E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentja në bandën "Debatik"

 

Një studente shqiptare në Greqi do të gjykohet nga Krimet e Rënda në Tiranë me akuzën se ka trafikuar heroinë për llogari të anëtarëve të grupit kriminal të koduar me emrin "Debatik". Neada Kota, 19 vjeçe, është dërguar në gjyq nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me akuzën "trafikim i narkotikëve". Sipas burimeve nga hetimi, studentja shqiptare është arrestuar më 9 dhjetor 2008 në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku po tentonte kalimin drejt Greqisë me 700 gramë heroinë të fshehura në trup. Atë ditë policia arrestoi edhe dy persona të tjerë, Artiol Sula, të cilit iu gjetën 2 kilogramë kokainë dhe Asqeri Bebri, 40 vjeç, i dyshuar për pjesëmarrje në trafik. Sasia e drogës është bllokuar në autobusin e linjës Tiranë-Selanik, pas një kontrolli të befasishëm të ushtruar nga policia shqiptare. Bazuar në të dhënat e marra në rrugë operative, agjentët e policisë kanë ushtruar kontroll fizik tek udhëtarët Artiol Sula dhe Neada Kota. Ata ishin ulur në vende të ndryshme në autobus, por kontrolli i policisë zbuloi 2 kilogramë kokainë dhe 700 gramë heroinë. Dy pasagjerët e autobusit që po nisej drejt Greqisë, u zbritën menjëherë nga mjeti dhe u shoqëruan në policinë e Korçës. Të arrestuarit mohuan njohjen mes tyre, megjithatë përgjimet telefonike bënin fjalë për bashkëpunim mes dy pasagjerëve të autobusit. Ata qëllimisht dyshohet se ishin ulur të ndarë, në mënyrë që të mos zbuloheshin lehtë nga policia. Shërbimet e Antidrogës, po atë ditë, arrestuan edhe Asqeri Bebrin, të cilit iu bllokua automjeti i tij tip "Benz" me targë KO 4654 B dhe një sasi e konsiderueshme parash. Në dosjen e dërguar për gjykim nga Krimet e Rënda figuron vetëm e dyshuara Neada Kota, 19 vjeçe, studente në Universitetin "Aristoteli" në Selanik të Greqisë. I arrestuari tjetër Artiol Sula, i cili nuk rezulton të jetë çuar në gjyq, ishte edhe ai emigrant në Greqi prej disa vitesh. Sipas hetimeve të prokurorisë, mësohet se destinacioni i lëndës narkotike ka qenë Selaniku i Greqisë. Droga besohet se është dorëzuar tek mbajtësit e saj nga 40-vjeçari Bebri, i cili është paguar për lëndën narkotike me sasinë e parave që i kishte ende në makinë në momentin kur ra në prangat e policisë. Hetimet e prokurorisë sugjerojnë se lënda narkotike ishte porositur nga një rrjet i fuqishëm i trafikut të drogës në Greqi, i cili do të shpërndante heroinën dhe kokainën në Selanik pasi ta merrte në dorëzim atë.   tr.so

Dosja nga Korça te Krimet e Rënda
Kjo linjë e trafikut të drogave të forta nga Shqipëria në drejtim të Greqisë është hetuar fillimisht nga policia dhe prokuroria e Korçës, të cilat më pas ia kanë kaluar dosjen Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për kompetencë lëndore. Dosja e koduar me emrin "Debatik" u hetua për disa muaj dhe tashmë pritet të fillojë procesi ndaj studentes, e cila ndërpreu shkollën pas arrestimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›