Raporti i BSH: Kriza po i largon investitorët e huaj nga vendi
Ervin KOÇI
Investimet e huaja direkte shënuan rezultatet më të ulëta dhe përkeqësimin më të madh gjatë vitit të kaluar, rekordi i të cilave u shënua pikwrisht në muajin dhjetor. Këto janë të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë, që tregojnë se në dhjetor 2009, në vendin tonë hynë 1.94 milionë euro në formë investimesh direkte të huaja dhe dolën 2.24 milionë euro, me një bilanc neto prej minus 0.3 milionë. Gjatë dy viteve të fundit, në vendin tonë kanë hyrë mesatarisht 55 milionë euro investime të huaja, ndërsa kanë dalë rreth 2 milionë euro në muaj. Deficiti tek investimet e huaja direkte është shkaktuar nga mungesa e interesimit të të huajve për ekonominë tonë, si dhe nga largimi i fitimeve që kompanitë e huaja kanë realizuar në vitet paraardhëse. Gjatë vitit të kaluar, në vendin tonë hynë 664 milionë euro në formën e investimeve, me rritje 7 për qind kundrejt një viti më parë, kur erdhën 620 milionë euro. Por, një pjesë e rëndësishme e këtyre investimeve erdhën nga shitja e aseteve publike, si paketa e fundit e aksioneve të qeverisë tek AMC-ja apo privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.
Investimet e huaja
Investimet e huaja kanë ardhur në rritje në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2004 ato ishin vetëm 267 milionë euro. Shumica dërrmuese e investimeve erdhi nga shitja e kompanive publike, si dhe nga kreditë që disa banka i morën në tregjet ndërkombëtare për t’ia transferuar biznesit dhe familjeve shqiptare. Por duke marrë parasysh se 20-40 për qind e investimeve të huaja që kanë ardhur në Shqipëri, kanë shkuar për blerje ndërmarrjesh publike, shanset që rritja të vijojë edhe për vitin 2010 janë shumë të pakta. Me përjashtim të “Albpetrolit”, asnjë kompani tjetër e madhe nuk ka mbetur më në duart e shtetit, pra nuk ka çfarë të privatizohet. Por megjithëse investimet e huaja janë të rëndësishme për thithjen e kapitalit dhe teknologjisë së re, ato në fund të fundit klasifikohen si borxhe të një vendi kundrejt botës, borxhe që herët a vonë do të shlyhen. Ajo çfarë ndodhi gjatë viteve 2008- ‘09, qe pikërisht kjo. Fitimet e realizuara nga investimet e huaja që erdhën në fillim të viteve 2000, u transferuan në masë në vendet e origjinës në formë dividenti (fitimi).
Transferimi i fitimeve
Transferimi i fitimeve nga Shqipëria duket se është trefishuar në vitin 2008 në krahasim me vitin 2007, ndërkohë që vijoi të rritet edhe gjatë vitit të shkuar, kur ekonomia botërore dhe ajo shqiptare ishin në krizë. Kompanitë e huaja që kanë kryer investime në Shqipëri, transferuan gjatë periudhës janar-shtator të vitit të kaluar 234 milionë euro fitime, me një rritje prej 35 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2008, duke sjellë edhe thellim të deficitit të bilancit të pagesave të vendit dhe presion nënçmues mbi monedhën kombëtare. Nuk ka ndonjë rrugë shumë efikase të ndalimit të kësaj hemorragjie financiare. Disa vende në Afrikë kanë tentuar herë pas here të ndalojnë me ligj transferimin e fitimeve, por kjo është një praktikë shumë negative.
Importet, në shkurt erdhën 28 milionë euro mallra më pak në dogana
Shqipëria importoi 230 milionë euro mallra gjatë muajit shkurt, niveli më i ulët i shënuar që nga viti 2007, bëhet e ditur nga statistikat e tregtisë së jashtme që u publikuan dje nga Banka e Shqipërisë. Në shkurt 2009 qenë importuar 258 milionë euro mallra, ndërsa në shkurt 2008 qenë importuar 266 milionë euro. Rënia e importeve ka filluar që nga viti i kaluar, por ritmi i rënies duket se po rritet. Për muajt janar dhe shkurt të këtij viti, u importuan gjithsej 446 milionë euro mallra me rënie 7 për qind në krahasim me vitin 2009 dhe rënie 14 për qind në krahasim me vitin 2008. Rënia e importeve pasqyron nivelin e kërkesës së brendshme në ekonominë shqiptare dhe konsiderohet si shenjë e varfërimit të përgjithshëm të popullatës. Por nga ana tjetër, rënia e importeve në rastin e Shqipërisë paralajmëron edhe për krizë në financat publike, pasi qeveria shqiptare siguron 70 për qind të të ardhurave të veta nga tatimi i mallrave të importuara. Qeveria i ka varur shpresat te përmirësimi i ekonomisë dhe rritja e importeve për të siguruar të ardhurat e nevojshme për të mbuluar shpenzimet e veta të domosdoshme si paga, pensione e interesa borxhi. Të dhëna të pjesshme tregojnë se të ardhurat e qeverisë si në tatime ashtu edhe në dogana, kanë pësuar rënie apo janë në të njëjtin nivel me një vit më parë. Qeveria ka planifikuar shpenzimet e veta bazuar në skenarin e rritjes së të ardhurave tatimore. Në këto kushte, e vetmja mënyrë për mbulimin e shpenzimeve të qeverisë, është rritja e mëtejshme e borxhit publik, i cili sakaq është shumë i lartë.
27 Mars 2010