E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, për dy vite, Autoriteti i Kontrollit u la në harresë



Në bazë të Vendimit Nr. 138 të Këshillit të Ministrave, datë 14.3.2007, kompania që do të merrej me demontimin apo eksportin e armëve në Republikën e Shqipërisë duhej të ishte e regjistruar pranë Autoritetit Shtetëror të Eksporteve. Ja se çfarë thuhet në pikën 2, paragrafi 4 gërma a) e këtij vendimi, ku bëhet fjalë për kriteret që duhet të plotësojë kompania: “Të jetë e regjistruar pranë Autoritetit Shtetëror të Kontrollit të Import-Eksportit të Mallrave Ushtarake e atyre me përdorim të dyfishtë në vendin e origjinës si importues, eksportues apo ndërmjetësues, duke paraqitur dokumentin përkatës zyrtar”. Por, në të vërtetë, kjo nuk ka ndodhur. Ligji për Autoritetin e Kontrollit të Eksporteve nuk u zbatua për dy vite, pasi me një logjikë të thjeshtë do të nxirrte jashtë loje “MEICO”-n, e cila deri në atë kohë kontrollonte të gjitha kontratat. Pra, Autoriteti i Kontrollit do të kontrollonte ligjshmërinë e kontratave të Delijorgjit dhe “Southern Ammunition Company”, si dhe transaksionet e tyre, profilin që ato kishin etj., pasi këtë të drejtë ia jepte ligji në fjalë, siç i jepte të drejtën edhe të anulonte kontratat kur kompanitë kishin aktivitet të dyshimtë. Nga ana tjetër, ky autoritet duket se reduktonte ndjeshëm edhe rolin e ministrit të Mbrojtjes në lidhjet e kontratave, pasi ligji i jepte atij të gjitha të drejtat të anulonte kontratat në rast se kompanitë nuk kishin licencë për këtë lloj aktiviteti, siç ishte rasti i Delijorgjit, i cili kishte një kompani për tregtim skrapi dhe jo për demontim apo tregtim të municioneve. Në Vendimin e qeverisë të datës 14.3.2007 kërkohet që kompania që do të merret me demontimin ose tregtimin e armëve duhet “të jetë e regjistruar pranë Autoritetit Shtetëror të Kontrollit të Import-Eksportit të Mallrave Ushtarake e atyre me Përdorim të Dyfishtë në vendin e origjinës si importues, eksportues apo ndërmjetësues, duke paraqitur dokumentin përkatës zyrtar”. Por, ligji për autoritetin është miratuar vetëm një muaj më pas dhe ka marrë fuqi vepruese më 1 qershor të 2007-s, pra pas më shumë se dy muajsh, gjë që përbën një non sens juridik, pasi s’mund të merret një vendim, i cili në shumë pika kërkon bazën te një ligj, i cili nuk është miratuar ende, siç është edhe ligji për Autoritetin e Kontrollit të Eksporteve.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›