E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali me 4 milionë USD, qeveria paguan “Bechtel”-in me fondin e kontigjencës

Qeveria merr vendim për ndërtimin e nënstacionit elektrik për tunelin e Kalimashit. Preket fondi i kontigjencës, kontrata ligjore ia ngarkon “Bechtel”-it pagesën në fjalë

Habjon Hasani

Tiranë - Në këto kohë të turbullta financiare paratë tona shkojnë lumë. Qeveria shqiptare, me një vendim të posaçëm dhe në kundërshtim flagrant me kontratën (qeveri - Bechtel), e nënshkruar prej vetë saj, ka marrë përsipër të financojë me paratë e fondit të kontigjencës (fondi për ngjarje apo fatkeqësi të paparashikuara) për të ndërtuar nënstacionin elektrik që do të ndriçojë tunelet e Kalimashit. Është vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave ai që i ka kaluar Ministrisë së Ekonomisë rreth 4 milionë USD për t’ia kaluar ndërmarrjes së OST-së në formë kredie për të ndërtuar një nënstacion elektrik. Në kontratën me firmën “Bechtel”, që ndërtoi edhe tunelin, përcaktohet se firma do ta dorëzojë të kompletuar tunelin, ndërsa jo vetëm nënstacioni elektrik, por çdo investim tjetër, që shërben si aksesor i tunelit, duhet të ndërtohet nga firma “Bechtel”. Natyrisht që ky është një vendim që veçse rëndon edhe më tej bilancin e paimagjinueshëm të kësaj rruge, ndërtimi i së cilës u bazua në ligjin anglez, ndërsa shpenzimet arritën shifra stratosferike. Në vendimin e qeverisë, që i hapi rrugë ndërtimit të segmentit prej 56 kilometrash Rrëshen-Kalimash, qeveria përcaktoi se segmenti do të kushtonte gjithsej 450 milionë euro. Më tej ministri i Transporteve deklaroi se vlera finale do të ishte 600 milionë euro. Sot bilanci flet për një shifër prej 1 miliardë e 24 milionë eurosh të shpenzuara. Kësaj shifre dje iu shtuan dhe katër milionë euro, ndërsa mungesa e projektit përfundimtar i hap rrugë thellimit të këtij bilanci. Ende sot nuk gjendet projekti përfundimtar i ndërtimit të rrugës.
Kontigjenca
Ajo çka e rëndon edhe më shumë investimin e qeverisë për nënstacionin elektrik të tunelit të Kalimashit është fakti që paratë u morën nga fondi i kontigjencës. Ky është një rast unik dhe i pashembullt kur një qeveri fut dorën në fondet e saj të rezervuara ”për ditë të këqija”, për të bërë një investim, të cilin ligjërisht ia ka borxh një kontraktor privat i një shteti të huaj. Madje në rrethanat aktuale, ku pritshmëria e efekteve të krizës botërore është e madhe, kjo lëvizje e qeverisë duket se minon dhe strategjinë tonë për përballimin e krizës. Vetëm pak javë më parë, një përfaqësues i lartë i FMN-së këshilloi posaçërisht qeverinë për të mos prekur fondin e kontigjencës. "Fondet e kontigjencës nuk duhen shpenzuar, por duhet të ruhen për të financuar buxhetin në rast se të ardhurat do të bien, çka ka shumë gjasa të ndodhë. Paratë nga privatizimet mos të përdoren për investime të reja, por të vihen në funksion për të kompensuar buxhetin. Sa u takon lehtësirave fiskale për sektorë të ndryshëm, duhet të bëhet kujdes sepse nëse do të lehtësoni një sektor, rrezikoni të merrni paratë nga të tjerët dhe t’ia jepni atij. Por kryesore është të ruhet buxheti dhe të merren politika të matura, sidomos në këtë vit zgjedhjesh", - këshilloi përfaqësuesi i lartë i FMN-së pak kohë më parë. Por kjo këshillë zor se mund të ketë dhënë ndonjë efekt te qeveria jonë, e cila vetëm dje jo vetëm që preku fondin e kontigjencës për investime, por edhe investimet që bëri, në fakt, nuk i takonin qeverisë, por operatorit privat “Bechtel”.
Ngjashmëria
Thuajse i njëjti fenomen ”zemërgjerësie” ka ndodhur edhe rreth tri javë më parë mes qeverisë dhe kompanisë “Bechtel”. Sikurse ”Albania” publikoi ekskluzivisht, u zbulua se dhe makineritë e përdorura nga firma “Bechtel” për hapjen e tunelit do të qëndrojnë në Shqipëri (të paktën edhe për dy vite) dhe do të mirëmbahen nga taksapaguesit shqiptarë. Në vigjiljen e “Shën Valentinit”, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka shpallur tenderin e hapur, me fondin limit prej 3 milionë eurosh, pikërisht për këtë qëllim. “’Objekti i prokurimit’ (nëse ka lote i ndarë sipas loteve); ‘Menaxhimi, funksionimi e mirëmbajtja e pajisjeve dhe operimi i tunelit të Thirrës, të autostradës Rrëshen-Kalimash’. Fondi limit: 333 milionë e 333 mijë e 333 lekë pa TVSH. Afati i kryerjes së shërbimit: 24 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës. Afati për paraqitjen e kërkesës për shprehje interesi: 09.04.2009”, - shkruhet në këtë shpallje publike të Drejtorisë së Rrugëve, në Buletinin Zyrtar të Prokurimeve Publike. Në këtë mënyrë rezulton se për të paktën dy vite të tjera shqiptarët do të paguajnë edhe 3 milionë euro të tjera për mirëmbajtjen e makinerive private të “Bechtel”-it, ndërsa kjo kompani ka mundur të sigurojë deri tani rreth 1 miliard e 24 milionë euro nga taksat e shqiptarëve për ndërtimin e një segmenti rrugor prej 56 kilometrash. Këto makineri hynë në Shqipëri pa paguar doganë, ndërsa “Bechtel” i kishte sjellë nga Kroacia. Makineritë qëndronin në Kroaci që prej vitit 2004, vit në të cilin qeveria kroate ndërpreu në mënyrë të njëanshme kontratën me këtë kompani.

V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR VITIN 2009, PËR MINISTRINË E EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS
Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, pika 16 e 5, paragrafi i katërt, i Ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të Nenit 9, të Ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në buxhetin e miratuar për vitin 2009, në programin “Mbështetje për energjinë”, zëri “Transferta”, t’i shtohet fondi prej 392 241 847.7 (treqind e nëntëdhjetë e dy milionë e dyqind e dyzet e një mijë e tetëqind e dyzet e shtatë pikë shtatë) lekësh, si transfertë, shoqërisë me kapital 100 për qind shtetëror, Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sha, në formën e huas, për realizimin e projektit “Ndërtimi i nënstacionit 110/40 KV, me fuqi 2 x 5.6 MVA, Tuneli i Kalimashit dhe e një daljeje linje 110 KV, në nënstacionin ekzistues 110/6 KV, Kalimash”.
2. Ky fond të përballohet nga fondi i kontigjencës, i miratuar në buxhetin e shtetit të vitit 2009.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

“Rrëshen-Kalimash”, kredia e qeverisë “lak në fyt” për 35 vjet

Është ndoshta kontrata më e paprecedentë që shteti shqiptar mund të ketë lidhur ndonjëherë në kurriz të vetes së vet. Kontrata e huas me bankën private në Londër prej 230 milionë eurosh, për ndërtimin e aksit rrugor “Rrëshen-Kalimash”. Gjatë analizës që ekspertët i kanë bërë kësaj kontrate për llogari të prokurorëve ka rezultuar se kjo kontratë do të shtrijë efektet e saj të rënda për 35 vitet e ardhshme, ndërsa pas 10 viteve të para pozicioni i shtetit në raport me kredidhënësin mund të përkeqësohet pasi në termat e marrëveshjes ekziston një mundësi e tillë. Janë marrë borxh 230 milionë euro, por në fund të afatit të kontratës shteti shqiptar duhet të dorëzojë 350 milionë euro. Një raport shumë i rëndë për shtetin tonë, i cili, pas 10 viteve mund të rinegociojë përqindjen e interesit, ndërsa termat e kontratës mund të bëjnë që pas 20 vitesh Shqipëria të kthejë jo pak, por 450 milionë euro ndaj huadhënësit. Ndërprerja e hetimeve (e urdhëruar me vendim gjykate) për çështjen “Rrëshen-Kalimash”, paralizoi dhe punën hetimore të Prokurorisë lidhur me etapat e sigurimit të kredisë për rrugën. Prokurorët kishin dyshimet e tyre se mënyra se si ishte siguruar kredia ishte klienteliste, ndërsa u dyshua dhe konflikti i interesit dhe favorizimi i huadhënësit londinez nga ana e ministrit Basha. Por tashmë askush nuk mund t’i vërtetojë këtë dyshime, pasi procesi hetimor u mbyll në mënyrë përfundimtare. Madje ekspertët e pyetur nga Prokuroria për këtë kontratë janë shprehur se termat e kontratës në raport me punën në terren lënë një vend të madh për abuzime, pasi firma që po ndërton segmentin po punon me metodën “ndërto dhe projekto”, ndërsa në këto kushte askush nuk mund të garantojë “se ku do të shkojnë paratë e siguruara nga huadhënia”. Pra jo vetëm që kontrata e huamarrjes është një barrë shumë e rëndë për taksapaguesit, por madje dhe përdorimi i huas përbën një “tunel të errët” për sa i takon mënyrës se si dhe se ku do të përdoren këto para.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›