E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasësi shqiptar, i lirë me pasaportë angleze

16/03/2009  Skandali i denoncuar nga mediat britanike, ku Afrim Sinani jeton pa u shqetësuar

Revista: 100 kriminelë kanë përfituar azil politik, shumica të regjistruar si kosovarë

ANGLI- Mediat britanike kanë denoncuar një tjetër skandal, kur një shtetas shqiptar i dënuar me 20 vjet burg në Shqipëri jeton i lirë dhe me pasaportë në Britani. Vrasësi në fjalë është i dënuari nga gjykata e Kukësit Afrim Sinani, i cili mësohet në vitin e trazirave të 1997 është arratisur nga burgu i Bënçës së Tepelenës dhe më pas është strehuar së bashku më bashkëshorten e tij në Angli. Historia e shqiptarit të shumëkërkuar dhe skandali i qeverisë britanike është publikuar pak ditë më parë në revistën prestigjioze “People”, e cila nëpërmjet një shkrimi kritik ka denoncuar paaftësinë e shtetit anglez për t’i dëbuar nga territori i tij, personat që kanë një CV-i kriminale. Brenda shkrimit revista citon se ashtu si Afrim Sinani, në Britani janë edhe 100 kriminelë që kanë përfituar azil edhe pse në Shqipëri janë të kërkuar. Për rastin Sinani, artikulli thotë se policët paralajmëruan 6 vjet më parë se krimineli shqiptar përdorte emër të rremë. Ndërkohë që ministri i Emigrimit të qeverisë hije konservatore Damian Grin thotë se ky skandal është shokues, pasi një kriminel është i lirë dhe lëviz në rrugët e Britanisë. Interpoli madje nxori një foto të tij si dhe gjurmët e gishtërinjve. Por policia nuk e gjeti dot dhe çuditërisht atij iu dha pasaporte britanike.

Skandali Sinani

Aktualisht i shumëkërkuari Afrim Sinani ka mbiemrin Pulaj dhe jeton në zonën e Ilfordit që ndodhet në lindje të Londrës me gruan e tij Myzaferen dhe tre fëmijët. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare të drejtësisë e policisë, sepse Gjykata e Shkallës së Parë në Kukës, me vendim të datës 29 tetor 1996, e ka shpallur fajtor për veprat penale të “vrasjes me dashje” dhe “armëmbajtjes pa leje”, për të cilat është dënuar me 20 vjet burg. Sipas gjykatës Sinani, është gjetur fajtor për vrasjen e një të afërmi të vet të quajtur Naim Sinani. Pas marrjes së dënimit, ai është dërguar në burgun e Bënçës në Tepelenë për ta vuajtur atë, por duke përfituar nga rrëmujat e vitit 1997, ai është arratisur që andej, ndërsa pak kohë më vonë ka përfunduar në Angli, ku fshihej nën një identitet të rremë kosovar. Pas arrestimit në Londër, ai ka pretenduar se ishte amnistuar nga shteti shqiptar dhe se nuk kërkohej nga autoritet shqiptare. Për të vërtetuar këto Sinani paraqiti në gjykatë dy prova të konsideruara të rëndësishme nga mbrojtja: dëshminë e avokates së tij që e ka mbrojtur në Kukës në vitin 1996, si dhe një kasetë filmike të vitit 1998 ku paraqitej në Tiranë, mes kosovarëve të shpërngulur nga lufta. Fill pas këtyre provave gjykata vendosi t’i japë atij azil politik duke e pajisur atë edhe me pasaportë britanike. Në 2005 Sinani siguroi dokumentet dhe mori shtetësinë britanike. Ky është vetëm njëri nga disa rastet e publikuara, pasi një histori të ngjashme kanë edhe të kërkuarit Ilir Kumbaro e persona të tjerë.

Deklarata e kryepolicit Ahmet Prençi

“Kemi listën me 100 kriminelë shqiptarë”

Të paktën 100 kriminelë shqiptarë fshihen në Angli dhe ky shtet nuk po i ekstradon. Në një artikull të botuar online në “Daily Telegraph” i referohet një deklarate që Drejtori i përgjithshëm i Policisë shqiptare, Ahmet Prençi, ka bërë ku ankohet se gjykatat britanike po pengojnë përpjekjet e vendit te tij që kriminelët të ekstradohen në Shqipëri. Shumë nga këta kriminelë shfrytëzojnë sistemin e azilit për të fituar edhe shtetësi britanike, ndërkohë që kanë hyrë ilegalisht në këtë shtet demokratik. “Ne kemi një listë shqiptarësh që fshihen në Britaninë e Madhe. Janë 100 kriminelë, më shumë se 80% e tyre kërkohen për vrasje dhe janë dënuar në mungesë”, citohet të ketë thënë Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Premçi. “Atyre madje iu është garantuar shtetësi britanike, pavarësisht kërkesave të autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tyre për të vuajtur dënimin në Shqipëri”,- ka cituar e përditshmja angleze “Daily Telegraph”. Aktualisht Home office, ose Ministria e Brendshme britanike është vënë në dijeni për identitetin dhe të dhënat e këtyre personave. Shumë prej tyre janë regjistruar si refugjatë gjatë luftës në Kosovë.

Deklarata e ministrit anglez

“Do bëj të pamundurën për t’i ekstraduar”

Ministri anglez për Policinë më 18 shkurt 2009 ka zhvilluar një tur të vërtetë takimesh në Shqipëri, ndërsa e ka garantuar Drejtorin e përgjithshëm të Policisë shqiptare, Ahmet Prençin, për ekstradimin e të gjithë të kërkuarve të shpallur si të tillë nga Interpol Tirana. “Në lidhje me arrestimin e shqiptarëve të kërkuar që strehohen në Britaninë e Madhe mendoj se jo të gjithë shqiptarët që jetojnë në Britani janë kriminelë. Por, ne jemi të gatshëm për arrestimin e personave të kërkuar nga ana juaj dhe mirëpresim çdo lloj informacioni që mund të keni për shtetasit e kërkuar. Unë ju premtoj se do të bëj të pamundurën për t’i ekstraduar të kërkuarit për në vendin tuaj”,- ka deklaruar ministri anglez Coaker gjatë takimit me Prençin. Ndërkohë që nga ana tjetër ky i fundit ka pohuar se autoritetet shqiptare janë të hapura për shkëmbim informacioni me qëllim ekstradimin e personave të kërkuar drejt vendit, ku ata kanë kryer krimin. Të vetmit që janë ekstraduar nga Anglia në Shqipëri janë dy shtetasit anglezë Dino Kristodudu dhe Robin Arnold.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›