E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Asgjë s’është e pamundur, po të jemi bashkë

16/03/2009  Manifestimi, Partia Socialiste lëshon thirrje elektorale. Ndryshimi, slogani i saj

“Është koha për t’u bashkuar, përtej kufijve të vendosur nga politika e vjetër”

Partia Socialiste risjell në kujtesë shpërthimin e kobshëm të 15 marsit të vitit që shkoi në Gërdec për të bindur shqiptarët për nevojën e ndryshimit. Slogan i hedhur prej kohësh nga lidershipi i kësaj partie, por që çdo ditë e më shumë po i mëshohet me forcë domosdoshmërisë për realizimin e tij. Kësaj ngjarjeje iu përkushtua i gjithë manifestimi i organizuar dje nga kjo parti në njëvjetorin e kësaj tragjedie. Partia Socialiste dhe aleatët e saj mblodhën dje në sheshin “Skënderbej” qytetarë jo vetëm nga kryeqyteti, por dhe nga rrethe të ndryshme të vendit, pa përjashtuar këtu dhe banorë të Gërdecit, për të përkujtuar viktimat dhe të prekurit nga kjo tragjedi. Por organizimi i saj ishte i ndarë në disa faza, ku takimi i qytetarëve të shumtë në sheshin “Skënderbej” do rezervonte fjalimet e rastit nga përfaqësuesit politikë. Vërtet e gjitha atmosfera ishte e përqendruar te kjo tragjedi dhe viktimat që shkaktoi ajo, por nuk mund të mos kërkohej nga të gjithë pjesëmarrësit në manifestim që të mos lejonin më drejtimin nga një politikë që i ka shkaktuar vendit kaq shumë dëme për 18 vjet me radhë. Në këtë mënyrë, edhe pse pa flamuj partiakë apo thirrje politike nga të pranishmit në shesh, drejtuesit politikë nuk i shmangën fjalimet elektorale. Ndërkohë manifestimin e saj Partia Socialiste e kishte konceptuar të organizuar në dy podiume, ku të gjithë ata që do të mbanin fjalët e rastit do të lëshonin apelin, tashmë të përbashkët për këtë aleancë, të ndryshimit të madh. Njëri nga këto podiume ishte improvizuar në sheshin “Skënderbej” dhe tjetri përballë Kryeministrisë. Ndërkohë në këtë të fundit ishte menduar të fliste vetëm kreu socialist Edi Rama, ku si kryefjalë të fjalimit të tij kishte përzgjedhur pikërisht thirrjen për bashkim. Sipas tij, vetëm duke qenë të bashkuar do të mund të realizohet ai ndryshim i madh që i duhet vendit. “Ne jemi këtu për të shprehur vullnetin për bashkim në një ditë si kjo, kur politika e vjetër tregon cinizmin përpara aspiratës sonë për një Shqipëri si gjithë Europa”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij. Në gjykimin e kryetarit të PS-së bashkimi në këtë shesh nuk konsistonte në një kundërpërgjigje të baltës me baltë, por për të hapur krahët për të gjithë shqiptarët që synojnë ta shohin vendin si gjithë Europa. Rama kërkoi nga shqiptarët që “të mos lejojmë më që të luhet me ne kjo lojë e politikës së vjetër, që ka zgjatur prej 18 vjet radhazi”. Madje, po në këtë linjë, kreu socialist apeloi që t’i jepet fuqi ndryshimit që po vjen. “Që Shqipëria të ndryshojë, duhet që politika të ndryshojë. Ja pse sot është koha për t’u bashkuar përtej kufijve të vjetër të vendosur nga kjo politikë e vjetër, që sot ndihet e kërcënuar nga fuqia e ndryshimit që po sjellim”, - u shpreh Rama. Ndërkohë kreu socialist nuk kurseu të shigjetonte dhe lidershipin e LSI-së, të cilin e cilësoi si bashkëpunëtorë të mazhorancës në pushtet. “U themi pushtetarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre në opozitën e opozitës se ne do ta sjellim ndryshimin dhe do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Asgjë nuk është e pamundur, nëse të gjithë jemi bashkë”, - vlerësoi Rama gjatë fjalës së tij.

Një vit nga tragjedia e Gërdecit, opozita zhvillon mitingjet në dy sheshe të ndryshme

“Berisha ik”, detajet e protestës së LSI-së

Organizatorët shmangin përplasjen mes mbështetësve përpara Kryeministrisë

Oli Xhilaga

Nën moton “Berisha ik” koalicioni opozitar i drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi mitingun e protestës kundër qeverisë, një vit pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec. Të mbledhur në sheshin “Nënë Tereza” mbështetës të LSI-së, PSV ’91, Partisë së Gjelbër dhe disa organizatave që përfshihen në këtë koalicion opozitar, kanë marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur përpara godinës së Këshillit të Ministrave. Duke shmangur një përballje me një tjetër miting proteste të organizuar nga Partia Socialiste, duket se organizatorët kanë shpejtuar për t’u zhvendosur drejt godinës së Kryeministrisë, ku ishte vendosur edhe një podium, nga ku më pas janë dhënë mesazhet politike nga secili drejtues subjekti.

Parullat

“Berisha ik” ka qenë parulla që më së shumti mbizotëronte në mitingun e koalicionit opozitar të drejtuar nga LSI-ja. Por, ashtu si dhe disa muaj më parë, organizatorët nuk kanë lënë mënjanë edhe pankartat “Berisha ik sot, nesër është vonë” apo “Me Berishën nuk ka reforma, por viktima”. Edhe në këtë miting, ndonëse zhvillohej në përkujtim të tragjedisë së Gërdecit, organizatorët nuk kanë lënë mënjanë flamujt me simbole të partive politike pjesëmarrëse, sikundër ishin përgatitur me dhjetëra pankarta, që akuzonin Kryeministrin Berisha si fajtor për tragjedinë e Gërdecit.

Protesta

Mitingu me rastin e njëvjetorit të tragjedisë së Gërdecit organizuar nga koalicioni i drejtuar nga LSI-ja është zhvilluar në dy faza dhe ka zgjatur për rreth 45 minuta. Faza e parë ka konsistuar në mbledhjen e njerëzve në sheshin përpara Universitetit të Tiranës dhe më pas ata kanë marshuar në heshtje përgjatë bulevardit. Faza e dytë ishte konceptuar nga organizatorët me fjalime të drejtuesve politikë, që kanë konsistuar në akuza ndaj qeverisë dhe liderit të PS-së. Forcat e rendit kanë vëzhguar në distancë protestën, me përjashtim të policëve që ishin vendosur në formë kordoni përpara godinës së qeverisë.

Makbule Çeço

Një prej drejtuesve të PSV ’91, Makbule Çeço, e pranishme në miting, tha se ishin mbledhur për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për t’i thënë “ndal!” revanshit kushtetues. “Jemi mbledhur në kujtim të viktimave të pafajshme, që i vrau dora e shtetit, që është bërë palë me të keqen. Jemi mbledhur për t’i thënë ‘ndalë!’ një pjese të opozitës, që është bërë palë me shtetin e së keqes”, - tha Çeço.

Zyhdi Kroi

Ish-ushtarakëve u është bërë thirrje dje të jenë në mbështetje të LSI-së. Ndërsa ka premtuar votat e tyre për këtë forcë politike në zgjedhjet e 28 qershorit, ish-ushtaraku Zyhdi Kroi, duke përshëndetur mitingun e LSI-së, u ka bërë thirrje ish-ushtarakëve dhe familjeve të votojnë LSI-në, pasi është e vetmja forcë politike që ka deklaruar se do të zbatojë ligjin e vitit 2005 për pensionet e ushtarakëve.

Artur Zheji

Analisti Artur Zheji, pjesëmarrës në mitingun e LSI-së, u shpreh dje se protesta tregon forcën reale të LSI-së dhe opozitës reale në vend. Sipas tij, sondazhet e publikuara gjatë muajve të fundit janë thjesht shifra të shitura. “Ky është një çast i madh historik, i cili i thotë ‘jo’ kastës, u thotë ‘jo’ monopoleve. Sa turp që socialistët kanë marrë porosi të mos kenë në duart e tyre pankartat «Berisha ik»”, tha Zheji.

Mehdi Pogaçe

Një tjetër drejtues i shoqatës së ish-ushtarakëve, Mehdi Pogaçe, ka qenë i pranishëm në mitingun e organizuar nga Partia Socialiste dhe partitë e saj aleate në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Pogaçe ka shprehur mbështetjen e ish-ushtarakëve për opozitën e drejtuar nga Rama, duke e cilësuar tragjedinë e Gërdecit si një krim. Ai u shpreh se zgjedhjet e 28 qershorit do të sjellin ndryshimin.

Petro Koçi

Berisha dhe Rama - fajtorë për Gërdecin

Kryetari i PSV ’91 Petro Koçi e cilësoi dje një krim të pastër shtetëror tragjedinë e ndodhur në Gërdec më 15 mars 2008. “Gërdeci nuk ishte një aksident, por një krim që ka për fajtor Kryeministrin Sali Berisha dhe për bashkëpunëtor të tij Edi Ramën”, - tha Koçi në fjalën drejtuar protestuesve të vendosur përpara godinës së Këshillit të Ministrave. Sipas kreut të PSV ’91, nëse opozita do të ishte e bashkuar që para një viti, kjo qeveri nuk do të ishte sot në pushtet, por do të ishte në opozitë. “Shoqëria jonë ka nevojë për drejtësi dhe, nëse nuk vendoset drejtësia mbi tragjedinë e Gërdecit, ky vend s’ka për të pasur kurrë drejtësi. Vendi ka nevojë për një qeveri të ndershme dhe të mirë. Vendi më 28 qershor do të votojë jo për sondazhet, por për ato që prodhon dora dhe zemra e çdo shqiptari”, - tha Koçi.

Tragjedia e Gërdecit, kreu i LSI akuza ndaj Berishës dhe Ramës

Meta: Do të hedhim në koshin e plehrave sondazhet

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi dje se kërkesa “Berisha ik” është thirrje e të gjithë shqiptarëve, në të gjithë Shqipërinë. Duke folur në mitingun e organizuar me rastin e 1-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, Meta tha se “më 28 qershor ne do ta heqim këtë të keqe të Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Referuar tragjedisë së Gërdecit, kreu i LSI-së theksoi se një vit më parë në Gërdec, për shkak të korrupsionit të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij, humbën jetën 26 njerëz. “Ai që veshi me të zeza nënat e Vlorës më 1997, veshi me të zeza edhe nënat dhe motrat tona në Gërdec. Prandaj ai duhet të ikë. Berisha ka rrezikuar në mënyrë ekstreme jetën e shqiptarëve, ndaj ai duhet të ikë”, - tha Meta. Më tej ai theksoi se “ne kemi vënë të parët gishtin ndaj Berishës më 15 mars si shkaktar të tragjedisë në Gërdec, kur të tjerët, për fat të keq, i fërkonin shpatullat atij”. Në fjalën e tij Meta nuk la pa sulmuar as kreun socialist Edi Rama, të cilin e ka akuzuar si bashkëpunëtor të Kryeministrit Berisha. “Ne nuk kemi pasur asnjë iluzion për Berishën, por janë të tjerë ata që jo vetëm bashkëpunuan me të, por na e bënë Kushtetutën blu, njëlloj me ngjyrat e flamurit të partisë së Berishës”, - tha Meta. Sipas tij, ata e ndryshuan Kushtetutën që krimi i Gërdecit të qëndrojë i fshehur. Për kreun e LSI-së Kryeministri Berisha duhet të ikë që shqiptarët të votojnë të lirë dhe që në Shqipëri të vendoset një herë e mirë drejtësia. Gjithashtu Meta nuk ka lënë pa komentuar edhe rezultatet e sondazheve zgjedhore, që e nxjerrin LSI-në forcë të tretë politike me 5 % të votave. “Ne do të hedhim në koshin e plehrave sondazhet që mbrojnë Berishën dhe bashkëpunëtorin e tij. Ne do të hedhim në kosh sondazhet e televizioneve që mbrojnë korrupsionin”, - tha Meta. Sipas tij, në këtë vend nuk mund të ketë një ndryshim radikal dhe të vërtetë, nëse më 28 qershor shqiptarët nuk ndëshkojnë me votë Kryeministrin Sali Berisha dhe qeverinë e tij.

Gjinushi akuza Kryeministrit Berisha

“Ka ngatërruar bluzën e mjekut me të kasapit”

Kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi u shpreh dje se në tragjedinë e Gërdecit nuk plasën vetëm depot e municioneve, por edhe korrupsioni qeveritar. Në fjalën përshëndetëse në mitingun e organizuar nga Partia Socialiste Gjinushi tha se “jemi këtu për t’u bashkuar dhe për të fituar në zgjedhjet e qershorit, që në Shqipëri të mos ndodhin Gërdecë të tjerë”. Duke akuzuar qeverinë dhe Kryeministrin Berisha për tragjedinë e ndodhur më 15 mars 2008 në Gërdec, Gjinushi tha se kjo qeveri nuk është në krah të drejtësisë, por të krimit. “Berisha nuk bashkëpunon me drejtësinë dhe dëshmitarët për të zbuluar krimin, por bashkëpunon me kriminelët. Kjo është qeveria e skandaleve, që nisin me skandalet korruptive dhe përfundojnë me skandalin e fundit seksual”, - tha kreu socialdemokrat. Sipas tij, në njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit Berisha kërkon një mandat të dytë qeverisës për të bërë një tjetër Gërdec. “Ai flet për rritje ekonomike me përqindje të larta, por shifrat që jep ai të kujtojnë përqindjet e ‘Sudes’. Për të zënë një vend në administratën e Saliut duhet të shkosh me rroba banje, dhe këto janë skandalet e kësaj qeverie. Por për të zgjidhur këtë krizë të rëndë mjafton të largosh Sali Berishën nga pushteti, mjafton të largosh njeriun që ka ngatërruar bluzën e mjekut me atë të kasapit”, - tha Gjinushi.

Mitingu i opozitës

Lule, heshtje dhe muzikë funebër në Gëdec

Drejtuesit më të lartë të partive opozitare vendosën dje lule në vendin simbolik të shpërthimit të ndodhur një vit më parë në Gërdec. Në heshtje, pa fjalime, të pranishmit, mes të cilëve kreu socialist Edi Rama, i shoqëruar nga i biri Gregori, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së Milo, kreu i “G-99” Erion Veliaj, rreth mesditës, ashtu siç kishin paralajmëruar, nisën protestën kundër qeverisë dhe në kujtim të viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008. Protesta e organizuar nga PS-ja dhe aleatët e saj ka kaluar në disa faza deri në mbylljen e saj në sheshin përpara godinës së qeverisë. Gjatë qëndrimit në Gërdec drejtuesit e opozitës kanë shmangur fjalimet, ndërsa në sfond gjatë gjithë ceremonisë ishte muzika funebër. Më tej një flamur gjigant është shpalosur nga shoqata “Gërdeci”, flamur që është marrë fillimisht në duar nga njerëzit që janë prekur drejtpërsëdrejti nga tragjedia e Gërdecit dhe që kanë bërë një marshim në heshtje nga ky fshat drejt Bashkisë së Vorës. Në fazën e dytë të protestës flamuri gjigant me shqiponjën dykrenore është valëvitur përgjatë gjithë autostradës. Në pjesë të ndryshme të autostradës flamuri i përmasave të mëdha ka kaluar në duar të grupimeve që i janë përgjigjur thirrjes së PS për të krijuar së bashku koalicionin qytetar, përtej ngjyrave partiake, por vetëm me simbolet tona kombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›