E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci plasi për 1 sekondë, gjyqi i fajtorëve s’po nis kurrë

24/09/2009  Seancat shtyhen për mungesë të avokatëve të palës mbrojtëse, dorëzohet gjykata

TIRANË-Seanca e radhës kundër të pandehurve që akuzohen për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec shtyhet sërish. Përsëri kanë qenë avokatët mbrojtës ata që u bënë pengesë për moszhvillimin e seancës edhe pse trupi gjykues dhe organi i akuzës ishin të pranishëm. Gjykata është shprehur për gjykim të pandërprerë të procesit, por nga ana e avokatëve një vendim i tillë është i vështirë për shumë arsye. Një nga këto arsye janë avokatët e shumtë të procesit, të cilët asnjëherë nuk janë të një mendimi dhe nuk mund të grumbullohen në një ditë për angazhime në gjykata të tjera. Kështu dje nuk ishte i pranishëm avokati Artan Kodheli. Ky avokat ka munguar edhe në seancën e parë gjyqësore. Ndërkohë që dje nuk kishte asnjë njoftim për mungesën e tij. Gjykata vendosi dje të bëjë zëvendësimin e avokatit mbrojtës me një avokat kryesisht. Salla e madhe e gjykatës së Tiranës ishte e mbushur me familjarë. Këta të fundit reaguan për mënyrën se si po ecën procesi gjyqësor. Pas verifikimit të palëve në proces dhe mungesës së avokatëve mbrojtës gjykata u detyrua që me kërkesë të organit të akuzës të pezullojë afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit e arrestuar deri në seancën e radhës. Procesi për çështjen "Gërdeci" numëron 29 të pandehur nga Prokuroria, shumë nga të cilët ish- funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë shqiptare, nga të cilët 4 janë duke u proceduar nën masën e sigurisë së "arrestit me burg", ndërsa të tjerët në gjendje të lirë. Këta persona akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të vitit 2008 në Gërdec kur si pasojë e shpërthimit në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake humbën jetën 26 persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›