Ina Rama, prokurorëve: Kujdes kur kërkoni arrestime
Prokurori me shumë probleme, ky ka qenë vlerësimi që kryeprokurorja Ina Rama ka dhënë për organin e akuzës së Sarandës, në analizën vjetore për 2008-n. Në fjalën e saj, kreu i akuzës ka lëshuar kritika të shumta për prokurorët e Prokurorisë së Sarandës dhe mes të tjerash u ka kërkuar zbardhjen e krimeve të vjetra, dosje që janë mbartur ndër vite në këtë prokurori. Në analizën e bërë prej saj ka rezultuar se kjo prokurori ka pasur mjaft elemente të diskutueshme, ku mes të tjerash ka qenë masat disiplinore për tre prokurorë, nga të cilët një gjendet në procedurë ndëshkimi, si dhe numri i lartë i çështjeve të mbartura, e sidomos ato të pushuara, kanë qenë ndër argumentet e tjera që ka prezantuar Rama gjatë analizës së zhvilluar dje. Ndërkohë, prokurori i rrethit, Alfred Agolli, në parashtrimin e punës së organit që ai kryeson, nuk ka anashkaluar realitetin e zgjatjes së hetimeve dhe zvarritjeve. Në mënyrë të veçantë ai është ndalur në arsyetimin e çështjeve që janë pushuar. Për Ramën ka qenë shumë shqetësues fakti se ka një numër të madh të dosjeve që janë të mbartura, por sidomos të atyre që janë pushuar. Sipas saj, ka një tendencë të prokurorëve për të dhënë masa "arrest në burg" dhe më pas ka rezultuar se qytetarët kanë qenë të pafajshëm. Ajo i ka konsideruar si "mani" kërkesat e shumta dhe në çdo rast për dhënien e masës "arrest në burg". Ajo ka kërkuar që prokurorët të vlerësojnë maksimalisht kërkesën për të ndaluar shtetasit. Ndërkohë, kryeprokurorja, i ka konsideruar si mjaft të rëndë 5 rastet kur pavarësisht se kanë munguar elementet e veprës penale, akuza ka kërkuar masën e "arrestit në burg", ndërkohë që nuk ka qenë e nevojshme që të merret ndonjë lloj mase sigurie. Lidhur ngushtë me këtë praktikë të keqe, numri një i akuzës shqiptare ka kërkuar që prokurorët të jenë profesionalë në punën e tyre e ta tregojnë këtë duke e thelluar hetimin dhe kapërcyer pretendimet jashtë kornizave ligjore.
Të premten, Rama ka qenë në Korçë ku ka kërkuar të njëjtën gjë nga ana e akuzës së këtij rrethi për përfundimin e çështjeve të mbartura. Në analizë ajo tha se janë të paktën 193 çështje nën hetim, të cilat do t‘i kalohen gjykatës pas konkludimit të procesit hetimor për këto dosje në vitin në vijim. Kryeprokurorja Ina Rama ka kërkuar zbardhjen e këtyre dosjeve dhe kryesisht ato që kanë të bëjnë me krimet kundër personit dhe të trafiqeve të paligjshme. Pasi është njohur me treguesit, Ina Rama bëri një analizë për problemet specifike të këtij institucioni që lidhen me hetimet e papërfunduara për veprat penale.