Gërdeci, pretenca: Si u shkel vendimi i qeverisë

Nga gjyqi për tragjedinë e Gërdecit
Prokuroria e Tiranës vazhdoi dje paraqitjen e pretencës së saj në gjykatë ndaj 29 të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit. Përfundime të tjera nga gjykimi, që rëndonin pozitat e të pandehurve VIP të dosjes Gërdeci, të njëjtët që qëndruan për disa muaj në paraburgim pas shpërthimit tragjik, u paraqitën në seancën e djeshme të këtij procesi në Gjykatën e Tiranës. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Mihal Delijorgji porosiste me telefon tek zyrtarë të lartë të Ushtrisë dhe shefi i Shtabit ngarkesat e municionit; i pandehuri Ylli Pinari shkonte shpesh në Gërdec dhe dinte çndodhte atje; ndërsa i pandehuri Dritan Minxolli lejonte fëmijë të ndihmonin prindërit gjatë demontimit të municioneve. Pas dy seancash radhazi të dështuara, katër prokurorët e procesit vijuan dje leximin e materialit voluminoz prej 500 faqesh të pretencës së dosjes Gërdeci. Prokuroria tha se mosparashikimi i detyrimit për pagimin e shpenzimeve të transportit të municioneve në Gërdec, ka qenë një tjetër shkelje që rëndoi buxhetin e Ushtrisë, e cila dërgoi municione në punishte për llogari të Delijorgjit. Po kështu, sipas akuzës, kompania e përzgjedhur për demontim nuk kishte asnjë eksperiencë, ndryshe nga sa caktonte vendimi i qeverisë nr.138.
AKUZAT
Prokurorët i thanë trupit gjykues se Mihal Delijoregji dhe Ylli Pinari kanë paracaktuar Gërdecin si vend demontimi, përpara se ish-ministri i Mbrojtës i atëhershëm, Fatmir Mediu, të nxirrte urdhrin nr.550, që përcaktonte këtë vend. Delijorgji ishte i familjarizuar me Gërdecin, pasi kishte shkuar atje për një kontratë tjetër të mëparshme në lidhje me biznesin e skrapit, thanë përfaqësuesit e akuzës. Po sipas tyre, i pandehuri Delijorgji nuk kishte hedhur para në llogarinë e kompanisë SAC. Në pretencë thuhej se Patrik Henri ishte përdorur si fasadë nga Delijorgji dhe Pinari. Në lidhje me punën në fabrikë, u pohua se gjithçka zhvillohej nën vëzhgimin e Mihal Delijorgjit dhe Dritan Minxollit. Amerikanët e SAC në Gërdec kujdeseshin veç për makineritë. Për gjithë procesin kujdeseshin Minxolli e Delijorgji, thuhej në pretencë. Po dje, prokurorët thanë se Mihal Delijorgji shkonte çdo ditë në Gërdec, ku kontaktonte me drejtorin e fabrikës, të pandehurin Dritan Minxolli, i cili e mbante me informacion rreth procesit të demontimit. Në lidhje me të pandehurin Pinari, ish-kreun e MEICO-së, në pretencë thuhej se Ylli Pinari ka shkuar shpesh në Gërdec. Ai ishte në dijeni të procesit të demontimit. Ashtu si në seancën e fundit, prokurorët pohuan dje mungesën e grafikëve për transportin e municioneve. Sipas tyre, ngarkesat me municion porositeshin nga i pandehuri Delijorgji, i cili kontaktonte me telefon zyrtarë të lartë të Ushtrisë, mes të cilëve edhe të pandehurin Luan Hoxha, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Prokurorët sqaruan dje se dëmi financiar i mospagimit të transportit të municioneve ishte rreth 35 milionë lekë. Më parë, ata u shprehën se kostoja e transportit duhet të përfshihej në çmimet e shitjes së municioneve nga Ushtria, gjë që nuk ishte bërë nga komisioni i përcaktimit të çmimeve.
Gërdeci, super-pretenca, prokurorët lexojnë me radhë
Seanca e djeshme nisi në orën 10:30 dhe përfundoi në orën 16:00, në mbyllje të orarit zyrtar të punës në Gjykatë. Ndonëse e shtrirë në disa orë, me vetëm një 30-minutësh pushim në mesditë, prokurorët nuk mundën të përfundonin leximin e pretencës voluminoze. Në këtë mënyrë, as dje prokurorët nuk paraqitën para gjykatës kërkesën përfundimtare në lidhje me fajësinë ose jo të të pandehurve. Leximi i volumit 500-faqësh të konkluzioneve të përgatitura pas përfundimit të shqyrtimit të dosjes Gërdeci i angazhoi të gjithë prokurorët e trupës. Për shkak të orarit të zgjatur dhe lodhjes gjatë leximit, prokurorët Altin Dumani, Genci Qano, Petrit Bici dhe Marjeta Zaimi ia kalonin dje stafetën njëri-tjetrit. E njëjta mënyrë leximi u praktikua edhe në seancën e së hënës. Lodhja që u krijohej prokurorëve gjatë leximit, nënkuptohej edhe nga prania e gotave me ujë në tavolinën e tyre dhe konsumi i shpeshtë i tij prej tyre. Në pjesën tjetër të sallës, lodhja nga orari i zgjatur përkthehej me qëndrime të shkujdesura të disa prej avokatëve mbrojtës. Disa prej mbrojtësve pretenduan një lexim më të përmbledhur nga prokuroria, por pretendimi nuk u mor parasysh nga gjykata, që lejoi vijimin radhë për radhë të pretencës.
Armand Bajrami