E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdëp në dru katër policë të Patrullës së Përgjithshme

Turku 21-vjeçar, nën efektin e alkoolit, sapo kishte dalë nga një lokal nate, kur u përball me uniformat blu

TIRANË - As forca e katër meshkujve të tjerë nuk e ka mposhtur. Nuk e ka penguar asgjë për të shtrirë në tokë e për të gjuajtur me shkelma e grushte katër punonjës policie. Ka qenë krejt i vetëm, me trup shtatshkurtër por të bëshëm, duke u endur rrugëve në orët e para të mëngjesit të së dielës, pasi kishte pirë e dëfryer gjithë natën në një nga pub-et e Tiranës. Ai ka një pasaportë të një shteti tjetër dhe nuk e njeh mirë shqipen, po tashmë do të përballet me tri akuza përpara drejtësisë shqiptare. Osman Dimitrash, djali 21-vjeçar i një biznesmeni turk, i cili jeton prej disa kohësh në Tiranë, është arrestuar para dy ditësh, teksa “masakronte” me grushte punonjësit e Patrullave të Përgjithshme. Në gjendje të pirë, ai nuk i është bindur urdhrit të të dëmtuarve për të ndaluar makinën për një kontroll rutinë, por ka zbritur nga makina luksoze dhe i xhindosur nuk ka kursyer as edhe një përqindje të fuqisë së tij ndaj forcave të rendit. Burime zyrtare të policisë së Tiranës bënë të ditur se ngjarja ndodhi në rrugën “Vaso Pasha” në Tiranë, në zonën e ish-Bllokut, rreth orës 05:00 të mëngjesit. I riu turk mësohet të ketë kaluar gjithë natën e së shtunës në një nga pub-et e njohura të kryeqytetit, derisa ka gdhirë e diela. Por punonjës të patrullave të Komisariatit Nr. 2 i kanë bërë me shenjë që të ndalonte. Duke mos kontrolluar aspak veten, ka nisur fillimisht të ulërasë, të shajë e të ofendojë secilin nga efektivët. Këta të fundit i kanë kërkuar më pas që t’i shoqërojë në ambientet e komisariatit. Dhe këtu mësohet të ketë qenë edhe kulmi i acarimit të 21-vjeçarit, i cili në gjaknxehtësi e sipër ka gjuajtur me grusht në fytyrë njërin nga djemtë e patrullave. Kolegët, për të mbrojtur të dëmtuarin dhe për të vënë situatën në kontroll janë përpjekur që të neutralizojnë të riun. Por ky i fundit nuk është ndaluar me kaq. Në momentin që ka parë reagimin mbrojtës të policëve, ka nisur të qëllojë me shkelma të dytin, të tretin e kështu me radhë. Ka gjuajtur për disa minuta rresht me grushte e shkelma të pandërprerë punonjësit në të gjitha pjesët e trupit. Dhe mund të vazhdonte akoma, por banorët e zonës, të cilët kishin parë sehir teksa patrullat po zhdëpeshin në dru, kanë njoftuar më pas forcat policore të komisariatit të tyre, të cilët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për shumë pak minuta. Ata nuk u kanë besuar syve kur kanë parë kolegët të nxirë e të gjakosur vetëm nga një djalë i ri shtatshkurtër. Të gjendur përpara një situate të tillë, ata kanë arrestuar në kushtet e flagrancës Dimitrashin, i cili akuzohet për veprat penale të “goditjes për shkak të detyrës”, “fyerjes për shkak të detyrës” dhe “prishjes së rendit dhe qetësisë publike”. Ndërkohë që nuk bëhet i ditur fakti nëse vetë të dëmtuarit e patrullave, E. Zh, 32 vjeç, D. D., 36 vjeç, N. K., 24 vjeç dhe A. Ç., 23 vjeç të kenë depozituar ndonjë kallëzim penal ndaj turkut që i “çnderoi” duke i rrahur paq.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›