
Deri në ç’pikë do shkoni dhe ju më dhe më pas të thoni procesi s’do mbahet?
Ne për asnjë çast nuk kemi lënë të kuptohet që kërkojmë si një rrugë të mundshme shtyrjen e zgjedhjeve. Ne kemi thënë që procesi i administrimit dhe përgatitjes së zgjedhjeve kërkonte një plan të qartë.
Cila është oferta e PS për një qeveri nesër?
Varfëria më e madhe që pjell të gjitha varfëritë e tjera është varfëria e aspiratave. Kush është bilanci i kësaj qeverie? Bilanci i kësaj qeverie përmblidhet në disa pika. Kanë luftuar korrupsionin? Jo. Ka ndryshuar vetëm drejtimi i kanaleve të korrupsionit, i cili është spostuar nga një klientelë pushteti te klientela e një pushteti tjetër dhe është përqendruar në duart e një familje që e ka kthyer qeverisjen në një biznes të drejtpërdrejtë familjar. Është e vërtetë që Shqipëria është anëtare e NATO-s. Është e papranueshme që hyrja në NATO të jetë sinonim i kësaj qeverie.
Kur do ta vizitoni rrugën Durrës- Kukës?
Do ta vizitoj rrugën kur ne ta inaugurojmë atë në formën e vet përfundimtare dhe jo copa-copa siç po bëhet sot thjesht dhe vetëm për të marrë përfitime elektorale.
Kush do jenë burimet kryesore të të ardhurave dhe si këto të ardhura do të garantojnë realizimin e gjithë këtyre premtimeve elektorale?
Ndryshimi që do të sjellim do të bazohet në transformimin rrënjësor të burimeve qeverisëse. Ne sot jemi pa shtet. Shqipëria sot ka qeveri, por nuk ka shtet. PS i kërkoi kësaj qeverie të mos e mbyllte programin me FMN sepse horizonti nuk ishte aspak i qartë dhe mbi të gjitha ekonomia dhe arka e shtetit shqiptar e ka të domosdoshme të jetë nën monitorimin mbi bashkëpunimin me FMN-në. Ne do ta rihapim programin me FMN-në. Nëse nuk do ishte mbyllur programi sot, qeveria do kish përfituar drejtpërdrejt siç kanë përfituar qeveri të tjera dhe do ta kishte të gatshme të gjitha valvulat për të përballuar krizën ekonomike që ka filluar të shfaqet në Shqipëri, që Berisha e mohon. Ne jemi të vetëdijshëm për krizën dhe jemi të gatshëm ta përballojmë, qoftë me një paketë antikrizë që e kemi gati, qoftë edhe me bashkëpunimin e ngushtë me FMN. Është ndryshuar mbi 30 herë legjislacioni fiskal, duke krijuar një amulli të vazhdueshme, vetëm e vetëm për të zhvatur sipërmarrjen dhe për të mbushur arkën e shtetit. Janë vendosur çmime e paga reference të papranueshme për politikën tonë të re. Ne nuk do të ndryshojmë sistemin aktual fiskal, nuk do të rrisim taksat. Do të bëjmë të qëndrueshëm sistemin e administrimit dhe legjislacionit fiskal.
Kush është profili i ekonomisë shqiptare në katër vitet që vijnë? Rritja ekonomike që do garantojë zhvillimin e qëndrueshëm, nga do i ketë burimet kryesore?
Nëse Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike që ka qenë konstante në vite, kjo ka ardhur si rezultat i një sërë faktorësh që janë të lidhur me reformat e liberalizimit të çmimeve, kursit të këmbimit, privatizimet. Struktura e ekonomisë shqiptare, e PBB-së është në një formë që s’ka lidhje me strukturën e një vendi të BE. Te rritja ekonomike do të shtoja edhe ndikimin e ndërtimit. Çdo ndërtim që bëhet në Shqipëri, edhe ato në zonat informale e në plazh, janë pjesë e këtij procesi të rritjes ekonomike. Sot ne kemi 58% të forcës së punës në fshat, ndërkohë që në BE kjo është rreth 5%. Kjo s’do të thotë që fshati është i lënë pas dore në BE, por sepse struktura e zhvillimit është e orientuar nga shërbimet dhe industria, ndërkohë që pjesa e bujqësisë dhe ushqimit është kaq e zhvilluar dhe intensive sa me një pjesëmarrje shumë të vogël në prodhimin e brendshëm garanton nevojat. Ne do të ristrukturojmë ekonominë shqiptare, duke vepruar në të shtatë drejtimet, duke rritur vëmendjen tek industria. Por pa transformimin dhe vënien në një rrugë të re të fshatit, ne nuk kemi asnjë shans të dalim nga situata ku ndodhemi.
Pse mendoni se është e nevojshme një ministri për fshatin?
Sepse duhet të ristrukturojmë ekonominë dhe sepse duhet të kalojmë nga rritja ekonomike varfëruese, për një pjesë të madhe të njerëzve në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm që garanton akses të barabartë për të gjithë në shërbime dhe mundësi të barabarta për punësim. Sot fshati është një zë shumë i vakët dhe shumë i zbehtë në buxhetin e shtetit që quhet bujqësi. Të gjitha ato degë të tjera që shkojnë drejt fshatit, që janë p.sh. investimet në rrugët rurale apo në arsim e shëndetësi, janë grimca e çika të shpërndara në një numër të tërë ministrish dhe në themel të mendësisë qeverisëse të këtyre 18 viteve, që është karakteristikë e politikës së vjetër për fshatin qëndron një ndarje e madhe mes qytetit dhe fshatit dhe një kthim i kurrizit nga fshati për të parë vetëm nga qyteti. Ajo që do të bëjë ministria e zhvillimit rural do të jetë përqendrimi i të gjitha fondeve publike në një dorë dhe vënia e tyre në dispozicion të një plani të përgjithshëm të transformimit të fshatit, nga një hapësirë e kthyer në mesjetë, në një hapësirë zhvillimi që do të thotë se për ne në fshat jetojnë qytetarë të barabartë që nuk meritojnë vetëm atë lëmoshën e buxhetit për bujqësinë. Ministria e zhvillimit rural do të jetë një superministri, e cila do planifikojë dhe shpërndajë të gjitha burimet e financimit në bazë të një vizioni të ri dhe të një programi integral për fshatin. Ne do bëjmë përmirësimin e legjislacionit për tokën, do bëjmë regjistrimin e tokës në zonat kadastrale, do të ndërmarrim një reformë institucionale për krijimin e sistemit të administrimit të tokës dhe do të kemi kodin e tokës. Sot kemi fragmentimin më të madh të tokës bujqësore.

Ish ushtarakët
Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ushtarakët, kreu i PS-së premtoi se do ta zbatojë atë vendim sapo të vijë në pushtet. “Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për ushtarakët në rezervë që nuk zbatohet sepse Berisha nuk është Kryeministër i një vendi evropian por sillet si një sulltan që zbaton ato ligje që ka qejf dhe nuk zbaton ato që nuk ka qejf. Ne do të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

“Do të përfundoj legalizimet”
Kreu i socialistëve premtoi mbrëmë mbylljen e procesit të legalizimeve sapo të vij në pushtet. “Unë fola për një komitet shtetëror për zhvillimin e rrethinave, i cili do ta nisë punën nga mbyllja e procesit të legalizimeve. Nuk ka më asnjë diskutim dhe mbi të gjitha asnjë i ardhur që ka ndërrtuar shtëpinë në këto zona nuk duhet të mendojë se e ardhmja e shtëpisë së tij varet nga Sali Berisha apo nga Edi Rama sepse ajo shtëpi e ka fituar statusin e vet”, theksoi Rama. Sipas tij “ajo që duhet të bëjë qeveria është t’u japë jo vetëm dokumentin e pronësisë mbi shtëpinë, por edhe standardet e jetës, sepse në ato lagje pa kanalizime, e shërbime po rriten fëmijë që nesër do të jenë të rinj jo të gatshëm për të qenë pjesë e Shqipërisë evropiane”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›