Presidenti, pritje private për Ivanov
ADI SHKEMBI
Pas incidenteve të fundit mes Maqedonisë dhe Kosovës lidhur me ftesën për Presidentin Sejdiu në ceremoninë e kreut të ri të shtetit fqinj, Tirana zyrtare deklaron se Prishtina duhet të jetë pjesë e tryezave rajonale. Qëndrimin e rikonfirmoi dje Presidenti Bamir Topi gjatë një takimi të mbajtur në hotel “Adriatik” në Durrës me homologun e tij maqedonas, Gjorgje Ivanov. Pas mungesës së një ftesë zyrtare pëër Presidentit Sejdiu në inaugurimin e Ivanovit si Presidnt i Maqedonisë, Topi duket se ka zgjedhur të njëjtën rrugë me homologun e tij maqedonas duke mos preferuar një pritje zyrtare për të në Pallatin e Brigadave, por një pritje private në një nga hotelet e plazhit të Durrësit. Sipas një njoftimi për shtyp të zyrës së informacionit të kreut të shtetit shqiptar, Topi ka bërë të ditur në këtë takim se pjesëmarrja e Kosovës në këto tryeza do t’i shërbente rritjes së bashkëpunimit në rajonin tonë. “Presidenti Topi theksoi nevojën e përfshirjes së Kosovës në tryeza, forume dhe projekte të përbashkëta rajonale duke qenë se kjo do t’i shërbente rritjes së mëtejshme të frymës së bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor me synim integrimin e përbashkët në strukturat euro-atlantike dhe familjen e madhe evropiane”, thuhet në njoftimin për shtyp lidhur me këtë takim. Por në njoftim nuk bëhet e ditur se cili ishte qëndrimi i Presidentit Ivanov lidhur me këtë çështje. Gjatë takimit Presidenti Topi nënvizoi klimën e mirë të bashkëpunimit politik e ekonomik si dhe situatën e re gjeo-politike në rajon, e cila është përmirësuar sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe futjes në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë. Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi faktin se tashmë Republika e Kosovës po konfirmohet me shumë sukses si një shtet i pavarur, demokratik e shumetnik dhe se mbështetja e vendeve fqinjë duhet të marrë karakterin e partneritetit reciprok, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë diplomatik e politik në interes të sigurisë e zhvillimit afatgjatë të rajonit tonë. Maqedonia nuk ftoi Presidentin Fatmir Sejdiu në ceremoninë zyrtare të inaugurimit të Presidentit të ri, Gjorgje Ivanov. Sipas mediave, rajonale mungesa e një ftese për kreun e shtetit më të ri, vjen për faktin se në këtë ceremoni do të ishte edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Nga ana tjetër Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e refuzoi ftesën e Presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov për një vizitë në vendin fqinj, pasi u sigurua se Shkupi nuk do ta presë me ceremoni zyrtare, siç ndodh zakonisht me kreun e çdo shteti. Presidenca e Kosovës njoftoi më pas se, meqenëse pala maqedonase e ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare, presidenti Sejdiu nuk do ta zhvillojë vizitën e planifikuar. Tashmë marrëdhëniet me Maqedoninë dhe Kosovën mbeten pezull.
Topi e Ivanov në Cetinjë
Takimi mes Topit e Ivanov u zhvillua me kërkesë të Presidentit maqedonas, i cili po kalon transit në vendin tonë për të marrë pjesë në Forumin Rajonal për Korridoret Kulturorë në Evropën Juglindore “Administrimi i Shumëllojshmërisë Kulturore dhe Promovimi për Qëllime Turistike”, që do të zhvillohet sot në Cetinjë të Malit të Zi.
Basha takon ambasadoren e re të Britanisë së Madhe
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha u takua dje me ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, znj. Fiona Mekiluam, me rastin e marrjes së detyrës. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të ministrisë “Basha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona, si dhe falenderoi ambasadoren Mekiluan për mbështetjen e çmuar që Britania i ka dhënë Shqipërisë në proceset e anëtarësimit në NATO dhe atë të integrimit evropian”. Me tej, ai bëri një ekspoze të reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në fusha të tilla si ato ekonomike, në fushën e drejtësisë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit etj, si dhe çmoi bashkëpunimin me Britaninë e Madhe si shumë të rëndësishëm.