E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci përçmoi kërkesat e opozitës

16/03/2009  Qeveria kërkon drejtësi për Gërdecin dhe i bën thirrje opozitës të ndalë manipulimin

“Ngushëllimet më të thella, solidariteti më njerëzor familjeve të viktimave, të aksidentit tragjik”

Ergys GJENÇAJ

Ekzekutivi shqiptar nënvizon rëndësinë që ka zbardhja e së vërtetës së tragjedisë së një viti më parë në Gërdec. Përmes një komunikate për shtyp zëdhënësja e qeverisë Juela Meçani ka theksuar se kjo ngjarje nuk duhet të tjetërsohet përmes manipulimeve të ndërmarra nga opozita. Ajo ka vlerësuar në emër të institucionit që përfaqëson fisnikërinë e banorëve të prekur nga kjo tragjedi, të cilët, sipas saj, hodhën poshtë qëllimet e opozitës. “Qeveria vlerëson fisnikërinë e banorëve të Gërdecit, që me përçmim refuzuan përpjekjet për të manipuluar me shpirtrat e njerëzve të tyre të dashur për qëllime politike dhe vlerësuan bashkëpunimin me qeverinë dhe qëndrimin e saj që në minutat e para pas aksidentit e deri në ditët e sotme”, - ka thënë zëdhënësja e qeverisë. Ajo vuri theksin në angazhimin e menjëhershëm të qeverisë për të përballuar këtë ngjarje të rëndë, për t’u dhënë ndihmën e nevojshme banorëve të prekur prej saj dhe duke kërkuar nga organet kompetente hetim serioz të ngjarjes. Meçani tha se që në minutat e para pas aksidentit qeveria organizoi operacionin e kërkim-shpëtimit më të shpejtë dhe më të suksesshëm në historinë e vendit, ku mijëra trupa të njësive të ushtrisë dhe policisë si dhe qindra banorë të zonës u përballën për 48 orë rresht me vetëmohim dhe heroizëm të pashoq me vdekjen dhe shpëtuan dhjetëra e dhjetëra jetë. Sipas saj, qeveria së bashku me komunitetin dhe qeverinë vendore të Vorës mori të gjitha masat organizative dhe financiare për rindërtimin në kohë rekord të mbi 4000 banesave dhe objekteve të rrënuara apo të dëmtuara në zonë. “Qeveria ka bërë çdo përpjekje dhe ka dhënë çdo ndihmë me dokumentacion dhe mbështetje për hetim të shpejtë, të pavarur dhe të gjithanshëm dhe vendosjen para ligjit të autorëve të tragjedisë. Ajo nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me akuzat e formuluara vetëm e vetëm për të fshehur përgjegjësit e vërtetë të këtij aksidenti tragjik, nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me zgjatjen e hetimit dhe pazaret politiko-mediatike me dosjen e kësaj tragjedie. Për qeverinë shqiptare zbardhja e së vërtetës mbi Gërdecin është me rëndësi kapitale për drejtësinë shqiptare”, - thuhet në qëndrimin zyrtar të qeverisë. Zëdhënësja Meçani ka thënë se qeveria në këtë 1-vjetor të ngjarjes tragjike u shpreh edhe një herë ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor familjeve të viktimave, të plagosurve dhe të lënduarve të këtij aksidenti tragjik dhe ndan me ta dhimbjen e humbjes së pakompensueshme për ta. Ajo nënvizoi se ekzekutivi i siguron të gjithë se sikundër deri më sot ajo do të jetë bashkë me ta, do të ofrojë të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin për kapërcimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të këtij aksidenti tragjik. “Qeveria falënderon familjet e viktimave dhe të gjithë komunitetin e zonës së Gërdecit si dhe qeverinë vendore për kontributin dhe bashkëpunimin e frytshëm dhe luajal me këtë qeveri në të gjithë trajtimin e problematikës së zonës”, - ka thënë Meçani. Ajo deklaroi se dita e djeshme ishte një ditë nderimi dhe respekti për 26 burra dhe gra që humbën jetën në aksidentin tragjik të Gërdecit.

Grupi parlamentar demokrat

Bumçi: Opozita përdorim për qëllime cinike dhe çnjerëzore

Ligjvënësit e Partisë Demokratike janë të mendimit se partitë politike të opozitës së majtë po përdorin tragjedinë e Gërdecit për qëllime cinike dhe çnjerëzore. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së Alo Bumçi ka deklaruar ditën e djeshme se lëvizjet e opozitës fill pas shpërthimit një vit më parë e deri më tani janë kryer me objektiv të qartë. “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar dhe ka mbështetur hetimin e gjithanshëm dhe të shpejtë si dhe nxjerrjen e përgjegjësive ligjore për tragjedinë e Gërdecit. Por ky grup ka denoncuar dhe denoncon përdorimin e dosjes së Gërdecit për qëllime cinike dhe çnjerëzore, për të fshehur përgjegjësit e vërtetë të këtij aksidenti tragjik dhe për të dështuar hetimet duke formuluar akuza për anashkalimin e ushtrisë dhe korrupsionin”, - ka deklaruar zëdhënësi i grupit parlamentar demokrat, deputeti Aldo Bumçi. Ai theksoi se përpjekjet për të anashkaluar ushtrinë nga përgjegjësia e kësaj ngjarjeje nuk mund të realizohen, pasi ekzistojnë 32 dokumente me 3 deri në 7 firma që vërtetojnë të kundërtën. Deputeti demokrat theksoi se gjithë hapat e ndërmarrë nga opozita shqiptare janë të papranueshme. Në deklaratën e djeshme me rastin e përvjetorit të shpërthimit tragjik në fshatin Gërdec, Bumçi dënoi gjithçka ka ngritur opozita në lidhje me këtë ngjarje. Ai ka dënuar përdorimin e kësaj tragjedia në Gërdec, gjë e cila bëhet vetëm me qëllime përfitimesh politike. Gjatë debateve parlamentare deputetët e PD-së kanë kërkuar nga organi i Prokurorisë së Përgjithshme hetim sa më serioz dhe të thellë të ngjarjes. PD-ja është shprehur se ajo është e para forcë politike që ka interes të madh për të zbardhur ngjarjen. Por deputetët demokratë kanë kërkuar që hetimet të mos manipulohen dhe të shkojnë në drejtim politik. Ligjvënësit demokratë kanë sulmuar opozitën dhe kreun e saj Edi Rama për presion të pastër politik ndaj organeve kompetente. Po ashtu, demokratët nuk kanë kursyer as shigjetimet ndaj Prokurorisë, pasi sipas tyre ajo po vepron në mënyrë tendencioze dhe po luan politikisht.

PD akuzon Edi Ramën për manipulim me shpirtrat e njerëzve

Kryesocialisti përpiqet të errësojë suksesin e qeverisë

“Ndien çdo orë se alternativa e tij po gropos karrierën e tij politike”

Partia Demokratike kërkon nga opozita e në mënyrë të veçantë nga Partia Socialiste dhe kryetari i saj të respektojnë viktimat e tragjedisë së Gërdecit. Zëdhënësi i Partisë Demokratike Gerti Bogdani, duke komentuar mitingun e opozitës, ka deklaruar ditën e djeshme se ishin vetë banorët e Gërdecit ata që refuzuan manipulimin që u përpoq të bëhej me shpirtrat e njerëzve dhe bashkëqytetarëve të tyre nga Edi Rama. “Partia Demokratike vlerëson qëndrimin e qytetëruar të banorëve të Gërdecit, refuzimin që ata i bënë manipulimit me shpirtrat e njerëzve dhe bashkëqytetarëve të tyre nga Edi Rama, i cili ka zgjedhur këtë ditë për të hapur me një miting mortor, duke dhunuar kodin e të vdekurve, fushatën e tij elektorale”, - ka deklaruar zëdhënësi i PD-së. Bogdani u shpreh se Partia Demokratike e konsideron këtë si përpjekje të radhës në alternativën e Edi Ramës me motot: “Rroftë vdekja, poshtë qeveria!”, “Rroftë e keqja, poshtë Shqipëria!”. Për zëdhënësin demokrat kryesocialisti Rama përmes këtyre lëvizjeve përpiqet në mënyrë donkishoteske të errësojë suksesin historik të qeverisë dhe të mbarë shqiptarëve, anëtarësimin e plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) në samitin e ardhshëm të saj, që do të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm në Strasburg. “Edi Rama ndien çdo orë dhe çdo ditë se alternativa e tij ‘Rroftë e keqja, poshtë Shqipëria!’ po gropos një herë e përgjithmonë karrierën e tij politike. Njeriu që për një vit rresht nga tmerri dhe sherri nuk shqipëroi dhe një herë të vetme emrin e Delijorgjit, me të cilin ka jo një, por disa sipërmarrje të përbashkëta, njeriu që ka tmerr nga videot dhe fotot e vakancave të zgjatura me Delijorgjin në Europë dhe në botë dhe leje të shumta ndërtimi të ndara me të bashkë me Shalsin e tij, zëdhënësin e 15 %-shit, mund të derdhin vetëm lot krokodili për viktimat e Gërdecit”, - ka thënë Bogdani. Ai u ka shprehur ngushëllimet të prekurve nga shpërthimi tragjik. Duke folur në emër të PD-së, Bogdani tha se partia që përfaqëson ndan me ta pikëllimin dhe dhimbjen dhe i siguron se qeveria shqiptare, ashtu si deri më sot, do të punojë me ta bashkërisht për mbylljen e plagëve nga ky aksident tragjik.

Lëvizja e Legalitetit

PS shfrytëzon Gërdecin për qëllime politike

Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka denoncuar përpjekjet e opozitës së majtë dhe në mënyrë të veçantë të Partisë Socialiste për të shfrytëzuar ngjarjen tragjike të Gërdecit. Për sekretarin politik të PLL-së Sulejman Gjana PS-ja ka ndërmarrë këto veprime në një kohë që drejtësia nuk ka thënë ende fjalën e saj. “Thirrjet për demonstrim në rrugët e Tiranës me rastin e njëvjetorit të tragjedisë së Gërdecit dëshmojnë edhe një here se PS-ja si trashëguese e Partisë së Punës dhe diktaturës së saj komuniste nuk heziton të bazojë strategjinë e saj politike dhe elektorale mbi fatkeqësitë dhe vdekjen”, - tha Gjana. Sipas tij opozita nuk mundet të paraqesë asnjë alternativë serioze për qeverisjen e vendit. “Slogani i tyre ‘Mos harro’ për këtë përpjekje të pamoralshme i jep shkas gjithkujt që të kujtojë se tragjedia e Gërdecit është pasojë e drejtpërdrejtë e diktaturës komuniste, e cila bunkerizoi dhe armatosi vendin në një mënyrë të tejskajshme, si dhe e qeverisjes 8-vjeçare të së majtës, e cila, pasi mori pushtetin në vitin 1997 nëpërmjet armëve, u kujdes më shumë për përfitimet financiare që mund të nxirrte nga shitja ilegale e armëve, sesa për çmontimin e tyre”, - tha Gjana.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›