E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali- Shqipëri, plan operacionesh të përbashkëta

POLICIA


Policia Shqiptare dhe ajo italiane firmosin një plan të përbashkët veprimi, në kuadrin e luftës kundër krimit të organizuar, prostitucionit, trafikut te armëve dhe trafiqeve të tjera te paligjshme.


Për palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, gjatë një vizitë që ky i fundit pati në Itali gjatë dy ditëve të fundit. Delegacioni i Policisë Shqiptare ishte ftuar nga Drejtori i Policisë Italiane, Antonio Manganelli, që nënshkroi planin e veprimit të përbashkët për palën italiane.


Plani i veprimit synon që autoritetet policore të të dy shteteve të kenë një plan të përbashkët për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet e tjera të paligjshme. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë u takua edhe me drejtuesit e Policive të Ballkanit, si me atë të Maqedonisë, Rumanisë, Malit të Zi dhe të Serbisë.


Qëllimi i këtyre takimeve ishte që Policia e vendeve fqinje duhet të ketë nisma të përbashkëta për të luftuar çdo aktivitet kriminal që shfaqet në brigjet e Adriatikut dhe më gjerë. Pjesë e delegacionit shqiptar, që ishte ftuar për të marrë pjesë dhe në festën e policisë Italiane ishte dhe Zv/ministri i Brendshëm, Gent Strazimiri.


Ditën e fundit të qëndrimit në Itali , delegacioni shqiptar, zhvilloi një takim me Komandantin e ROS-it, Gjeneral Ganzer, ku u bisedua në lidhje me raportet e bashkëpunimit dhe mundësinë e krijimit të grupeve të përbashkëta të hetimit, për të luftuar grupet e trafikut ndërkombëtar të drogës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›