E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, prokuroria dështon në Gjykatën e Lartë

Togat e zeza shpallin moskompetencën për masat e sigurisë. Dosja i kalon për gjykim Shkallës së Parë

 TIRANË - Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë shpalli dje moskompetencë në shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit dhe Dritan Minxollit, të cilët akuzohen për vrasjes me dashje në mënyrë indirekte të dy ose më shumë personave. Kjo akuzë e cilësuar nga ekspertët si sforco nga ana e prokurorisë, tregoi dje se organi i akuzës me ose pa dashje nuk i ka dhe aq mirë punët. Burime zyrtare pranë Gjykatës së Lartë thanë dje, se Kolegji Penal i kësaj gjykate refuzoi kërkesën e prokurorisë, me arsyetimin se subjektet për të cilët kërkohej caktimi i masës së sigurisë nuk parashikohen në nenin 141 të Kushtetutës. Në tri seanca të veçanta, Gjykata e Lartë shqyrtoi dje një nga një të tria kërkesat e Prokurorisë së Përgjithshme për Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin dhe Dritan Minxollin. Në të tre rastet, gjykata vendosi të shpallë moskompetencën dhe urdhëroi dërgimin e akteve në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, ku do të vlerësohet edhe masa e sigurisë ndaj tre të ndaluarve, mbi të cilët rëndon akuza e “vrasjes me dashje në mënyrë indirekte të dy ose më shumë personave”. Një vendim i tillë i organit më të lartë të gjyqësorit nxjerr tërësisht blof Prokurorinë e Përgjithshme, e cila presupozohet të njohë shumë kompetencat e Gjykatës së Lartë dhe nenin 141 të Kushtetutës, i cili specifikon juridiksionin e kësaj gjykate. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se në kërkesat e tyre dy përfaqësuesit e organit qendror të akuzës arsyetuan se nga hetimet e realizuara në Prokurorinë e Përgjithshme, u arrit në konkluzionin se tre të pandehurit janë përgjegjës për akuzën e vrasjes me dashje në mënyrë indirekte. Kërkesa për caktimin e masës së sigurisë, sipas përfaqësuesve të organit qendror të akuzës, u dërgua në Gjykatën e Lartë, pasi hetimet që arritën në konkluzionin se të pandehurit janë përgjegjës për veprën penale të vrasjes u zhvilluan në Prokurorinë e Përgjithshme. Por kjo logjikë u kundërshtua nga mbrojtësit e të pandehurve, të cilët i treguan gjykatës nenin 141 të Kushtetutës, ku thuhet se Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret, asnjëri prej të pandehurve nuk është subjekt i parashikuar nga neni 141 i Kushtetutës dhe për këtë arsye Gjykata e Lartë shpalli moskompetencën, duke e dërguar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë. Aktet hetimore së bashku me kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të ndaluarve si përgjegjësit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit pritet t’i dërgohen Gjykatës së Tiranës, e cila do të japë për herë të dytë masën e sigurisë për Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin dhe Dritan Minxollin. Gjatë hetimit të Prokurorisë së Tiranës, dy shkallët e gjyqësorit vendosën dhe lanë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për të ndaluarit, mbi të cilët rëndonte akuza e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.   Minxollit i shtohen akuzatVeç akuzës së vrasjes me dashje në mënyrë indirekte të dy ose më shumë personave, ish-drejtori ekzekutiv i fabrikës së Gërdecit do të përballet edhe me një tjetër akuzë. Sipas prokurorisë, bëhet me dije se ai akuzohet edhe për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Një akuzë e tillë sipas organit të akuzës, ka të bëjë me një armë tip pistoletë, që hetuesit e çështjes “Gërdeci” kanë gjetur në kasafortën e Dritan Minxollit në Gërdec. Nga verifikimet e kryera rezultoi se arma tip pistoletë e kalibrit të vogël mbahej në mënyrë të paligjshme nga ish-drejtori ekzekutiv i fabrikës së vdekjes. Për këtë arsye ai do të përballet edhe me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve luftarake.    Gafë e Prokurorisë apo Mediu i pandehur?Menjëherë pas shpalljes së moskompetencës nga Gjykata e Lartë, reaguan edhe disa ekspertë me përvojë në fushën e gjyqësorit dhe hetimit. Disa prej tyre thanë se në pamje të parë kjo është një gafë e organit qendror të akuzës. Por duke i parë gjërat me sy kritik, del se “gabimi” ndoshta është bërë me dashje, pasi një grup hetimor si ai që ka në dorë dosjen “Gërdeci”, nuk do të linte vend kurrsesi për një gafë të tillë. “Kjo kërkesë mund të bëhej në Gjykatën e Lartë vetëm në rast se bashkë me tre të pandehurit prokuroria do të kërkonte caktim mase edhe për ish-ministrin e Mbrojtjes, i cili është subjekt gjykimi në këtë gjykatë”, - tha një ekspert me përvojë. Sipas të dhënave të prokurorisë, ish-ministri i Mbrojtjes aktualisht është person nën hetim, status i cili mund të lejojë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë në mbështetje të nenit 34, pika 4 e Kodit të Procedurës Penale.      Prokuroria: “Gjykata e Lartë duhet të kishte pranuar”Të kontaktuar nga “Korrieri”, burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se në kuptim të Kushtetutës, Gjykata e Lartë duhet të gjykojë çdo çështje ku janë të pandehur apo nën hetim persona me imunitet, siç është edhe dosja “Gërdeci”. “Meqenëse kjo çështje po hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme, ku veç tre të pandehurve është nën hetim edhe një zyrtar me imunitet, atëherë dosja duhet të gjykohet nga Gjykata e Lartë”, - thanë dje për “Korrierin” burime pranë grupit hetimor. Kjo sipas tyre është edhe arsyeja përse prokuroria vendosi t’i drejtohet Gjykatës së Lartë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të pandehurve që akuzohen për vrasje me dashje në mënyrë indirekte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›