E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, pas spitalit punëtorët i rikthehen grevës

Tiranë- Pasi morën mjekimin e duhur në spital, punëtorët e Gërdecit i janë rithyer sërish grevës së urisë. Ata u ngujuan sërish mëngjesin e sotëm, duke u shprehur të bindur se do të vijojnë formën esktreme të protestës, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Qëndrimi i tyre në spital nuk ka zgjatur shumë dhe vetë punëtorët, sapo kanë parë se gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar disi nuk janë menduar dy herë.

Të pyetur për kohëzgjatjen e grevës, ata janë përgjigjur se ajo do të zgjasë deri sa kërkesat e tyre, mëse njerëzore të marrin zgjidhje.

Sipas grevistëve, Bashkia e Vorës nuk është e fuqishme t’i japë zgjidhje kërkesave të tyre, kurse qeveria nuk po jep asnjë sinjal pozitiv, ndonëse ata janë në pritje prej 10 ditësh. “Ne nuk do të dalim gjallë, pa na u plotësuar kërkesat”-kanë theksuar ata.

Pasditen e djeshme, shtatë prej grevistëve të Gërdecitu dërguan me urgjencë në spital pasi gjendja e tyre shëndetësore është paraqitur tejet e rënduar. Sipas burimeve nga spitali, tre prej grevistëve ndodhen në rrezik për jetën.

Në një apartament diku përballë Bashkisë së Vorës 10 ditë më parë kanë vendosur të "ngujohen" 8 persona. Ngujimi nuk ka ardhur për shkak të ndonjë gjakmarrjeje, por për shkak të lëndimit që kësaj radhe duket që u ka ardhur nga qeveria. Bëhet fjalë për 8 ish-punëtorët e fabrikës së Alba-Demil në Gërdec, shpërthimi i së cilës solli 26 viktima dhe qindra të plagosur.

Kërkojnë të drejtat e tyre dhe dëmshpërblim për tragjedinë që e shkaktoi vetë qeveria. Madjeish-punëtorët e fabrikës së demontimit Alba-Demil në Gërdec kanë theksuar dy ditë më parë kur gjendja e tyre nuk ishte përkeqësuar ende, se janë të vendosur të vazhdojnë grevën deri në vdekje, nëse nuk u plotësohen kërkesat nga qeveria.

Të vendosur në apartamentin e njërit prej grevistëve, ish-punëtorët e fabrikës së Alba-Demol pohojnë të revoltuar se qeveria duhet të marrë masa që kërkesat e tyre të plotësohen pasi përgjegjësia ishte e institucioneve shtetërore që ndodhi tragjedia. Madje ata ndihen të ofenduar për neglizhencën që po vazhdon të tregojë qeveria ndaj punëtorëve dhe banorëve të dëmtuar nga tragjedia.

"Ndoshta qeveritarët mendojnë se ne i kemi harruar atë që ndodhi, por plagët e tragjedisë janë ende të hapura dhe nuk do të harrohet kurrë. Të paktën Kryeministri të mendojë që këto dhimbje dhe plagë t'i lehtësojë sadopak dhe të mos tregohen neglizhent ndaj katastrofës që shkaktuan në Gërdec",- ka theksuar Pëllumb Sula njëri prej grevistëve.

Në një intervistë për gazetën "Shekulli" kryetari i shoqatës së ish-punëtorëve të fabrikës Alba-Demil, Andi Belliu,ka shpjeguar disa ditë më parë detajet se përse janë futur në grevë urie dhe kërkesat që kanë ndaj qeverisë, të cilën e fajësojnë si shkaktaren e tragjedisë.

Përse keni vendosur të futeni në greve urie?

Ishte rruga e vetme që na kishte mbetur për të zgjidhur kërkesat tona. Më 29 maj i dërguam një letër kryeministrit Sali Brisha, për të cilën ende nuk kemi marrë përgjigje. Indiferenca e qeverisë për të mos dhënë përgjigje kërkesave tona na detyroi të futemi në grevë urie. Sigurisht që është një vendim i vështirë, por ne jemi të vendosur që do të flijohemi deri sa të na plotësohen kërkesat.

Ju ka vizituar ndonjë zyrtar gjatë grevës?

Në mënyrë absolute askush nuk është interesuar për ne. Për këtë nuk habitemi aspak, pasi qeveria që na shkatërroi jo vetëm ekonomikisht, por edhe psikologjikisht ndosha nuk i intereson që ne të vazhdojmë një jetë normale. Megjithatë po e theksoj se ka ardhur koha që qeveria të tregohet më serioze dhe të marrë në konsideratë kërkesat tona.

Cilat janë kërkesat e ish-punëtorëve të fabrikës së demontimit, Alba-Demil?

Kërkesat tona janë mëse njerëzore dhe shumë emergjente, pasi jemi ne të dëmtuarit e kësaj tragjedie dhe kjo jo për fajin tonë. Kërkesa e parë është që t'u jepet 400 mijë lekë ndihmë financiare për çdo punëtor të fabrikës së "vdekjes" Alba-Demil dhe kjo t'u paguhet për 1 vit. Gjithashtu kërkojmë një vit rrogë me 500 mijë lekë në muaj dhe më pas shteti të sigurojë asistencë për këta punëtorë. Familjarëve të viktimave t'u sigurohet pension. Kërkojmë gjithashtu dëmshpërblim për të gjitha mjetet motorike që janë dëmtuar nga shpërthimi i fabrikës.

Çfarë do të bëni nëse nuk plotësohen kërkesat tuaja?

Në grevë të gjithë futen për të realizuar kërkesat dhe qëllimet për të cilat pretendojnë. Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë grevën deri në vdekje, nëse nuk plotësohen kërkesat tona. Shpresojmë që Qeveria të mos na vrasë dy herë dhe aq më tepër për shkak të papërgjegjshmërisë dhe indiferencës që ka treguar.

Kërkesat

1. Ndihmë financiare 400 mijë lekë për çdo punëtor dhe kjo të paguhet për 1 vit.

2. Rrogë për 1 vit me 500 mijë lekë në muaj dhe më pas shteti të sigurojë asistencë për këta punëtorë.

3. Pension për familjarët e viktimave

4. Dëmshpërblim për mjetet motorike që janë dëmtuar në tragjedi

5. T'u njihen sigurimet shoqërore ish-punëtorëve nga viti 2006 deri në ditën kur ndodhi tragjedia, 15 mars 2008.

Emrat e 8 grevistëve

Adriatik Babaliu

Veli Gjikoni

Hajdar Halili

Dashamir Kurti

Albin Mexha

Adriatik Spahiu

Pëllumb Sula

Andi Belliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›