E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave: Si do të përllogariten taksat për automjetet



Ministria e Financave ka nxjerrë së fundi një udhëzim të ri që parashikon mënyrën e përllogaritjes së taksave kombëtare vjetore. Në këtë udhëzim përllogariten në veçanti taksat e automjeteve rrugore, te reja dhe të përdorurat. Po kështu në këtë udhëzim parashikohen edhe kategoritë e individëve që përjashtohen nga pagesa e taksave. Në këto kategori përfshihen personat që kanë dëshminë e verbërit, personat që gëzojnë statusin e invalidit, veteranët e luftës etj. Ministria e Financave ka parashikuar edhe formulat e përllogaritjes së taksave në bazë të viteve të përdorimit të automjetit, llojit të karburantit që konsumon, fuqive motorike etj.
Taksa e automjeteve
Në bazë të udhëzimit të ri, taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve i nënshtrohen të gjitha mjetet që janë të regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Kjo taksë arkëtohet nga Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor para kryerjes së kontrollit teknik vjetor. Pagesa e taksës bëhet në çdo kohë, por gjithnjë para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të
detyrueshëm të mjetit. Vlera e taksës është vjetore, pavarësisht nga momenti në të cilin ajo paguhet. Mjetet që regjistrohen për herë të parë, në momentin e targimit të tyre, paguajnë vlerën e taksës në raport me kohën e hyrjes në qarkullim në territorin e Shqipërisë. Në rast se mjeti targohet në muajin janar, taksa paguhet e plotë, ndërsa për periudhën në vazhdim në raport me muajt e hyrjes në qarkullim, pavarësisht datës së muajit. Kështu, në rast se një mjet targohet në 28 shkurt, vlera e taksës së qarkullimit është e barabartë me vlerën e taksës sipas tipit të mjetit, pjesëtuar me 12 dhe shumëzuar me 11, që janë muajt në përdorim. Pagesa e kësaj takse shoqërohet me faturë, me pullën e taksës, si dhe biletën me numër serial. Për mjetet që dalin përfundimisht nga qarkullimi, vlera e taksës do të jetë e barabartë në raport me periudhën, që mjeti ka qenë në qarkullim.
Taksa e automjeteve të përdorura
Taksa e mjeteve të përdorura të transportit llogaritet sipas një formule të parashikuar në udhëzimin e ri të Ministrisë së Financiare. Formula parashikon përllogartijen e cilindratës në cm3 shumëzim me koeficientin fiks për çdo vit përdorimi, shumëzim për taksën fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën, dhe 20 lekë për benzinën. Koeficienti për vitet e përdorimit është: për autoveturat 0,5 për çdo vit përdorimi; për mjetet e tjera 0,25 për çdo vit përdorimi. “Vit përdorimi” është diferenca ndërmjet vitit, kur mjeti hidhet në qarkullim të lirë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, me vitin e prodhimit. Detyrimin për pagimin e taksës e ka importuesi në çastin e importimit dhe shitësi në rastin e shitjes brenda vendit. Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor llogarisin dhe arkëtojnë detyrimin tatimor përkatës, sipas procedurave të përcaktuara në këtë udhëzim. Pagesa e detyrimit të taksës bëhet nga shitësi para kryerjes së regjistrimit të aktit të kalimit të së drejtës së pronësisë së mjetit. Taksa e mjetit në momentin e shitjes paguhet në një nga bankat e vendit për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor ose në sportelet e drejtorive rajonale të shërbimeve të transportit rrugor. Blerësi i mjetit, në momentin e paraqitjes së dokumentacionit për regjistrim të mjetit në pronësi të tij pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, duhet që të paraqesë edhe kopje të mandatpagesës së taksës së mjetit në momentin e shitjes.

Personat që përjashtohen nga taksat kombëtare

Përjashtohen nga pagimi i taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve, mjetet në pronësi të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare, që gëzojnë statusin diplomatik, të akredituara në Republikën e Shqipërisë. Sipas udhëzimit të ri përjashtohen edhe personat fizikë ose juridikë, të cilët deklarojnë, brenda muajit janar të vitit në vazhdim, se nuk do të qarkullojnë me mjetet në pronësi të tyre gjatë këtij viti kalendarik, ose do të dalin përfundimisht nga qarkullimi dhe dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor targën dhe lejen e qarkullimit të mjetit. Pagesat e taksës së mjeteve të bllokuara me vendim të gjykatës, prokurorisë etj., për periudhën në të cilën mjeti ka qenë i bllokuar. Lidhur me këtë përjashtim, pronari i mjetit duhet të paraqesë pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit të Transportit kopje të vendimit të gjykatës ose të prokurorisë. Në rast se mjeti zhbllokohet në muajin janar, taksa paguhet e plotë, ndërsa për periudhën në vazhdim në raport me muajt e mbetur të vitit që do të qarkullojë. Përjashtohen nga taksat invalidët dhe veteranët e luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, invalidët e punës, të verbërit, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë që e fitojnë këtë status në bazë të ligjeve përkatëse, kur mjeti është në zotërimin e tyre, dhe përdoret vetëm për nevojat e tyre personale dhe jo për aktivitet privat. Përjashtohen nga pagimi i taksës së mjeteve të përdorura të transportit, në import dhe në shitje, autoveturat tip 4+1 vende dhe me cilindratë jo më shumë se 2500 kubikë, kur këto mjete kalojnë në zotërim të invalidëve e të veteranëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, invalidëve të punës, të verbërve, invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë që e fitojnë këtë status në bazë të ligjeve përkatëse dhe përdoren vetëm për nevojat e tyre personale dhe jo për veprimtari private. Kjo kategori përfiton përjashtimin e kësaj takse sa here tjetërsojnë një mjet, si në import edhe në shitje.
Personat që gëzojnë statusin e invalidit, statusin e invalidit të luftës, statusin e veteranit të luftës, statusin e të verbërit, përjashtohen nga: tarifa për shërbimet konsullore e Ministrisë së Punëve të Jashtme apo e ambasadave tona jashtë vendit; tarifa për përdorimin e aparateve televizive e Radiotelevizionit Publik; tarifa për pajisjen me pasaportë lundrimi e Kapitenerisë së Porteve; tarifa e pajisjes me leje drejtimi e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Personat e sipërpërmendur nuk i përfitojnë këto përjashtime nëse kryejnë veprimtari private si persona fizikë apo juridikë.

Formula e përllogaritjes së taksës për 2010 dhe shembuj konkretë

A. Mënyra e llogaritjes së taksës së mjetit të përdorur të transportit, në vitin 2010 dhe në vitet në vijim. Për të gjitha mjetet e përdorura të transportit (të kapitullit 87 të NKM) që importohen pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe shitjet që do të pësojnë këto mjete brenda vendit, taksa e mjetit të përdorur të transportit do të llogaritet me formulën e përcaktuar me ligj. Në rastin e importimit: Cilindrata në cm3 shumëzim koeficienti fiks për çdo vit përdorimi shumëzim taksa fikse për llojin e karburantit. Në rastin e shitjeve brenda vendit: Taksa për t’u paguar në momentin e shitjes = taksa e mjetit të përdorur të transportit në vitin e shitjes minus taksën e importimit të mjetit të hedhur në qarkullim të lirë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë.

Shembulli 1
Në import:
Në rast se një individ importon në gusht 2010, një makinë tip autoveturë, me cilindratë 1700 cm3, që punon me naftë dhe vite përdorimi 4 vjet ( e prodhuar në vitin 2006), taksa e mjetit të përdorur në momentin e importimit është:
= Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks për çdo vit përdorimi x taksa fikse për llojin e karburantit = 1700*25*0.5*4 = 85 000 lekë.
Në shitjet brenda vendit:
Në rast se ky mjet do të shitet pas 2 vitesh, në vitin 2012, taksa për t’u paguar në momentin e shitjes do të jetë:
Taksa e mjeteve të përdorura të transportit = taksa e mjetit të përdorur të transportit në vitin e shitjes – taksën e importimit të mjetit në momentin e hedhjes në qarkullim (sipas tabelës nr.1 më poshtë)
= 1700*25*0.5*6 minus 1700*25*0.5*4 = 127 500 lekë – 85 000 lekë = 42 500 lekë.
Në rast se individi do ta shesë makinën në një nga vitet e mëtejshme, 2013 ose 2014, llogaritja e formulës bëhet duke u spostuar në tabelën e mësipërme sipas viteve të përdorimit të mjetit.

Tabela nr. 1

Shembulli 2
Në rast se në vitin 2006, një individ ka importur një autoveturë të re me cilindratë 2500 cm3, që punon me benzinë, e prodhuar po në atë vit, dhe në nëntor 2010, kjo makinë do të shitet, qytetari do të paguajë taksën e mjetit të përdorur të transportit si më poshtë :
Taksa e mjetit të përdorur të transportit = taksa e mjetit të përdorur të transportit në vitin 2010 – taksën e importimit të mjetit në vitin 2006
Taksa e mjetit të përdorur të transportit = 2500*20*0.5*4 – 0
Taksa e mjetit të përdorur të transportit = 100 000 lekë
Shënim. Në vitin 2006, në momentin e importimit individi nuk ka paguar taksën e importimit të mjeti,t sepse është autoveturë e re e prodhuar në 2006 dhe e hedhur në qarkullim të lirë në Shqipëri po në vitin 2006. Sipas shembullit 2 do të veprohet edhe në rastet e shitjes së mjeteve të blera me 0 (zero) km brenda vendit nga koncensionarët.
B. Për të gjitha mjetet e përdorura të transportit të cilat janë importuar para hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9769, datë 09.07.2007, në rastin e shitjes së mjetit brenda vendit , taksa e mjetit të përdorur për t’u paguar do të llogaritet me formulën e mëposhtme. Taksa për t’u paguar në momentin e shitjes = taksa e llogaritur e mjetit të përdorur të transportit në vitin e shitjes minus taksën e importimit të mjetit të përdorur , të llogaritur me formulën e ligjit nr. 9769, datë 9.07.2007, pavarësisht nga viti i importimit.

Shembulli 3
Në rast se një individ ka importuar në vitin 2006, një makinë tip autoveturë me cilindratë 1700 cm3, që punon me benzinë dhe vite përdorimi 4 vjet, dhe do ta shesë në gusht 2010, pagimi i taksës së mjetit të përdorur do të jetë si më poshtë.
Taksa e mjetit të përdorur të transportit = taksa e mjetit të përdorur të transportit në vitin e shitjes – taksën e importimit të mjetit të përdorur, llogaritur me formulën e ligjit nr.9769, datë 9.07.2007. Në vitin e shitjes , autovetura ka 6 vite përdorimi.
Taksa e mjetit të përdorur të transportit në vitin e shitjes = 1700*20*0.5*6 = 127 500 lekë
Autovetura në momentin e importimit ka pasur 4 vite përdorimi, për këtë arsye, si koeficient për vitet përdorimi merret 0.0024. Taksën e importimit të mjetit llogaritur me formulën e ligjit nr.9769, datë 9.07.2007 =1700*20000*0.0024 = 81 600 lekë.
Taksa për t’u paguar = 127 500 lekë minus 81 600 lekë
Taksa për t’u paguar = 45 900 lekë
b.1) Në rast se mjeti i përdorur do të rishitet brenda vendit, taksa për t’u paguar do të llogaritet me formulën: Taksa për t’u paguar në momentin e shitjes = taksa e mjetit të përdorur të transportit në vitin e shitjes minus taksa e llogaritur e mjetit të përdorur në vitin e shitjes së mëparshme. Në vijim të shembullit 3, në rast se ky mjet do të shitet pas 2 vitesh, në vitin 2012, taksa për t’u paguar në momentin e shitjes do të jetë:
Taksa për t’u paguar në vitin e shitjes 2012 do të jetë: 1700*20*0.5*8 = 170 000 lekë
Taksa e llogaritur në vitin e shitjes së mëparshme (viti 2010) = 1700*20*0.5*6 = 127 500 lekë Taksa për t’u paguar në shitje në vitin 2010 = 170 000 lek minus 127 500 lekë = 42 500 lekë.

Shembulli 4
Një makinë tip autoveturë e prodhuar në vitin 1986, me cilindratë 2500 cm3, që punon me naftë, është importuar në Shqipëri në vitin 2002. Kjo makinë do të shitet në nëntor 2010. Taksa e mjetit të përdorur për t’u paguar do të jetë:
Taksa e mjetit të përdorur për t’u paguar = taksa e mjetit në momentin e shitjes minus taksa e importimit të mjetit të llogaritur sipas formulës së ligjit nr. 9769, datë 9.07.2007.
Taksa e mjetit të përdorur në momentin e shitjes = 2500 *25*0.5*21 = 656 250 lekë
Taksa e importimit të mjetit llogaritur sipas formulës së ligjit nr. 9769, datë 9.07.2007
= 2500*25000*0.0048 = 300 000 lekë. Taksa për t’u paguar = 656 250 lekë minus 300 000 lekë= 356 250 lekë
C. Për të gjitha mjetet e përdorura të transportit të cilat janë importuar pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9769, datë 9.07.2007, në rastin e shitjes brenda vendit, taksa e mjetit të përdorur për t’u paguar do të llogaritet me formulën e mëposhtme. Taksa për t’u paguar në momentin e shitjes = taksa e mjetit të përdorur të transportit në vitin e shitjes minus taksën e importimit të mjetit të hedhur në qarkullim të lirë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë.

Shembulli 5
Në rast se një individ ka importuar në vitin 2008, një makinë tip autoveturë me cilindratë 1700 cm3, që punon me naftë dhe vite përdorimi 4 vjet, dhe do ta shesë në gusht 2010, pagimi i taksës së mjeteve të përdorura do të jetë si më poshtë.
Taksa e mjeteve të përdorura të transportit të mjetit = taksa e mjetit të përdorur të transportit të mjetit në vitin e shitjes – taksën e importimit të mjetit në momentin e hedhjes në qarkullim të lirë. Në vitin 2010, mjeti ka 6 vite përdorimi, kështu që:
Taksa e mjetit të përdorur të transportit në vitin 2010 = 1700*25*0.5*6 = 127 500 lekë (sipas tabelës nr. 1 më lart)
Në vitin 2008, në momentin e importimit autovetura ka 4 vite përdorimi.
Taksa e importimit të mjetit në vitin 2008 = 1700*25000*0.0024 = 102 000 lekë Taksa e mjetit të përdorur të transportit në momentin e shitjes = 127 500 lekë – 102 000 lekë = 25500 lekë.

27 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›