E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, përgjimet e telefonave në qeli

TIRANË- Të akuzuarit kryesorë për skandalin e tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxholli e disa të tjerë, kanë vazhduar të komunikojnë lirshëm edhe gjatë kohës që ndodheshin në burg.


Secili prej tyre ka pasur një telefon celular, me anë të të cilit fliste me njerëzit e afërm, avokatët, por edhe persona të tjerë. Por, asnjë prej tyre nuk ka dyshuar se telefonat përgjoheshin nga prokuroria.


Në dosjen "Gërdeci", një kopje e së cilës ndodhet në redaksinë e "Shekulli"-t, ndodhen të gjitha përgjimet e kryera nga prokuroria në lidhje me këtë çështje. Për secilin përgjim, prokuroria ka marrë leje në gjykatë. Përgjimet kanë nisur më 16 mars 2008, një ditë pas shpërthimit tragjik të Gërdecit dhe kanë vazhduar për një kohë shumë të gjatë.


Në dosjen e prokurorisë tregohet se edhe pse ishte në qelinë e burgut, Mihal Delijorgji mbante një telefon celular me numrin 0693384370. Me këtë telefon ai komunikonte çdo ditë me personat jashtë, por edhe me të burgosurit e tjerë.


"Dyshojmë se shtetasja, Vjollca Delijorgji, bashkëshortja e Mihalit, transmeton komunikime me personin nën akuzë dhe me masë sigurimi arrest me burg, çmoj që është rasti të përgjohet telefoni celular me nr. 06820*****",- thuhet në një prej kërkesave të prokurorisë.


Afati i përgjimit ishte 15 ditë, por në rastet kur zbuloheshin detaje të reja, shtyhej edhe më. Të gjitha përgjimet janë kryer dhe më pas transkriptuar nga Qendra Kombëtare e Përgjimeve. Në disa raste të tjera janë përgjuar Mihal Delijorgji dhe e shoqja, Vjollca, të cilët diskutojnë për çështjen.


Në disa raste, të pandehurit nervozohen dhe zihen me njëri- tjetrin. I tillë është rasti i Ylli Pinarit, drejtorit të MEICO-s dhe Shkëlzen Madanit, sekretarit të përgjithshëm të ministrisë.

"Të njoftoj se do të bëj publike në media bëmat e tua dhe përdorimin për t'u mbrojtur në prokurori të eprorit tënd trafikant", - ky sms është shkëmbyer mes Pinarit dhe Madanit më datë 17 mars, vetëm dy ditë pas ngjarjes tragjike. Por, vetëm 10 minuta më pas, Madani ndërron mendje dhe telefonon Pinarin.

"Nga emocioni e kisha Yllo, mos çaj kokë, Shkëlzeni jam",- është fjala e parë e bisedës. Më pas, Madani i kërkon Pinarit një material, por ky i fundit i përgjigjet që ndodhet në Drejtorinë e Policisë dhe nuk e ndihmon dot. Atë ditë Pinari u arrestua nga policia.


Në një prej bisedave të përgjuara dallohen edhe pazaret që bëhen për dënimet e mundshme. Kështu, për Delijorgjin, avokati ka kërkuar 50 mijë euro që në shkallë të parë të dënohet me shtatë vjet burg.


Më pas, në apel të kalojë me dy vjet burg. Për këtë gjë duheshin edhe 15 mijë euro të tjera. Në bisedë flitet edhe për një marrëveshje që mund të arrihej me një prej prokurorëve.


------------------------------------------------------------------------------------------------------------


Dëshmia e sekretares për faksin "fundos" djalin e Kryeministrit dhe të përzgjedhurin e tij për kryetar të PD-së së kryeqytetit

Lidhja e Shkëlzen Berishës dhe Bumçit me Gërdecin


TIRANË- Lidhjet e djalit të Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, dhe Gërdecit, e kanë zanafillën që në gjenezën e projektit që do të shndërrohej muaj më vonë në një tragjedi me 26 të vdekur dhe më shumë se 300 të plagosur. Shkëlzen Berisha është interesuar për projektin që në momentin kur po përgatitej kuadri ligjor i çështjes.


Në atë kohë, ministër i Drejtësisë ishte Aldo Bumçi. Por, edhe pse faktet implikojnë qartë djalin e Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Aldo Bumçi, në skandalin e Gërdecit, ata jo vetëm që nuk janë marrë të pandehur, por as janë marrë në pyetje për të shpjeguar çështjen.


Ministria e Mbrojtjes kishte përgatitur kuadrin ligjor, por duhej miratimi i Ministrisë së Drejtësisë. Të gjitha materialet kaluan tek ministri Bumçi dhe stafi i tij, i cili pasi i pa, vendosi miratimin. Por, në këtë pikë, Bumçi tradhtohet nga një faks. Ai i dërgon një prej materialeve Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbi të shkruan me dorën e tij: "Për Shkëlzen Berishën".


Vetë Bumçi e ka mohuar këtë fakt kohë më pas, por faksi ndodhet në materialet e dosjes që tashmë prokuroria ka depozituar në gjykatë. Për të provuar se kush e ka vendosur shënimin mbi faks janë marrë në pyetje sekretaret e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes. Pikërisht sekretarja që ka dërguar faksin ka njohur edhe shkrimin e shefit të saj, Aldo Bumçi.


Sekretarja quhet Anjola Agolli dhe, teksa është marrë në pyetje, ajo ka deklaruar se në kohën kur është dërguar faksi, sekretarja tjetër ishte me leje dhe ajo ka mbuluar të dyja turnet. "Ministri Bumçi shkruante me një lloj stilolapsi me bojë, por që shkruante si stilograf. Në rastin konkret shikoj që shënimi "për trajtim" është i ministrit Bumçi.


Firma nuk duket si ajo e ministrit Bumçi dhe nuk e identifikoj dot. Më kujtohet kur e kam nisur faksin dhe shënimi i vendosur me shkrim dore tek cepi i majtë lart: "Për z. Shkëlzen Berisha", është shkrimi i ministrit të asaj kohe, Aldo Bumçi. Këtë faks e kam nisur unë për tek Ministria e Mbrojtjes",- thotë në dëshminë e saj ish-sekretarja e ministrit Aldo Bumçi.


"Ministri më udhëzoi që t'ia nisja Ministrisë së Mbrojtjes me faks shkresën që kishte vënë shënimin "Shkëlzen Berisha".


Nga Ministria e Mbrojtjes më ka marrë një zë femre dhe më ka thënë se ata nuk kishin asnjë njeri me atë emër. Unë i kam thënë që ma kanë dhënë faksin për ta nisur dhe se unë vetëm po nisja faksin",- thotë në dëshminë e saj Anjola Agolli.


Ajo ka vazhduar bisedën me personin tjetër, i cili insistonte se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kishte asnjë Shkëlzen Berisha, por një Shkëlzen Madani.


Lidhja Shkëlzen Berisha-Aldo Bumçi nuk ka ekzistuar vetëm në letra, por edhe në takime konkrete. Sekretarja e ministrit Bumçi ka dëshmuar për disa takime të zhvilluar në zyrën e këtij të fundit në Ministrinë e Drejtësisë.


"Unë njoh një shtetas me emrin Shkëlzen Berisha, i cili ka ardhur dy herë për të takuar ministrin Aldo Bumçi në zyrë. Rasti i parë ka qenë me fillimin e punës si ministër të zotit Aldo Bumçi.


Unë e kam parë kur po dilte nga zyra ku ishte futur gjatë kohës që në turn ishte sekretarja tjetër, Rovena.


Rastin e dytë nuk e kujtoj saktë si muaj, por mbaj mend se më kanë njoftuar nga sporteli e më kanë thënë se zoti Shkëlzen Berisha do të takojë ministrin",- ka pohuar sekretarja.


-----------------------------------------------------------------------------------------------------


Zbardhen bisedat telefonike të familjes Berisha me Mihal Delijorgjin dhe Fatmir Mediun, ditën e shpërthimit të Gërdecit


Delijorgji fliste në telefon me Shkëlzen Berishën


Implikimi i djalit të Kryeministrit, Sali Berisha, në çështjen e Gërdecit dallohet qartë edhe në thirrjet telefonike të kryera menjëherë pas shpërthimit të tmerrshëm të 15 marsit 2008.


Edhe pse prokuroria ka anashkaluar numrin e tij dhe nuk e ka mbajtur në vëzhgim, ai del në bisedat me Fatmir Mediun. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, Fatmir Mediu ka njoftuar familjen Berisha për atë që ka ndodhur.


Ai ka marrë në telefon Sali Berishën dhe më pas djalin e tij, Shkëlzenin, duke i treguar për Gërdecin. Por, emri dhe numri i Shkëlzen Berishës del edhe në tabulatet telefonike të Mihal Delijorgjit, njeriut që ka arkitektuar të gjithë Gërdecin.
Midis Fatmir Mediut dhe Shkëlzen Berishës janë shkëmbyer 26 biseda dhe mesazhe telefonike.


Në orën 14.08 të ditës së shpërthimit, Fatmir Mediu ka marrë në telefon Shkëlzen Berishën. Ata kanë folur për 74 sekonda mes tyre. Një tjetër telefonatë është regjistruar në orën 16.31 dhe kohëzgjatja e saj është 37 sekonda.


Dhjetë minuta më pas, Shkëlzen Berisha dhe Fatmir Mediu kanë shkëmbyer një tjetër telefonatë mes tyre. Në këtë kohë, telefonatat janë bërë shumë të shpeshta. Telefonata tjetër mban orën 17.06. Pas kësaj, qetësi telefonike.


Shkëlzen Berishës duket se nuk i kanë mjaftuar fjalët e Fatmir Mediut në lidhje me Gërdecin. Ai ka mbajtur lidhje të vazhdueshme edhe me arkitektin e tragjedisë, Mihal Delijorgjin. Mes tyre janë regjistruar të paktën 56 telefonata.


Ata kanë komunikuar 55 herë me njëri- tjetrin, nga data një janar 2008 deri më 15 mars 2008, dita e tragjedisë. Këtë ditë, Shkëlzen Berisha dhe Mihal Delijorgji kanë komunikuar vetëm një herë. Në orën 12.48, Berisha dhe Delijorgji kanë biseduar për 54 sekonda në telefon. Që nga ky moment nuk del më asnjë bisedë mes tyre.


Ndërsa me Sali Berishën, Fatmir Mediu ka folur fillimisht një orë përpara shpërthimit tragjik. Deri në momentin e shpërthimit ata kanë zhvilluar edhe një tjetër bisedë, ndërsa në 12.17, vetëm dhjetë minuta pas ngjarjes, Fatmir Mediu i ka telefonuar Berishës, duke i treguar atë që kishte ndodhur në Gërdec.


Një tjetër telefonatë në orën 12.19 dhe më pas pushim, deri në orën 17.09, kur rinisin telefonatat dhe mesazhet telefonike. Vetëm ditën e tragjedisë, Fatmir Mediu dhe Sali Berisha kanë komunikuar 12 herë mes tyre.



 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›