Trafiku me studentët, dy të arrestuar
Pronarja e një agjencie turistike, Iris Çekani dhe një person tjetër arrestohen me akuzën e trafikut të klandestinëve
Dërgohen për ndjekje penale edhe katër persona në gjendje të lirë me akuzat e favorizimit për kalim të paligjshëm të kufirit
TIRANË - Dy persona janë arrestuar nga Policia e Shtetit, për trafikun e klandestinëve të cilët ishin rreshtuar përmes studentëve, të universiteteve të ndryshme të Tiranës, për një guidë në disa prej vendeve kryesore të Mesdheut, të riatdhesuar nga Trieste e Italisë dy ditë më parë.
Ndërkaq, edhe katër të tjerë do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë pas skandalit të pajisjes me viza hungareze të 167 studentëve shqiptarë. Të arrestuarit dhe të ndjekurit penalisht dyshohen nga policia si organizatorë të udhëtimit turistik të studentëve, që kishin si qëllim të vizitonin disa shtete Evropiane.
Dy të arrestuarit janë, Iris Çekani, 37 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë, administratore e agjencisë së udhëtimit që organizoi udhëtimin e studentëve, si dhe Valter Mirashi, 21 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, student i vitit të dytë për Drejtësi në një nga universitetet private në kryeqytet.
Arrestimi i administratores së agjencisë së udhëtimit dhe njërit prej studentëve që ishte pjesë e grupit prej 167 studentësh, është kryer dje nga Policia e Shtetit.
Ndalimi është kryer një ditë pas kthimit të gjithë grupit të studentëve në Portin e Durrësit dhe sipas bluve, të ndaluarit akuzohen për organizim dhe favorizim të kalimit të paligjshëm të kufirit, nga një grup prej rreth 80 vetësh.
Një ditë më parë, numri i studentëve thuhej se ishte 157 ndërsa policia ka konfirmuar se të riatdhesuarit ishin 167 persona që u bllokuan në Trieste, pas anullimit të vizave nga autoritetet hungareze.
Ndalimi është realizuar nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Durrës si dhe nga drejtoritë e Policisë së Tiranës dhe Durrësit.
Lajmi është bërë i ditur dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, e cila në njoftimin zyrtar të saj sqaron se përveç dy të arrestuarve, në lidhje me skandalin e pajisjes së studentëve shqiptare me vizave hungareze, do të ndiqen penalisht dhe katër persona të tjerë. Marios Rizai, Taulante Bega, Nazmi Zeneli dhe Ada Qedhimi, sipas policisë, do të hetohen në gjendje të lirë për falsifikim të dokumenteve.
Pas arritjes në portin e Durrësit të tragetit "Venecia" me studentët e universiteteve private të Tiranës, të kthyerit kanë kaluar nëpër një hetim për të verifikuar listat e personave që kishin marre vizë si studentë dhe nga hetimi i policisë ka rezultuar se disa prej pjesëtarëve të grupit nuk ishin të tillë.
Burimet zyrtare të policisë pohojnë se arrestimi i dy personave të lartpërmendur, është bërë pasi me datë 6 maj 2009, agjencia e udhëtimit që mori përsipër pajisjen e studentëve me viza ka mashtruar për destinacionin e udhëtimit nga Sllovenia në Spanjë dhe ka arritur që të sigurojë nga Ambasada Hungareze në Tiranë 167 viza turistike.
Në listën e marrjes së vizave, përveç studentëve të universiteteve private, janë futur dhe persona të tjerë që nuk kanë qenë studentë. Sipas policisë, këta persona me dokumentacion të falsifikuar, kanë patur si qëllim përfitimin e parregullt të vizave që të kalonin kufirin për të qëndruar në një nga shtetet Evropiane.
Dyshime për persona të tjerë të implikuar
Për të zbardhur plotësisht destinacionin e udhëtimit dhe mënyrën e pajisjes së studentëve me viza është ngritur një grup hetimor, që do të intervistojë të gjithë studentet e kthyer nga Trieste.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme Policisë së Shtetit tregojnë se po hetohet për të vërtetuar nëse ka patur persona të tjerë të përfshirë në procedurat e pajisjes së studentëve shqiptarë me viza hungareze.
Të arrestuarit nga policia akuzohen për veprat penale të "Korrupsionit pasiv në sektorin privat", "Falsifikimit të dokumenteve më shumë se një herë", "Mashtrim për qëllim fitimi", "Zbatimit të ligjit penal ndaj personave juridike", të kryer në bashkëpunim. Studentët u nisën nga Porti i Durrësit ditën e mërkurë dhe ndalesa e tyre e parë dhe e fundit ishte Trieste.
Guida e udhëtimit të studentëve vazhdonte me udhëtim në bregdetin e Francës, Spanjës dhe disa vende të tjera Evropës.
Policia kufitare italiane nuk i ka lejuar studentët që të zbresin nga anija , pasi vizat e tyre ishin anuluar nga Ambasada Hungareze në Tiranë. Studentët nga Shqipëria mbetën të bllokuar për pesë ditë në portin e Triestes, derisa morën vendimin për t'u kthyer në Shqipëri.
Studentët ishin pjesë e disa universiteteve private në vend, që ishin bërë gati për të vizituar disa vende të Evropës, por pas anulimit të vizave të tyre dhe qëndrimit disa ditë në Trieste studentët u kthyen dje në Shqipëri.
167 persona që udhëtonin nga Durrësi në drejtim të Italisë me viza hungareze u riatdhesuan nga autoritetet policore italiane dy ditë më parë, pasi vizat ishin anulluar nga lëshuesit e tyre.
80 persona dyshohej se ishte përafërsisht numri i personave që ishin pajisur me viza studentësh, nga ambasada hungareze në Tiranë, të cilët në të vërtetë nuk ishin studentë por kontigjent për trafik.
6 persona në total, akuzohen në lidhje me organizimin e trafikut të klandestinëve nëpërmjet vizave të përfituara në ambasadën hungareze në Tiranë, me qëllim kalimin në drejtim të klandestinëve në vende të ndryshme të BE- së.
2 persona janë arrestuar nga Policia e Shtetit paraditen e djeshme me akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe organizimit dhe favorizimit për kalim të paligjshëm të kufirit.