E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, ortaku i Diverolit shpallet fajtor

TIRANE-Ralph Merrill, ortaku i Efraim Diverolit në tregtinë e paligjshme të armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit, është shpallur dje fajtor nga një gjykatë federale në Florida. Gazeta prestigjioze “The Miami Herald” ka bërë dje të ditur se Merrill u dënua për 33 akuza, mes të cilave për komplot mashtrimi dhe deklarata të rreme. Ndërkohë që është liruar nga 16 akuza të tjera. Megjithatë, “The Miami Herald” sqaron se dënimi për të pritet të shpallet në muajin mars. Referuar aktakuzës ndaj Diverolit, bëhet e ditur se më datë 26 maj 2007, ky i fundit u dërgoi një komunikim elektronik ortakëve të tij në Amerikë, David Packouz dhe Ralph Merrill, për t’u konfirmuar që çmimi më i ulët për municionet ishte negociuar. Edhe vetë biznesmeni i ndjerë, Kosta Trebicka, në sqarimet që ka dhënë para prokurorëve shqiptarë ka shkruar se, pasi ka paraqitur dokumentacionin që vërtetonte faktin se firma e tij ishte përzgjedhur si nënkontraktore nga vetë pronari i AEY-së, Efraim Diveroli, ai është kërcënuar për të hequr dorë nga paketimi i fishekëve për llogari të AEY-së. Sipas Trebickës, problemet për të filluan kur i kishte telefonuar Diverolit dhe e kishte informuar se MEICO ia shiste fishekët firmës EVDIN me një çmim prej 22 dollarësh për 1 mijë fishekë. Ndërsa Diveroli kishte konfirmuar se EVDIN ia shiste fishekët me një çmim prej 40 dollarësh për 1 mijë fishekë, pa bërë asnjë shërbim. Nisur nga ky fakt, Trebicka është shprehur se Diveroli i kishte kërkuar që të kontaktonte me Ylli Pinarin, drejtorin e MEICO-s. Por ky i fundit, sipas Trebickës, e kishte kërcënuar duke i thënë se nuk duhej të merrej me këto gjëra, pasi janë forca madhore. Pas këtij momenti, Trebicka është shprehur: “Ylli Pinari më ka bllokuar furnizimin me fishekë duke më bllokuar edhe punën, në një kohë që kërkoi që administratori i AEY, Diveroli të vinte në Shqipëri”.
Afera
Në fillim të vitit 2007, Diveroli, nëpërmjet kompanisë së tij AEY Inc., pasi fitoi një kontratë me ushtrinë amerikane prej 300 milionë USD për të pajisur Afganistanin me municione, nisi të bëjë tregti me Shqipërinë. Diveroli nënkontraktoi Ylli Pinarin, kreun e agjencisë së armëve shtetërore, për të bërë një porosi armatimesh. Pinari dhe Diveroli bashkëpunuan për të ngarkuar porosinë në Afganistan me bashkëpunimin e Delijorgjit. Autoritetet amerikane shqyrtuan detajet e marrëveshjes, e cila ishte e jashtëligjshme për shkak se armët e blera në Shqipëri kishin origjinë kineze. Për pasojë, autoritetet amerikane e arrestuan Diverolin dhe e shpallën atë fajtor për shitjen e armëve kontrabandë. Biznesmeni i ndjerë, Kosta Trebicka është personi që e njohu publikun shqiptar me rolin e Efraim Diverolit në trafikun e armëve. Pak ditë pas tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec, Trebicka deklaroi se në një bisedë me tregtarin e armëve, bosi i AEY-së i kishte rrëfyer se në këtë aferë ishte përzier edhe kryeministri, edhe djali i tij, Shkëlzen Berisha. Skandali i trafikut të armëve u denoncua menjëherë pas shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec edhe nga e përditshmja prestigjioze amerikane “New York Times”. Nga shpërthimi i 28 marsit në Gërdec gjetën vdekjen 26 persona, mbi 300 u plagosën, ndërsa u shkatërruan mijëra objekte ndërtimi, banesa e godina biznesi.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›