E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, policia nuk gjen vendndodhjen e Rrahman Selmanllarit



Laureta Rryçi

Policia nuk ka mundur dot të gjejë vendndodhjen e biznesmenit Rrahman Selmanllarit. Sipas shkresës zyrtare që policia ka dërguar në procesin për tragjedinë e Gërdecit, Selmanllari kishte vendbanim të ri dhe pavarësish kërkimeve disa ditore, është e pamundur të gjendet adresa e re. Selmanllari kërkohet nga Prokuroria si dëshmitar në këtë proces, që prej tri seancash mirëpo ende nuk është bërë e mundur prezenca e tij në sallën e gjyqit.
Vendimi
Për shkak të pushimeve, Gjykata e Tiranës ka mbyllur sezonin e proceseve për tragjedinë e Gërdecit, duke e shtyrë takimin me palët për të hënën e parë të vjeshtës që i bie tre shtator. Ndërsa të pandehurit do të presin çeljen e gjyqit në paraburgimin 313, muaji gusht që ata do qëndrojnë në qeli nuk do t'u llogaritet si kohë paraburgimi. Kjo pasi sipas gjykatës kjo seancë e fundit u shty për shkak të avokatëve mbrojtjes. Por, ky vendim i gjykatësit Ridvan Hado nuk u prit mirë nga avokati Maks Haxhia i cili kërkoi që gjyqi të zhvillohej edhe dy seanca të tjera deri në fund të korrikut, atëherë kur nis edhe sezoni veror i gjykatësve. Kjo kërkesë nuk u mor parasysh. Dështimi i seancës së fundit të këtij sezoni u kuptua qëkur gjykatësit hynë në sallë plot një orë e gjysmë me vonesë, mungesë e cila reflektoi rrëmujë mes avokatëve.
Seanca
Pavarësish zërave të korridoreve që u përfolën gjatë një ore e gjysmë pritje se kishte mosmarrëveshje mes treshes gjykuese të këtij procesi, për shtyrje apo jo të gjyqit, kur gjykatësi Ridvan Hado u ul në tribunë ai e argumentoi vonesën se njëra nga koleget e tij nuk ishte ndjerë mirë nga ana shëndetësore. Ndërsa gjykata kishte thirrur për të dëgjuar dëshmitë e 24 personave mes tyre edhe Andi Belliu dhe Rrahman Selmanllarin, kishin pranuar ftesën për të dëshmuar vetëm shtatë persona. E megjithë këtë gjykata arriti të dëgjojë në këtë seancë vetëm pesë prej tyre, sepse gjykatësja Fatmira Hajdari kërkoi pushim gjysmë ore për t’u qetësuar. Por, pas 30 minutash pritjeje disa nga avokatët nuk u rikthyen në sallë çka i dha mundësinë gjykatës mos ta shtynte procesin për shkak të vetes, por për mungesë të mbrojtjes. Çështja “Gërdeci” me rreth 29 të pandehur, 3 në pranga dhe mbi 300 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para Gjykatës, konsiderohet më e madhja në historinë e gjyqësorit. Prokuroria e ka vlerësuar “Gërdecin” si një gabim njerëzor, ndërsa pala e pandehur pretendon për një sabotazh të mundshëm. Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur.

27 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›