E Diel, 1 Nëntor 2026

Makinat e përdorura, pronarët shmangin taksat me akte përdorimi



Ervin KOÇI

Edhe shit-blerjes së automjeteve të përdorura duket se i është gjetur “zgjidhja” nga pronarët e vjetër dhe ata të rinj. E gjithë kjo varet në dorë të noterëve të cilët shitjet e automjeteve të përdorura që këtej e tutje do t’i bëjnë formale duke i mbuluar me një akt të thjeshtë përdorimi, i cili shmang fare mirë taksat e larta për automjetet kur ndërrojnë pronësi. :Por aplikimi i taksës së re për automjetet, ka detyruar kohët e fundit shumë qytetarë të bëjnë shitjen e makinës së tyre, përpara se ligji të nisë të zbatohet. Zyrat e noterisë në Tiranë konfirmojnë një fluks në rritje të aplikimeve gjatë dy muajve të fundit. Sipas noterëve, drejtuesit e automjeteve ndjehen të “frikësuar” nga kjo taksë dhe po bëjnë shitjen e makinave pa i zënë efekti i taksës. Këtu bëhet fjalë për automjetet e vjetra, të cilat i janë nënshtruar aktit të shitjes, me qëllim shmangien e taksës së lartë, që do të detyrohen të paguajnë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Nga konstatimet vërehet se dominojnë emigrantët që kthehen për pushime, kryesisht nga Italia, të cilët shesin makinat e përdorura që i sjellin nga zonat ku punojnë dhe jetojnë.

Taksa
Për sa i përket taksës së re për automjetet që Ministria e Financave po e aplikon për të rritur të ardhurat në buxhet, ekonomistët janë të mendimit se ajo, nuk pritet të japë efekte pozitive. Sipas ekspertëve të ekonomisë, shtimi i dëshiruar nga shteti, i të ardhurave në buxhet mund të mos ndodh pasi qytetarët do ta gjejnë shumë shpejt edhe “marifetin” për këtë taksë arbitrate. Edhe në aspektin ekonomik, kjo takse duket e pakuptimtë, pasi në një kohë që vlera e automjetit bie nga viti në vit, taksa pëson rritje dhe ky fakt shihet si një paradoks. Sipas ekspertit të ekonomisë, Gjergj Filipi, “ligji është i mangët, pasi ai nuk parashikon dhe formën se si do të procedohet në rastet kur makina do të blihet me kredi nga bankat. Në këtë rast pronësia e këtij automjeti zyrtarizohet në kohën kur përfundon pagesa e këstit të fundit të kredisë”. Nga ana tjetër, asaj që i frikësohen ekonomistët, është fakti se kjo taksë do të pezullojë shit-blerjen e makinave të përdorura, duke stimuluar ndoshta blerjen e makinave të reja. Filipi vijon më tej në argumentin e tij duke thënë se, “njerëzit nuk stimulohen me këtë taksë, ndaj do të detyrohen të gjejnë forma më pak të kushtueshme, siç mund të jetë akti i përdorimit të një automjeti”. Ligji i ri, parashikon që sa herë shitet një makinë, ajo do t’i nënshtrohet taksës. Qëllimi është përdorimi i makinave të reja, por njëkohësisht mbledhja e parave në buxhet. Aplikimi i kësaj takse dëmton më rëndë makinat e vjetra, çka do të thotë se shitja e tyre me hyrjen në fuqi të saj, do të bjerë ndjeshëm.

Kontrolli
Bashkë me rritjen e taksave në dogana dhe atyre të rishitjes se mjeteve të përdorura, qeveria do të nxjerrë nga qarkullimi një numër të konsiderueshëm automjetesh në vend. Për automjetet që kanë vit prodhimi të largët (mbi 20 vjet) norma e dyoksidit të karbonit të lejuar është më e madhe se ato që janë prodhime të reja. Për shembull, një automjet i prodhuar para vitit 1986 mund të dalë në qarkullim edhe nëse e ka nivelin e dyoksidit të karbonit deri në 4.5 për qind. Por një automjet i vitit 2002 nuk lejohet të dalë në rrugë nëse nivelin e emetimit të dyoksidit të karbonit e ka mbi 0.3 për qind. Në rastet kur vërehen nivele të larta të emetimit të gazrave apo zhurmave, automjeti nuk pajiset me certifikatën e kontrollit teknik, ndërsa drejtuesi duhet të marrë masat për rregullimin e defekteve. Pas ndërhyrjes për përmirësimin e gjendjes teknike të automjetit, ai dërgohet përsëri për kryerjen e kontrollit të nivelit të gazrave, ku do të kalojë mbi të njëjtat procedura. Në mars të këtij viti, Ministria e Transporteve dhe Punëve Publike, bashkë me udhëzimin për kontrollin teknik të automjeteve nxori edhe një manual. Mbi këtë, janë përcaktuar edhe tarifat për kontrollin teknik dhe atë të nivelit të gazrave.

Tarifat
Në rastet e konstatimit të mungesave të automjetit të cilat nuk përbëjnë rrezik për shkaktimin e aksidenteve, kontrollorët i japin një muaj kohë afat përdoruesit që të riparojë defektet dhe të paraqitet përsëri për një kontroll të dytë. Gjatë kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm, pronari i automjetit paguan tarifën standarde. Por në rastet kur kontrollorët e vërejnë defekte të automjetit, i japin atij një afat kohor prej 30 ditësh për t'i riparuar ato me kusht që të kthehet përsëri për një kontroll të dytë. Gjatë rikontrollit të dytë, përdoruesi i mjetit nuk paguan më tarifën e plotë por 40 për qind të saj nëse përdor linjat e kontrollit dhe 20 për qind nëse nuk i përdor ato. Por nëse vërehen përsëri mungesa në automjet, kontrollorët i japin përsëri kohë përdoruesit që t'i riparojë ato. Këtë rast, ai paguan 50 për qind të tarifës standarde në rast të përdorimit të linjave të kontrollit dhe 20 për qind të saj kur nuk përdoren. Nëse përdoruesi i automjetit paraqitet pranë pikës së Kontrollit Teknik pas afatit 30 ditor tarifa paguhet e plotë.

Kriza, emigrantët ulin ndjeshëm investimet në pasuri të patundshme

Gjatë ditëve të fundit në tregun tonë të këmbimit valutor, euro ka pësuar një rënie të ndjeshme kundrejt monedhës kombëtare lekut, duke zbritur deri në kuotën e 135 lekëve. Dobësimi i monedhës europiane ka një ndikim direkt në tregun e pasurive të patundshme, kjo pasi të gjitha transaksionet në këtë treg kryhen në euro, duke filluar nga blerja dhe shitja e apartamenteve, deri tek dhënia me qira e dyqaneve dhe në disa raste edhe e shtëpive. Në këto kushte një euro e dobët e bën të leverdisshëm blerjen e një banese. Agjentët imobiliar shpjegojnë se periudha e verës është më e favorizuara për shitje apartamentesh, edhe për shkak të kthimit të emigrantëve. Këta të fundit përfitojnë nga pushimet, për të vëzhguar tregun e pasurive të patundshme si një mundësi investimi, megjithëse këtë vit niveli i blerjes së banesave nga emigrantët ka qenë i ulët për shkak edhe të ndikimit të krizës globale në vendet ku ata punojnë dhe jetojnë. Nga ana tjetër, çmimet që ofrojnë firmat e ndërtimit nuk janë shumë favorizuese. Sipas agjentëve imobiliar, ndërtuesit që kërkojnë të shesin aplikojnë ulje të çmimit nga 15- 20 për qind, ndërsa firmat që kanë likuiditet mbajnë çmime konstante. Për shkak edhe të nivelit të ulët të shitjeve, situata në sektorin e ndërtimit mbetet e nderë. Nga të dhënat e fundit të INSTAT-it rezulton se, gjatë 3 mujorit të parë të këtij viti, ndërtimi ka shënuar një rënie prej 21,1 për qindësh kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Abuzimi me cilësinë, Konkurrenca gjobit “ARMO”-n me 270 milionë lekë

Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur kompaninë e naftës “ARMO” me 270 milionë lekë për shkak të abuzimit, që ajo ka kryer në tregtimin e naftës “D2” gjatë vitit 2009. Pas një hetimi të thelluar, Autoriteti ka arritur në përfundimin se “ARMO” ka abuzuar me pozitën e saj dominuese, gjatë shitjes së naftës, në kushtet kur ajo e ka pasur këtë të drejtë në mënyrë ekskluzive. Në njoftimin për shtyp, të AK-së thuhet se, “ARMO SH.A., gjatë periudhës nën hetim ka zbatuar çmime dhe kushte të ndryshme tregtimi për veprime të njëjta tregtare me palët, duke vendosur në kushte të pafavorshme konkurrence ndërmarrjet, që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të produktit lëndë djegëse nafte ‘D2’. Ndaj, autoriteti ka vendosur të gjobisë kompaninë me 2.6 për qind të xhiros vjetore të evidentuar gjatë vitit 2009”. Pas privatizimit të kompanisë, qeveria shqiptare nëpërmjet një vendimi, i cili u kundërshtua edhe nga institucionet zyrtare, i dha të drejtë “ARMO”-s, që të tregtonte naftën “D2”, për makineri e pajisje dhe jo për automjete, çka detyroi edhe operatorët e tjerë të tregut të blinin këtë produkt tek kjo kompani. Por më pas, Shoqata e Hidrokarbureve e ankimoi vendimin e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila i dha të drejtë operatorëve të tregut. Kompania “ARMO” pronë e biznesmenit Rezart Taçi, u bë një vit më parë pjesë e debateve të institucioneve fiskale, për shkak të mospagimit të detyrimeve tatimore.

27 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›