E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci" procesi gjyqësor drejt fundit sot pretenca

TIRANE-Superprocesi gjyqësor i tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, po i vjen fundit.

Pas shqyrtimit të provave dhe dëgjimit të dëshmive, Gjykata e Tiranës ka thirrur Prokurorinë të prezantojë fjalën e saj të fundit për 29 të pandehurit, më 3 tetor.
Shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve "Alba Demil", më 15 mars 2008, i mori jetën 26 personave, 300 të tjerë u plagosën, si dhe u shkatërruan mijëra banesa e godina biznesesh.

Edhe pse shpërthimi ishte në këto përmasa tragjike, asnjë nga të pandehurit nuk gjendet pas hekurave, por të akuzuarit po gjykohen në arrest shtëpie.

Ish-adminisratori i “Albademil”, Mihal Delijorgji, ish- drejtori i fabrikës, Dritan Mixholi, ish-drejtor i MEICO-s, Ylli Pinari dhe ish-shefi i kontrollit të municioneve në Gërdec, Sokol Ngjeci, fituan lirinë pak muaj më parë pasi kishin përfunduar afatet e paraburgimit, dhe gjykimi ndaj tyre vazhdoi jashtë qelive të burgut.

Të akuzuar në këtë proces janë dhe ish-drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë por që edhe këta persona hetohen në gjëndje të lirë. Nga fillimi i procesit numërohen rreth 150 seanca gjyqësore mbi 200 dëshmitarë nga të cilët rreth 15 ekspertë.
Pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës u rrëzua kërkesa e avokatëve për ndryshim të trupit gjykues.
Në seancën e 19 shtatorit njëri prej të pandehurve Lavdi Shatro, me anë të avokatit mbrojtës kërkoi shkarkimin e trupit gjykues, pas pretendimeve për një vendim të ndërmjetëm nga ana e trupës aktuale.
Më 28 Shtator, Gjykata e Tiranës e hodhi poshtë këtë kërkesë, ndërsa pritet që pretenca për 29 të pandehurit të jepet sot.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›