Remziu s‘është në arkivin e SHIK
Armand Bajrami
Emri i biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha i zhdukur në vitin 1995 në Tiranë, nuk ekzistonte në arkivat e Shërbimit Informativ Kombëtar para dhe pas ngjarjes. Një konfirmim i tillë u bë me dije dje në Gjykatën për Krimet e Rënda në seancën gjyqësore në ngarkim të ish-zyrtarëve të SHIK-ut, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe të akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Sipas dëshmitarit Ahmet Koka, ish-drejtor në Drejtorinë e Arkivit të SHIK-ut, gjatë qëndrimit të tij në këtë detyrë nga viti 1992 deri në 1997 nuk janë arkivuar materiale në emrin e Remzi Hoxhës. I njëjti fakt u pohua nga dëshmitari në fjalë edhe për Avdyl Loshajn dhe Ziso Kristopulin, dy personazhe të tjerë të rrëmbyer nga SHIK-u në vitin 1995 bashkë me Remzi Hoxhën. Në seancën e djeshme u dëgjuan edhe dëshmitë e katër personave të tjerë, të gjithë ish-punonjës të shërbimit sekret. Në dëshmitë e tyre, ata mohuan të kishin dijeni mbi rrëmbimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, apo për dy të tjerët Loshaj dhe Kristopuli. Sipas dëshmitarëve, me ngjarjen e rrëmbimit të tyre ata ishin njohur vetëm nga mediat dhe nuk kishin dijeni të drejtpërdrejta.
DESHMITE
Njëri pas tjetrit pesë dëshmitarët e thirrur në gjyq u paraqitën dje përpara togave të zeza të Krimeve të Rënda. Në një seancë ku përgjigjja që u shqiptua më tepër ishte “nuk kam dijeni”, dëshmitarët Kadri Rrapi, Ilirjan Dema, Ahmet Koka, Enver Misha dhe Aleks Hasani iu përgjigjën pyetjeve të prokurorisë dhe të gjykatës. Avokatët e të pandehurve nuk preferuan t’u drejtonin pyetje dëshmitarëve. “Ne merreshim me punën arkivore. Çdo material që arkivohej ishte e përcaktuar në rregullore”, tha para gjykatës ish-drejtori i Drejtorisë së Arkivës në vitet ‘92-‘97, Ahmet Koka. Sipas tij, rregullorja përcaktonte qartë nëse materialet do t’i nënshtroheshin ruajtjes 5 apo 10-vjeçare, apo ruajtjes së përhershme. “Arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit e mbanim ne, tha Koka, ndërsa materialet e punës operative jo”. Ish-kreu i arkivës sekrete mohoi të kishte arkivuar materiale në SHIK në ngarkim të Remzi Hoxhës, Loshajt apo Kristopulit. “Nuk kam arkivuar materiale për Remzi Hoxhën. Nuk kam arkivuar materiale për Avdul Loshajn. Nuk kam arkivuar materiale për Ziso Kristopulin”, iu përgjigj dëshmitari pyetjeve të përsëritura të prokurorisë. Dëshmitari tjetër Aleks Hasani, ish-kreu i degës së SHIK-ut Lezhë në vitet 1992-1997, tregoi se ishte në dijeni të vilës sekrete në Vain të Lezhës, ku është mbajtur Remzi Hoxha. Hasani tregoi se kishte qenë disa herë në Vain, aty ku sipas prokurorisë Remzi Hoxha është torturuar dhe zhdukur. “Në atë kohë vila ka qenë duke u rikonstruktuar. Kam qenë disa herë aty si pushues në vijën bregdetare të territorit të bazës”, tha Hasani. Ndërsa të gjithë dëshmitarët mohuan që gjatë funksionit të tyre si punonjës të shërbimit të kishin dijeni për Remzi Hoxhën, Avdyl Loshajn e Ziso Kristopulin. Në përfundim të dëshmive, gjykata lexoi emrat e dëshmitarëve që do të thirren në seancën e ardhshme, katër prej të cilëve do të sillen në gjykatë me forcë nga policia. Ngjarja për të cilën akuzohen 4 ish-agjentët e SHIK-ut ndodhi më 21 tetor 1995. Ish-shikasit akuzohen për rrëmbimin dhe torturimin në Vain të Lezhës të Avdyl Loshajt, Ziso Kristopulit dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës.