Alpha Bank “shënon” në rezultatet e stres test-it mbi bankat europiane
“Alpha Bank” S.A. renditet ndër institucionet financiare që e kaluan me sukses testimin në lidhje me mjaftueshmërinë e kapitalit, i cili u organizua në nivel kontinenti për 91 banka europiane nga Komisioni Europian i Mbikëqyrjes Bankare. Testimi u fokusua në ndikimin e mundshëm në kapitalin e sistemit bankar europian të faktorëve negativ financiarë, siç janë ngadalësimi ekonomik, recesioni dhe rritja e normave të interesit të borxhit të qeverive europiane, të cilët llogaritet të kenë ndikimin e tyre në performancën e bankave. Në Greqi, bankat që iu nënshtruan testimit ishin “Alpha Bank”, “National Bank of Greece”, “EFG Eurobank Ergasias”, “Piraeus Bank”, “Agricultural Bank of Greece”, “TT Hellenic Postbank”. Shtatë banka europiane, ndër të cilat pesë institute financiare spanjolle, një bankë gjermane dhe një bankë greke nuk arritën ta kalojnë me sukses këtë testim, dhe kësisoj do t’i nënshtrohen një plani masash për të rritur kapitalin e tyre, që në total llogaritet të jetë në nivelin e 3.5 miliardë eurove. Ndërkohë, “Alpha Bank” ka pasur rezultatet më të larta në këtë stres-test, duke u rreshtuar në një nivel me banka të tjera ndërkombëtare si “Raiffeisen Bank” dhe “Intesa San Paolo IMI”. Testi vërtetoi perceptimin publik që “Alpha Bank” mund të përballojë situata të vështira përsa i përket cilësisë së aktiveve dhe tregut dhe gjithashtu riskut të normës së interesit. “Alpha Bank” S.A. në një deklaratë për shtyp të datës 23 korrik 2010, i ka pranuar rezultatet e këtij stres testi, si edhe i ka diskutuar ato në mënyrë të detajuar me Bankën Qendrore të Greqisë për të përcaktuar hapat e mëtejshëm në nivel sistemi bankar me qëllim përballimin me sukses të situatës financiare të krijuar kohët e fundit në Greqi dhe në Europë.
27 Korrik 2010